Në 10 minuta seancë Kuvendi vendosi pro heqjes së imunitetit të Sali Berishës, duke e dorëzuar atë në duar të drejtësisë.
Analisti Skënder Minxhozi, përdori një metafore, me të cilën përshkroi fatin politik të ish-kryeministrit. Sipas tij, Berisha ka hyrë në titrat e fundit të filmit të karrierës së tij politike dhe me arrestimin e tij nuk mund të prodhojë një “hero” nga vetja, pasi është braktisur nga të gjithë.
“Berisha nuk mund të prodhojë nga vetja e tij një “hero” me një arrestim, sepse nuk ka kohë. Nuk ka mbështetje popullore të caktuar dhe të mund të shtohet gjatë rrugës për të prodhuar në politikan që me anë të arrestit përfiton diçka. Berisha me këtë arrestim izolohet edhe më tej dhe fiton ideja në fund të ditës se ky politikan është te titrat e fundit të filmit të tij dhe karrierës së tij, nëse mund ta përdorim si metaforë”, tha ai.
Referuar pjesëmarrjes në protestën e thirrur para Kuvendit, Minxhzoi tha se tabloja që vinte prej andej kishte një kuptim të drejtpërdrejtë, e thënë ndryshe; një braktisje totale dhe masive për Berishën.
“Berisha po arrestohet i vetëm ju e patë se sa njerëz mundi të mblidhte për fatin e tij personal. Në kohëra jo shumë të largëta mbështetja ka qenë krejt tjetër, dhe kjo pse shterojë kjo mbështetje, kjo do një kohë të gjatë analize”, tha ai.
Ai komentoi veprimin e grupit të deputetëve të Bashës, të cilët edhe pse votuan pro në Këshillin e Mandateve dhe Imunitetit, nuk shkuan sot në seancë për të votuar heqjen e imunitetit të Sali Berishës.
Por si shikohet ky qëndrim dhe a kemi të bëjmë me një favor që Basha i dhuroi Berishës në fundin e tij politik, për këtë Minxhozi u shpreh si vijon:
“Favori ishte për t’u bërë nëse do të bëhet në Këshillin e Imuniteteve që votoi Alibeaj, sepse sot në sallë, numerikisht Basha nuk e bllokonte heqjen e imunitetit, sepse PS plus PSD arritën atë që arritën. Mua më duket se kjo tregon më tepër karakterin e dyzuar, të pavendosur deri edhe hileqar të Bashës, i cili bën një gjë dhe nuk bën tjetër. Thotë se do shkojë në Kuvend dhe nuk shkon, thotë do të hyjë në zgjedhje dhe nuk hyn. Bën disa luftëra të vogla dhe meskine, të cilat zbulojnë një karakter dhe një figurë jo fort dinjitoze. Me ikjen e Berishës nuk ikën berishizmi”, tha ai.
Por pas Berishës, a është radha që edhe Lulzim Basha të largohet nga politika, kësaj pyetjeje Minxhozi iu përgjigj duke thënë se Basha është një politikan pa karakter dhe i dyzuar në qëndrimet e tij rreth kauzave.
“Natyrisht që Basha ka marrë përsipër një dozë të madhe konsumi duke hyrë në politikë krejt pa rekorde dhe pa meritë në 2005, ka një meritë historik, që i duhet thënë, që Basha ishte ai që e nxori Berishën nga politik duke e ngrirë fillimisht brenda grupit. Ne ndodhemi në fundit e një rruge, ku shfaqja e SPAK në skenë si lojtar i ri në fushë na jep një shans që të ketë një fillim të ri. Ne sot kemi një situatë, që mund të kemi politikan që nuk kanë vajtur ende 80 vjeç, por sa i takon konsumit të karrierës politike të tyre janë të një 80vjeçari. Unë mendoj se berishizmi do të vazhdojë eventualisht edhe pa Berishën”, tha ai në “ABC News”.