Një 22-vjeçar është arrestuar në Lezhë, pasi u kap në flagrancë duke transportuar lëndë narkotike kanabis sativa. Pëllumb Kalaj ra në pranga në kuadër të operacionit “Tempulli”.
Policia bën me dije se në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjadrit”, në automjetin e drejtuar nga Kalaj, u gjet një çantë me kanabis me rreth 2 kilogramë e 760 gramë.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që do të transportonte një sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, kanë organizuar punën në kuadër të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli”, për ndalimin e këtij shtetasi.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Gjadrit”, automjetin e dyshuar, që drejtohej nga shtetasi P. K. Gjatë kontrollit në automjet është gjetur një çantë me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me peshë rreth 2 kilogramë e 760 gramë.
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestua në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi P. K., 22 vjeç, banues në Malësi të Madhe, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, lëndën narkotike që transportonte, do ta ndante në doza, me qëllim shitjen e tyre në afërsi të shkollave dhe në lokalet e natës.
Lënda narkotike dhe automjeti tip “Ford Focus” u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.”-njofton policia.