Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar absurditet vendimin e Gjykatës Kushtetuese e cila pezulloi ligjin që i detyron studentët e Mjekësisë të punojnë 5 vite në Shqipëri.
Rama tha se studentët e mjekësisë i kryejnë studimet me paratë e taksapaguesve dhe nuk mund të marrin diplomën dhe të ikin, pa ua kthyer njerëzve që paguan këto taksa.
Më tej, kreu i qeverisë u shpreh se ky lloj sistemi që po aplikohet te Universiteti i Mjekësisë do të shtrihet dhe më tej në arsimin publik.
“Si ka mundësi që studentët e Mjekësisë nuk e kuptojnë sesa e thjeshtë dhe sesa e padiskutueshme është se merr falë kontributit të taksapaguesve një arsim që ty të kushton shumë herë më pak se sesa kushton shtetit dhe vë në diskutim disa vite që t’i duhet t’i shërbesh këtyre njerëzve që paguan taksat për ty, prindërve dhe gjyshërve të tyre, dhe jo të marrësh diplomën dhe të shkosh me vrap në Gjermani. Kjo është e paimagjinueshme.
Dhe pse? Për një arsye shumë të thjeshtë. Pavarësisht se Universiteti ynë i Mjekësisë nuk është i rankuar në nivelin e Universiteteve gjermane, praktika ka treguar se është një universitet që nxjerr profesionist të besueshëm dhe i pranojnë.
Mirëpo, ai shoku gjerman apo shoqja gjermane ka paguar në ,mënyrë marramendëse për të hyrë në të njëjtin korridor. Ndërsa ti ke pasur shtetin shqiptar që të ka dhënë mundësinë të bësh studimet dhe të ka hapur derën në Gjermani duke paguar shifra qesharake.
Por para se të ikësh në Gjermani, do t’ua kthesh njerëzve që kanë kontribuar për ty duke shërbyer disa vite, pastaj ik ku të duash. Nuk i diskutoj vendimet e gjykatave, por pezullimi që i bëri Gjykata Kushtretuese kërkesës absurde për ta hedhur poshtë këtë gjë është absurd.
E diskutoj sepse është thjesht pezullim. Në Shqipëri është shkolla e magjistraturës, ku ti hyn por nuk merr dot diplomën po nuk punove disa vjet. Dhe është shkolla më e mirë dhe fakti është se nuk është shkelur ndonjë e drejtë kushtetuese dhe nuk është vënë në diskutim. Këtë sistem do të zgjerojmë në arsimin publik”, tha Rama.