Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të lejuar heqjen e imunitetit dhe arrestimin e liderit të opozitës Sali Berisha.
Në një reagim, Gjekmarkaj thekson se janë përdorur standarde të dyfishta, ndërkohë që ka kujtuar dhe periudhën kur për Saimir Tahirin socialistët kërkon prova nga prokurorët. “Pritëm që në mbledhjen e këshillit të mandateve të paraqiteshin prova ndaj tij, por ato nuk i pamë. Dikur kjo mazhorancë kërkonte prova dhe u nxirrte sytë prokurorëve për Saimir Tahirin.
Dy standardet janë një standard triumf i politikës mbi drejtësinë, helm ky, që mund të fundosë ëndrrat për një drejtësi të re”, u shpreh ai.
“Nëse opozita nuk ia del e vetme, shoqëria duhet ta ndihmojë atë ose një ditë do të jetë ajo e vetmuar.
Të zgërdhihesh sot me dobësitë e opozitës është justifikim ndaj mungesës së forcës për ta parë realitetin në sy.
Se çfarë ishte Shqipëria pa opozitë, e kemi të gjithë kujtimin, shenjat, gjurmët në sjellje, mendësi , në trupin e atdheut kudo”, thekson Gjekmarkaj.
REAGIMI I PLOTE I AGRON GJEKMARKAJT
Ajo që ndodh me Sali Berishën nuk më lë indiferent. E percjell me keqardhje njerëzore, por edhe per atë që ai përfaqëson në historinë bashkëkohore të vendit tonë. Nuk kam ëndërruar për asnjë çast , si ndokush që gjithçka pameritueshem ka marrë nga ai dhe uron rrënimin e tij përtej çdo qëndrimi politik që kam mbajtur e kam në koherencë me veten.
Një gjë ra në sy gjatë kësaj ngjarjeje, e them këtë pa pretenduar monopolin e drejtësisë.
Kushtetuta e vendit u shkel në nenin e saj nr. 73 dhe u krijua një precedent që la shije gjuetie mbi Sali Berishën, i cili përfaqëson pjesën më të madhe të opozitës.
Ai nuk është mbi ligjin, por as nën të nuk duhet të futet me aksion politik.
Pritëm që në mbledhjen e këshillit të mandateve të paraqiteshin prova ndaj tij, por ato nuk i pamë. Dikur kjo mazhorancë kërkonte prova dhe u nxirrte sytë prokurorëve për Saimir Tahirin. Dy standardet janë një standard triumf i politikës mbi drejtësinë, helm ky, që mund të fundosë ëndrrat për një drejtësi të re.
Goditja ndaj tij nuk është e barabartë me asnjë goditje ish-ministri, nëse dikush kërkon të ndërtojë paralelizma.
Një vend pa opozitë apo me atë të nëpërkëmbur , të shtypur nga thundra gardistësh, është vend pa garanci dhe, si i tillë, pa demokraci, është regres. Një vend ku të votuar nga populli opozitar përdoren nga pushteti, është një vend në krizë të thellë etike, aq shumë të tillë sa propozohen bash nga këta, ligje që opozita të dënohet me burg nëse bën denoncime.
Nëse opozita nuk ia del e vetme, shoqëria duhet ta ndihmojë atë ose një ditë do të jetë ajo e vetmuar.
Të zgërdhihesh sot me dobësitë e opozites është justifikim ndaj mungesës së forcës për ta parë realitetin në sy.
Se çfarë ishte Shqipëria pa opozitë, e kemi të gjithë kujtimin, shenjat, gjurmët në sjellje, mendësi , në trupin e atdheut kudo.
Sekush është në të drejtën e vetë ta gjykojë opozitën, ta braktisë, t’i bashkohet po kaq njerëzore të kesh frikë dhe, në vend të përballjes, të zgjedhësh konfortimim, por secili, së paku para pasqyrës së ndërgjegjes, t’ia pranojë vetes që tkurrja, ikja, frika nuk janë virtyte, nuk janë vlera.
Ajo do të konsiderohet trashëgimia e nënshtrimit, e cila krijon cikle të gjata, ku të drejtat hiqen një nga një dhe mbetesh i vetem përballe policit pa avokat.
Një thënie e filozofit spanjoll Migel de Unamuno vlen per të gjithë, ndonëse pro Frankos dhe lëvizjes së tij kundër Republikës, u drejtohet falangistëve me fjalët: “Ju mund të fitoni se keni forcë të shëmtuar brenda vetes me bollëk, por nuk do të bindni. Për të bindur, ju duhet diçka që ju mungon, arsyeja dhe e drejta në përpjekje”. Tre muaj pasi tha këtë në Universitetin e Salamankës, vdiq nën presionin e turmës. Pas vitit 1978 , pas 42 vjetësh, kjo frazë gjendet kudo në Spanjë, nëpër kartolina dhe suvenire. Krenohen që ai e tha , pendohen që reflektuan me vonesë.