Vera e re në fuçinë e vjetër
Fiks 1203 delegatë, 22 deputetë të parlamentit shqiptar, 2 deputetë të ftuar të parlamentit Italian dhe 938 vota pro dhe 55 vota kundër për besimin që Sali Berisha të vijojë të jetë kryetar, shënjuan ditën e shtunë në një sallë të mbushur përgjysmë në Pallatin e Kongreseve, ngjarjen më të rëndësishme të Partisë Demokratike të muajve të fundit. Dhe kulmi i saj ishte fjalimi i Sali Berishës që zgjati 46 minuta, nga ora 11.50 deri në orën 12.36, me një shikueshmëri live në faqen e tij në facebook nga 399 deri në 425 views, më e ulta që ai ka patur në karrierën e vetë në këto lloj aktivitetesh. Deviza e fjalimit të tij ishte një premtim i madh dhe njëkohësisht besimi që kjo do të ndodhte. Berisha artikuloi 7 herë nga ky kuvend se Partia Demokratike, duke nënkuptuar Rithemelimin, do të arrinte të zgjonte luanin e fjetur te shqiptarët për t’u ngritur në revoltë për shpëtimin e kombit dhe rrëzimin dhe largimin e atij që Berisha e quan narkoregjim dhe armiku shqipofolës, armiku i votës Edvin Kristaq Rama. Dhe se pas këtij zgjimi do të vinte fitorja e madhe dhe e shumëpritur. Këtë, herë pas herë e shoqëronte me thirrjet “Azem, Azem, ti je gjallë”, ndërkohë që salla jehonte nga ovacionet. Kur situata në sallë qetësohej, Berisha citonte edhe Mit’hat Frashërin që shkruante një shekull më parë se vetëm shqiptarët mund ta shpëtojnë Shqipërinë.
E gjithë kjo panoramë pjesëmarrjeje dhe fryme tregoi se sipas asaj që po ndodh me grupin parlamentar, Partia Demokratike është e ndarë në 4 pjesë të çimentuara: 22 deputetë janë në mbështetje të Sali Berishës, 15 deputetë në mbështetje të Gazmend Bardhit, 10 deputetë në mbështetje të Lulzim Bashës dhe 5 deputetë janë asnjanës. Dhe me këtë përçarje, ndarje dhe copëzim, është ironike të bësh pyetjen e mnadhe: A mund ta zgjojë luanin e fjetur te shqiptarët ky kuvend dhe veçanërisht fjalimi i Sali Berishës.
Me të drejtë Berisha i bëri pjesëmarrrësve në sallë një pyetje: Kush fiton: Një luan i zgjuar apo një grusht çakenjsh që do t’ia mbathin me të parë? Afërmendsh, në një betejë me këto simbole, sigurisht që fiton luani që është mbreti i të gjitha gjallesave në xhungël dhe në pyll. Por çështja është nëse vërtetë ky luan mund të arrijë të zgjohet një ditë? Dhe më parë se të zgjojë luanin te shqiptarët, duhet të zgjohet luani në PD. Aksionet e fundit në parlament vërtetë kanë krijuar një situatë jo nomale, por a mund të themi se luani u zgjua? Copëzimi i PD ku secila pjesë bën gjithçka kundër pjesës tjetër, as të ngroh e as të frymëzon. Grupi i parë i deputetëve dhe mbështetësve janë me Lulzim Bashën i cili është jashtë realitetit. Në situatën më të rëndë të PD-së, ai ndërmerr udhëtime të stilit fantastiko-shkencor të romancier francez Jules Verne dhe të kujton titullin e romanit “Dhe yjet rrinë e vështrojnë” të skocezit Archibald Cronin. Grupi i Gazmend Bardhit i bashkohet vetë i 15-të Rithemelimit në seanca parlamentare dhe mbledhje komisionesh, por nuk shkon as në Kuvendin e Rithemelimit, madje nuk shkon as në selinë e partisë. Sa ironike ishin pamjet gjatë zhvillimit të protestave në kuvend nga djegia dhe revolat në parlament ku u shfaqen Gazmend Bardhi dhe Saimir Koreshi, por që të dy nuk ishin pjesëmarrës në kuvend.
Grupi i tretë është ai i asnjanësve, me në krye Jorida Tabakun që nuk është as me të parët, as më të dytët, e as më të tretët. E pozicionuar “mbi palët” Tabaku dhe ata afër saj janë akoma më problematikë. Me justifikimin e tyre se nuk duan të bëhen pjesë e sherreve, Tabaku në fakt dhe të tjerët rreth saj tregojnë se sa të përkëdhelur janë dhe se janë bërë deputetë vetëm falë të paturit mirë me kryetarin dhe jo për ndonjë aftësi të veçantë. Nuk besohet se e teprojmë të themi se personazhe të tillë nuk e meritojnë të qenit në parlament dhe në politikë. Se si mund të ndjehesh mbi palët, kur palët janë bërë copa dhe Partia Demokratike është shpartalluar, vetëm zonja Tabaku e di.
Thjesht ky ishte kuvendi i një nga katër pjesët e Partisë Demokratike. Atëherë si mund ta zgjojë luanin te shqiptarët kjo PD e ndarë e përçarë dhe copëzuar, pra e shpartalluar?
I marrim me radhë. Asnjë fjalë nuk tha Berisha në fjalim për raportet me ndërkombëtarët. Asnjë fjalë nuk tha për SHBA. Asnjë fjalë për Britaninë e Madhe dhe asnjë fjalë për Bashkimin Evropian. Atëherë si do ta zgjojë luanin te shqiptarët Berisha kur PD nuk ka asnjë marrëdhënie me ndërkombëtarët? Dy deputetë italianë janë aq të pamjaftueshëm për t’i reklamuar këto marrëdhënie si normale që nuk vlejnë as për t’u dukur.
