Analisti Fatos Lubonja ka komentuar zhvillimet e fundit në Parlament dhe tensionet mes opozitës dhe mazhorancës.
Lubonja u shpreh se “zhurma” e krijuar në Kuvend ka ardhur për shkak se partia që është në pushtet nuk po respekton Kushtetutën, duke i hequr sipas tij armët opozitës.
Në emisionin “Open” në News24, Lubonja shtoi se që prej vitit 2013, kryeministri Rama ka një projekt për të kontrolluar gjithçka, ndërsa shtoi se për këtë synim ai ka arritur që fatkeqësisht të marrë edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve.
“Pse po bëhet kjo zhurmë? Po bëhet sepse i janë hequr disa të drejta opozitës, mes tyre komisionet parlamentare. Nëse do kishim një pushtet që respekton kushtetutën nuk do të ndodhte ky aksion opozitar me këto argumente. Kanë të drejtë të kërkojnë komisionet, por ata nuk i lejojnë.
Opozitës i janë hequr armët e saj. Nga 2013 e këtej Rama ka një projekt për të zhdukur këtë situatë dhe për të kontrolluar gjithçka. Për fat të keq për aftësitë e tij e ka marrë dhe mbështetjen ndërkombëtare për këtë qëllim. Ndërroi ligjin zgjedhor në ambasadën amerikane ku bëri marrëveshje. Ndërkohë vetë kishte ardhur me koalicione në pushtet, tani e hoqi sepse ashtu i duhej atij.
Këtu është instaluar ky regjim ku ka humbur debati parlamentar. Këta duhet të rrisin aksionin ose të kthehen te debati. Pastaj duhet parë se sa munden të rrisin aksionin. Edhe në demokracitë më të zhvilluara kanë qëndruar disa figura nga 3 mandate, por edhe më i miri duhet kontrolluar”, tha Lubonja.