Më 18 nëntor, Finlanda do t’i mbyllë katër prej nëntë pikave kufitare me Rusinë, për të ndalur valën e azilkërkuesve, ka thënë kryeministri finlandez, Petteri Orpo.
Presidenti i Finlandës tha më 15 nëntor se rritja e numrit të azilkërkuesve duket se është hakmarrje ruse për bashkëpunimin e Finlandës me Shtetet e Bashkuara, në fushën e mbrojtjes.
Finlanda, shtet i Bashkimit Evropian, i cili është anëtarësuar në NATO këtë vit, pas shumë vjetëve neutralitet, e ka zemëruar Rusinë, me të cilën e ndan një kufi prej 1.340 kilometrash.
Kjo pjesë kufitare e Finlandës me Rusinë shërben edhe si kufi i jashtëm i Bashkimit Evropian.
Katër pikat kufitare që do të mbyllen janë në pjesën juglindore të Finlandës dhe janë ndër pikat më të ngarkuara për qarkullim mes dy palëve.