Natyrisht që është ngjarje kërkesa e SPAK-ut drejtuar Kuvendit të Shqipërisë për të dhënë lejën që kjo strukturë t’i paraqesë Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit kërkesën për arrestimin e shtetasit Sali Berisha. Është hera e parë në historinë e Shqipërisë së re, në historinë e Republikës së Dytë që shqiptohet fjala « arrestim » për zyrtarin më të lartë të shtetit shqiptar, për atë që ka mbajtur funksionet, po ashtu më të larta, në këta tridhjetë vjet. Dhe kjo, padyshim, është ngjarja që vendos kufirin dhe që ndan dy epoka. Nga njëra anë mbyllet epoka e pandëshkueshmërisë së zyrtarëve më të lartë të shtetit shqiptar dhe, nga ana tjetër, më në fund, shënohet dita kur edhe për zyrtarin më të lartë të kësaj periudhe shqiptohet fjala «arrestim».
Është fat i madh që kjo gjarje nuk është lajm në kuptimin e befasisë, apo në kuptimin tjetër të reaksionit që mund të prodhojë. Ky lajm, është një njoftim i zakonshëm i SPAK-ut dhe si i tillë u transmetua edhe nga media. Ka disa kohë që epitetet me të cilat e ka veshur veten Sali Berisha apo ata që e ndjekin atë nga pas, kanë rënë. Dikur ai shpallej si njeriu që u vu në krye të protestave antikomuniste, ishte presidenti i parë i Shqipërisë pluraliste, njeriu që drejtoi reformat e para antikomuniste në vend. Në imazhin kolektiv, në fillim, ai u paraqit si lideri me frymëzim patriotik e romantik, po ashtu. Me qenë se vinte edhe nga treva e Veriut të Shqipërisë, në fillim, ai u duk sikur plotësoi frymëzimin e munguar historik që shenjohej, veç të tjerash, edhe nga fakti se nga ajo trevë, pra nga Tropoja, vinte edhe imazhi i Kosovës.
Për një çast u duk sikur Shqipëria kishte gjetur tashmë edhe drejtpeshimin politik sepse komunistët që kishin sunduar me dorë të hekurt për më shumë se 40 vjet, në masë të madhe, ishin nga jugu i Shqipërisë. Tani ardhja e një lideri nga Veriu i vendit do të bashkonte të paktën si frymë edhe atë pjesë të Shqipërisë që vuante nën terrorin serb dhe që ishte Kosova. Nëse do të vështrojmë rolin dhe vendin që kanë zënë në memorien kolektive udhëheqësit më jetëgjatë të Shqipërisë, do të vërejmë se Zogu ishte njeriu që në karrierën e tij u përplas me fatalitetin disa herë. Merita e tij e madhe dhe intuita e zgjuarsia e spikatur e bënë atë që të merrte e ruante pushtetin përmes forcës dhe kompromiseve pluraliste të kontrolluara. Ai nuk e shmangu dot dhunën, madje përdori edhe vrasjen politike kundër opozitarëve të tij. Enver Hoxha shansin e madh që i dha historia për t’u vënë në krye të Luftës Nacionalçlirimtare e humbi dhe ndoqi modelin e demokracive popullore duke instaluar në vend diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave. Të dy këta kujtohen edhe sot me emocione të kundërta.
Ajo që i bashkon është se të dy, në kohën e tyre ndërmorën reforma dhe kryen transformime që janë ruajtur edhe sot. Sali Berisha u vu në krye të shtetit shqiptar në periudhën e tretë, në atë më të mirën. Shqipëria e vitit 1990, natyrisht ishte në krizë, por nuk ishte ajo e pasvitit 1920 kur Zogu nisi karrierën dhe as ajo e vitit 1945 kur Enver Hoxha instaloi diktaturën. Është e paimagjinueshme se si Sali Berisha e humbi atë shans. Ai, në karrierën e tij si drejtues i këtij vendi, do të mbahet mend për rrafshimin që i bëri ekonomisë socialiste, ushtrisë shqiptare dhe organeve të sigurisë dhe për instalimin e gjuhës së urrejtjes në vend të dialogut. Në emër të luftës kundër komunizmit ai e rrafshoi gjithçka që ishte ndërtuar më parë. Ëndrra e lirisë u zëvendësua nga kaosi i pasurimit me çdo kusht e me çdo mjet. Kulmin e kësaj aventure e shënoi 1997-a, lufta civile dhe revolucioni i armatosur që erdhi si pasojë e shembjes së skemave pirmaidale. Si të mos mjafotnte kjo, shqiptarët e sollën edhe njëherë tjetër në pushtet. Dhe këtë radhë ai e vulosi karrierën e tij si aventurier politik duke shënuar rekorde antidemokratike dhe të korruspionit.
«Gërdeci», «21 janari» dhe afera e klubit « Partizani », zhdukja e Remzi Hoxhës janë vetëm maja e ajsbergut e abuzimeve të tij me pushtetin dhe me lirinë. Ndaj, pikërisht ata që besuan më shumë se cilido tjetër të ai, SHBA-të, e kanë shpallur sot person të padëshirueshëm dhe e akuzojnë atë dhe familjen e tij për korrupsion madhor, minim të demokracisë dhe shantazh mbi gjykatat. Kështu historia e njeriut që iu ngjit nga brenda frymës antikomuniste që shpërtheu nga studentët shqiptarë në vitet ’90, po mbyllet me shqiptimin ndaj tij të fjalës « arrestim ». Në fakt, opinioni kishte kohë që e tregonte me fakte historinë e aventurës korruptive të këtij njeriu që tani duhet të presë vendimin e Kuvendit të Shqipërisë i cili do të duhet të shprehet nëse është ose jo dakord që t’i hapë rrugë SPAK-ut në mënyrë që ky i fundit t’i kërkojë Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit arrestimin e shtetasit Sali Berisha. Por e gjitha kjo do të jetë një ngjarje, por jo lajm.