Si do ta zgjojë luanin e fshehur Berisha te shqiptarët me aksionin mosbindje civile? Kush është ai jomilitant, ai student, pedagog, profesor, intelektual që i bashkohet aksionit të Rithemelimit për të shkatërruar, djegur dhe thyer ligjin? Dhe kur? Kur PD vetë nuk ka asnjë element që të frymëzojë për të kryer këtë ekstremitet.
Një tjetër tezë e Berishës në fjalim ishte antikomunizmi. Edhe pse kanë kaluar 33 vjet, ai nuk anashkaloi sulmet ndaj socialistëve duke i quajtur bijtë e etërve që sunduan 45 vjet gjatë regjimit të Enver Hoxhës. Nuk harroi të përsërisë se babai i Edi Ramës, Kristaq Rama, firmosi varjen e Havzi Nelës duke e portretizuar atë si të ishte po aq bashkëpunëtor i Hoxhës sa Mehmet Shehu e Ramiz Alia, e jo si një skulptor që vërtetë ishte komunist dhe deputet i atij regjimi, por jo se kishte në dorë ato që shpreh Berisha. Por të mbash gjallë edhe pas 33 vjetësh nga rrëzimi i tij, antikomunizmin kjo është një teori aq e vjetëruar dhe aq demode sa kur e dëgjon të duket vetja prapa në kohë. Edi Rama ka shumë zullume në qeverisje, por ta sulmosh atë si përgjegjës të atij regjimi dhe tani si pasardhës i komunistëve me pushtet është një absuditet që nuk ngjit as më fanatiku.
Një tjetër tezë që paraqiti Berisha në fjalim ishte ajo që Edi Rama nuk ikën me votë nga pushteti. A e kuptoni se sa zhgënjyes eshtë kjo për masën e njerëzve? Pothuajse të njëjat akuza artikulonte Sali Berisha për PS-në dhe kryetarin e saj dhe kryeministrin Fatos Nano në vitin 2005. PD nuk bëri mosbindje civile, por frymëzoi dhe arriti të bëjë për vete popullin, ndërsa Fatos Nano dhe PS iku me votë nga pushteti pas 8 vjetësh. A mund të ndodhë që Edi Rama në vitin 2023 apo 2024 të largohet nga pushteti me dhunë? Nuk e beson njeri këtë.
Një tjetër artikulim i Berishës ishte për shqiptarët në emigracion. Ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve që jetojnë jashtë duke e cilësuar rolin e tyre në këtë situatë tejet të madh. Ishte pothuajse një thirrje e tipit “ejani! Lëreni vendin ku jetoni dhe hajdeni të përmbysim Edi Ramën”. Me fjalë të tjera, një emigrant në Greqi, Gjermani, Angli, SHBA, a gjetkë, të lërë jetën e vete atje dhe të vijë në Shqipëri për të përmbysur Edi Ramën dhe pushtetin e tij. Kjo është një thirrje aq absurd e pashpresë dhe e pa mendueshme se mund të ndodhë. Shqipëria nuk është as e vitit 1924 që vetëm nga SHBA erdhën 6 mijë shqiptarë në mbështetje të Fan Nolit, as e vitit 2005 e as e vitit 2013. Vërtetë në 10 vitet e fundit janë larguar rreth 1 milionë shqiptarë, por ata janë larguar për arsyen kryesore nga kjo politikë. Sigurisht që mëkatari kryesor i kësaj plage është pushteti qeveritar, por duhet të themi se bashkëfajtorë me të është edhe opozita që në këto 10 vjet nuk krijoi asnjë shpresë, por vetëm zhgënjime. Dhe ky zhgënjim ishte aq i madh saqë u krijua bindja se shumica e atyre që janë larguar janë pjesë e opozitës që etiketuan si përgjegjësin kryesor Lulzim Bashën si kryetar të PD-së. Dhe Basha ishte një produkt 100 për qind i Berishës. Dhe t’u thuash atyre ejani se tani mund ta bëjmë PD-në është absurditet.
Dhe e fundit por jo për nga rëndësia, gjatë fjalimit të tij, Berisha shtroi pyetjen se çfarë do të bënte pasi të fitonte. Tha Berisha:
“Çfarë do bëjmë pasi të fitojmë? Qeveri teknike. Kushtetueshmëri dhe shtetin ligjor”.
Gati duket sikur është një ëndërr. Sigurisht që kjo është taktikë për të tërhequr sa më shumë njerëz dhe ata bëhen për vete kur u jep besimin se do fitosh. Por në stuatën që ndodhet PD a është normale kjo thirrje? PD jo vetëm që është shumë larg pushtetit, por është në një situatë të tillë që kjo thirrje mund të quhet ironike.
Përfundimisht, thirrjes së Berishës për të zgjuar luanin e fjetur te shqipatrët është e destinuar të mbetet vetëm një ide vetëm e shkruar në letër dhe e artikuluar në fjalime. Sepse më e rëndësishme se zgjimi i shqiptarëve është zgjimi i Partisë Demokratike. Me aksionet e fundit, vërtetë kjo parti është zgjuar, por ama i ngjan një lepuri që ndonëse i ka të hapur sytë, ende është i trullosur nga ajo që po shikon se ç’po ndodh përreth tij. Dhe nëse Ezopi do të ishte gjallë, i duhej të krijonte një përrallë të re.