Të bëhesh faktor për tregje me popullsi dhjetra herë më të mëdha se Shqipëria, është mision gati i pamundur, por të konkurrosh me çmimin dhe cilësinë mund të jetë një sfidë e arritshme, jo vetëm në letër por edhe në realitet.
Sot çmimi për litër në fabrikë ka arritur në 800 lekë, ndërsa qeveria duhet të ndikojë për të disiplinuar tregun e për të konkurruar me fqinjët.
Eksperti i bujqësisë Ilir Pilku nënvizoi në se për të dalur në tregje ndërkombëtare nevojiten një sërë standardesh.
“Për t’u bërë faktor në tregje duhet të plotësojmë një sërë standardesh. Kjo është një nga çështjet që nuk po avancojmë me marketingun, që do të thotë një paketim cilësor dhe brendim të çertifikuar. Po ashtu, duhet të dimë se 50% e ullishtarisë në Shqipëri e kemi organike, pra është një vlerë e shtuar në produktin final dhe kuptohet që tregjet ndërkombëtare kanë kërkesë ndaj këtij produkti”, tha ai.
Rritjen e kërkesës dhe çmimit e evidentoi dhe prodhuesi i vajit të ullirit, Marin Suli.
“Këtë vit, është rritur kërkesa që pa filluar vjelja e ullinjve dhe e ka çuar vajin me çmim 700-800 lekë, çka do të thotë se në treg do të dalë me 1200 lekë/litri. Ky është një aspekt që qeveria të ndërhyjë dhe të mbrojë prodhuesit dhe tregun e brendshëm”.
Ndërkohë prodhuesi i vajit të ullirit Tauland Shehu u shpreh: “Në qoftë se shteti i ndihmon edhe me subvencione, si tek nafta si tek plehrat, mbledhja, do ketë interes dhe do të jetë punë me pastër. Edhe ne nuk duam të vijnë me thasë, por të pajisen me arka do të jetë gjë e mirë”.