Konsumi i bukës vlerësohet në rënie në Shqipëri i reflektuar dhe në rënien e ndjeshme të importeve të drithërave. Për 8 mujorin 2023, importet e drithërave në sasi ishin rreth 16% më të ulëta se e njëjta periudhë e 2021, sipas të dhënave të INSTAT.
Operatorët e tregut e ligjin këtë tendencë me dy faktorë, së pari ndryshimi i stilit të jetesës drejt një regjimi më të shëndetshëm që ka ulur konsumin e brumërave dhe që ka qenë gradual dhe së dyti me efekt të dukshëm ka qenë emigracioni i viteve të fundit, sidomos i të rinjve që janë dhe konsumatorët më të mëdhenj të brumërave.
Hysen Caka, ish-drejtor i fabrikës shtetërore të prodhimit të bukës thotë se periudhën komuniste, konsumi i bukës për frymë arrinte 500 deri në 650 gramë në ditë. Në ditët e sotme, sipas tij, konsumi për frymë në ditë arrin deri në 300 gramë.
Konsumi ndër vite ka ndryshuar për shkak të stilit të jetesës së ndjekur nga shqiptarët dhe veçanërisht ndjekja e këshillave të dietologëve për të ulur sasinë e konsumit të bukës, që sipas tij janë të gabuara, pasi vlerat ushqyese të bukës mbeten të pazëvendësueshme për organizmin. Ai shton se vitet e fundit, rënia e konsumit të bukës është ndikuar nga faktorë demografikë, duke përfshirë largimet e popullsisë në emigracion, veçanërisht të rinjve.
Ndërsa ajo pjesë e popullatës që gjatë muajve të pandemisë e bënin bukën në shtëpi, sipas Hysen Cakës i është rikthyer blerjeve në furra, pasi kostoja e blerjes është më e leverdishme sesa ajo e përgatitjes së bukës në shtëpi. Aksionet kundër informalitetit te pagesat e energjisë elektrike, sipas tij ndër vite kanë reduktuar numrin e familjeve që bëjnë bukën në shtëpi. Gatimi i bukës në shtëpi është më tepër traditë e mbetur te zonat rurale kultivuese të drithërave.
Për sa i përket kërkesës së produkteve të brumit, sipas Shoqatës së Bukës, Pastiçerive dhe Brumërave këtë vit, gjatë sezonit turistik dhe në vijim patën më tepër shitje dyqanet e produkteve fast food. Me largimin e turistëve të huaj dhe emigrantëve, në dyqanet e tregtimit të bukës, produkteve të tjera të brumit dhe pastiçerive ka nisur të ndihet rënia e kërkesës deri në 20%, përveç produkteve fast food që ende janë në rritje.
Nga përfaqësues të kompanisë “Xhorxh Bush Bakery” në Fushë-Krujë dhe Krujë u pohua për “Monitor” se kërkesa si për produktet e brumit dhe pastiçerive është 10 deri 20% më pak krahasuar me muajt e sezonit turistik. Krahasuar me muajin shtator 2022, kërkesa shfaqet e njëjtë. Sipas tyre, në muajt e verës pati rritje të lartë të kërkesës për shkak të fluksit të madh të turistëve.
Situata paraqitet e njëjtë edhe në Tiranë. Nga “Caka Kompani” thanë se krahasuar me muajt e verës, kërkesa për produktet e brumit shfaqet me rënie për shkak të largimit të turistëve. Edhe sipas këtij prodhuesi, kërkesa nuk ka pësuar tkurrje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. Rritje më të lartë të kërkesës për produktet e brumit gjatë stinës së verës, sipas tij, pati në zonat bregdetare si Durrës dhe Lezhë.
Në periudhën janar-qershor, numri i shtetasve të huaj që hynë në territorin shqiptar është 3,396,932. Kjo shifër është rritur me 33%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022. Nga të dhënat e Ministrisë së Turizmit, për 6 muajt e parë të vitit, rezulton se kanë hyrë në Shqipëri nga Kosova mbi 1.38 milionë vizitorë apo 43% më shumë sesa e njëjta periudhë e një viti më parë. Në vend të dytë janë italianët, me 310 mijë vizitorë nga shteti fqinj, duke shënuar rekord që në 6-mujorin e parë. Turistët nga Kosova zinin 40% të totalit të turistëve, kurse ata nga Italia, 9%.
Deri në fund të muajit shtator, parashikimet e operatorëve mbeten optimiste, për shkak të kërkesës së lartë nga strukturat e hotelerisë. Në muajt në vazhdim, prodhuesit nuk presin rritje të kërkesës, për shkak të emigrimit të popullsisë. /MONITOR