Qindra besimtare katolikë morën pjesë mbrëmë në meshën e vigjiljes së Krishtlindjes, në katedralen e Shën Shtjefnit në Shkodër.
Në mesazhin e tij arqipeshkëvi Massafra bëri thirrje për falje mes njerëzve, më shumë dashuri e solidaritet ndaj njëri-tjetrit.
Lezha
Krishtlindja u kremtua edhe në Lezhë. Qindra besimtarë katolikë ju bashkuan ritualit fetar të lindjes së Jezu Krishtit në Katedralen e Shën Nikolli, ndërsa mesha e shenjtë e mbrëmjes të së dielës u drejtua nga Ipeshkvi i Lezhës Monsinjor Otavio Vitale. Në fjalën e tij para besimtarëve, ai foli për rëndësinë që ka Krishtlindja, duke vënë theksin te paqja në Gaza.
Durrës
Në të gjitha kishat katolike, ortodokse dhe ungjillore të Durrësit besimtarët janë mbledhur për të festuar këtë ditë të shenjtë në kalendarin e tyre, duke ndarë lajmin e mirë dhe urimet për më shumë paqe dhe mirësi mes njerëzve. Meshat e lindjes së Krishtit u shërbyen edhe në kishën ortodokse të Shën Astit dhe Shën Pavlit në qytetin bregdetar dhe në kishën katolike Shën Lucia. Ato u ndoqën nga besimtarë të të gjitha moshave, të cilët, përpos traditës së të festuarit, ndjejnë nevojën për t’u përmbushur shpirtërisht dhe për të qenë sa më pranë Zotit dhe vlerave që dikton besimi.
Elbasan
Mesha e Krishtlindjes ne Elbasan është mbajtur në kishën Katolike Shën Piu X, ku Don Dorjan Mjeshtri përcolli mesazhin e paqes, dashurisë mes njeri-tjetrit dhe solidaritetit.
Ndërsa në kishën ortodokse të Shën Kollit mesazhi i Krishtlindjes u përcoll nga Mitropoliti Andon Merdani.
Korçë
Në ditën e Krishtlindjes besimtarët kanë ndjekur meshën e mbajtur në Katedralen Ringjallja e Krishtit në Korçë. Mitropoliti i Korçës Imzot Johan Pelushi në mesazhin e tij duke uruar të gjithë besimtarët e ka vendosur theksin tek paqja dhe përhapja e saj.
“Me keqardhje shohim se në kohën e sotme paqja është përkeqësuar si ndërmjet individëve ashtu dhe brenda familjes. Nuk ka as paqe sociale nuk ka as paqe ndërmjet kombeve, luftërat po e përgjakin planetin tonë. Perëndia në kërkon të punojmë për paqen. Le të përjetojmë paqen kë zemrat tona dhe të përpiqemi ta përhapim kudo ku ajo mungon”, u shpreh Imzot Johan Pelushi.
Pas meshës, besimtarët festojnë në familje ditën e lindjes së Krishtit, një prej datave më të rëndësishme.
Lushnjë
Qindra besimtarë kanë ndjekur meshën e shenjtë të krishtlindjeve në kishën e Shën Palit e Pjetrit. Meshën e drejtori famullitari i kishës Dom Gjoni. Besimtarët fillimisht në ambientet e jashtme të Kishës janë takuar me njeri tjetrin dhe kanë uruar festën.
Fier
Në Fier besimtarët janë mbledhur në kishë Shëngjergji ku mesha u mbajt nga Mitropoli i Apolonise dhe i Fierit Hiresi Nikolla. Besimtarët i janë drejtuar njeri-tjetrit me lutjen për më shumë paqe dhe dashuri.
Vlora
Në Vlorë, besimtarët mblidhen në kishën ‘Shën Theodori’ ku mesha është drejtuar nga At Kostandin Prifti, i cili në mesazhin e tij ka folur për më shumë harmoni, paqe, shëndet dhe lumturi. Të shumtë kanë qenë edhe besimtarët të cilët kanë ndezur qiri dhe janë lutur për ditë më të mira.
Gjirokastra
Krishtlindjet janë kremtuar në Gjirokastër me meshën qendrore të mbajtur në katedralen e ‘Hyjlindëses’. Besimtarët kanë ndjekur meshën dhe mesazhin e këtyre Krishtlindjeve, mesazh që tërhoqi vëmendjen për më shumë mbështetje për njëri-tjetrin, për ata që kanë më shumë nevojë, për të vetmuarit, të varfëritë, të moshuarit si dhe për një pauzë të nevojshme në jetën e gjithsecilit për të reflektuar mbi atë që i jepet familjes dhe shoqërisë.