Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me aksidentin e rëndë një ditë më parë në Maqedoninë e Veriut, ku humbi jetën vajza e ish-deputetit Vangjel Tavo.
Mediat maqedonase bëjnë me dije se 24-vjeçarja Eva Tavo ishte pasagjerë në një automjet tip ‘Audi’ që po udhëtonte nga Tetova drejt Shkupit.
Mjeti me targa shqiptare doli nga autostrada “Nënë Tereza”, në fshatin Laskarci, në orën 14:00. ‘Audi’ drejtohej nga 40-vjeçari me inicialet V.M., nga Shqipëria.
Siç shihet dhe nga fotoja, makina pasi ka dalë nga rruga është përmbysur.
Për pasojë vajza e Tavos humbi jetën në vend, ndërsa shoferi është dëmtuar rëndë dhe ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
“Me datë 28.11.2023, në ora 14:00 në SPB-Shkup është raportuar se në autostradën “Nënë Tereza” në drejtim nga Tetova për në Shkup, në rajonin e fshatit Llaskarcë, automjeti i pasagjerëve “Audi” me targa të Shqipërisë, që po drejtohej nga shtetasi shqiptar V. M. (40), ka dalë nga rruga. Nga plagët e marra në aksident, pasagjerja E.T.(24) nga Republika e Shqipërisë ka ndërruar jetë në vend, ndërsa mjeku i Emergjencave Mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj. Ndërsa, i plagosur rëndë ka mbetur shoferi V.M.”, thuhet në njoftimin e ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoninë e Veriut.
Lajmin e rëndë për vdekjen e së bijës e ndau vetë Tavo përmes një postimi në rrjete sociale.
“Këto janë fjalët më të vështira që shkruaj në jetën time. Vajza ime e madhe Eva u nda nga jeta në kulmin e rinisë, në moshën më të bukur, siç ishte edhe vetë ajo. Varrimi bëhet ditën e enjte, datë 30 nëntor, ora 11:00 në Jorgucat, Gjirokastër”, shkroi ai.
Ndërkohë nuk dihen ende rrethanat e aksidentit, ndërsa mësohet se ka nisur puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.