MENU
klinika

Moderatorja na rrëfen pak nga jeta e saj!

2023-shi, viti që ia solli gëzimet çift Jonida Vokshit

24.01.2024 - 12:59

Jonida Vokshi është një nga figurat më të dashura për publikun, atë të ri sidomos, por jo vetëm. Ajo është aktive në ekran, por edhe në platformat e ndryshme sociale, bashkë me projektet impenjative. Me një buzëqeshje e cila ka përcjellë gjithmonë energji e ngrohtësi Jonida përmbyll dhe vitin 2023, duke u shndërruar në Princeshën e Festave për edicionin festiv të revistës “LIVING”. Për moderatoren simpatike, ky vit ishte këmbëmbarë, sepse i solli shumë dhurata, midis të cilave mund të veçojmë edicionin e dytë të “Big Brother Vip Kosova” dhe ndjesinë më të bukur në botë, atë të mëmësisë për herë të dytë. Dy dysha që kanë ecur paralelisht pothuajse gjatë gjithë 2023-shit, duke e bërë të përballojë sfida të vazhdueshme, që në njëfarë mënyre e kanë forcuar pa i zbehur për asnjë çast buzëqeshjen karakteristike për të cilën dhe ne e kemi veçuar, bashkë me bukurinë e finesën, që i ka të vetat.

Sot ajo nuk është vetëm figura e dashur e ekranit, po si një “nuse prej Kosovet”, gëzon po kaq dashuri e respekt edhe në mediet kosovare. Kilometra të tëra nga Prishtina në Tiranë dhe anasjelltas, tashmë për të duket sikur janë zvogëluar, aq sa nuk i bëjnë më përshtypje. Rutina e ditës është mes angazhimeve me dy fëmijët e vegjël dhe spektaklit të së premtes së “BBVK”, si dhe ndonjë projekti teatral që mezi pret t’i vijë.

Jonida mund të quhet pa ngurrim e bekuar, por asnjë bekim nuk i ka ardhur rastësisht. I është dashur të punojë shumë për çdo gjë që ka sot. Nuk u shmanget sfidave e përgjegjësive dhe nuk lë asgjë pas dore, sepse arrin të ekuilibrojë me elegancë e përkushtim ato çka duhen ekuilibruar vërtet në jetë. Për ta përmbyllur këtë vit, donim shumë të bisedonim me të, të na rrëfente pak nga jeta e saj e të ndihej edhe ajo pak “e vëzhguar”.

1. Çmimi që të evidentoi një nga tiparet më të bukura në 2003-in, si “Miss Buzëqeshja” në “Miss Albania”, të ndjek gjithmonë. A ka qenë ogur i mirë?

Po e nisim vërtet nga fillimi (qesh). Pjesëmarrja në “Miss Albania” ka qenë kontakti im i parë me botën e televizionit dhe për këtë arsye është një kujtim i rëndësishëm për mua, sepse, përveçse një mundësi, ishte edhe një test për të kuptuar dashurinë që kisha kultivuar për këtë industri.

2. E ke nisur karrierën shumë herët. Në 2004-n ke marrë pjesë dhe si këngëtare në “Top Fest 1” me këngën “Fli tani”. Pse hoqe dorë? A mendon t’i rikthehesh ndonjëherë muzikës?

Sa i përket pjesëmarrjes në “Top Fest” dhe këngës, ajo ishte thjesht një përvojë që doja t’i dhuroja vetes. Nuk kam pasur asnjëherë pikësynim të bëhesha këngëtare, pasi nuk jam e tillë. Unë mendoj që të zgjedhësh të vazhdosh një rrugëtim në çdolloj fushe, bëhet, sepse ke aftësinë dhe talentin për të shkuar sa më lart.

3. Sa ka zgjatur përvoja si pedagoge në “Akademinë e arteve” dhe pse nuk ka vijuar?

Përvoja si pedagoge ka qenë shumë e rëndësishme për mua. Një eksperiencë e shkurtër, 3-vjeçare, por që më ka mësuar më shumë se çdo gjë tjetër. Më mësoi se, të jesh pedagoge, do të thotë të lësh pas të gjitha të tjerat dhe t’i kushtohesh vetëm studentëve, sepse është përgjegjësia më e madhe. Unë ndërkohë isha mes shumë projektesh dhe nuk e konsiderova të drejtë të mos isha e përkushtuar si duhej në mësimdhënie. Ama do t’i rikthehesha në një çast të dytë me dëshirën më të madhe dhe besoj tashmë me më shumë përvojë profesionale.

4. Cila ka qenë koha jote “e artë”? Për publikun koha më intensive kur je shfaqur në ekran duket sikur ka qenë koha e imazhit të platformës dixhitale “Digitalb”.

Nuk di të përcaktoj se cila ka qenë koha ime e artë, pasi periudha të ndryshme kanë pasur secila rëndësinë e tyre. Periudha në të cilën isha pjesë e “Digitalb”, si imazh, më pas dhe si moderatore, ka qenë një qasje më intensive imja me publikun. Me punë shumë të bukura e të bëra me shumë dashuri. Nga ana tjetër, ka qenë një shkollë për mua, më ka rritur hap pas hapi dhe është investim i madh për këtë që jam sot.

5. Ndërsa tani duket si një kohë tjetër… Si ka qenë ky vit për ty?

Tani është tërësisht kohë tjetër, me sfida të tjera. Mund të them se është periudha më e bukur për mua. Kjo falë fëmijëve të mi dhe çdo gjëje që po më ndodh në aspektin familjar, por dhe atë profesional. Njëkohësisht, është koha me vështirësitë më të mëdha. Po me sfidat e bukura vijnë edhe përgjegjësi (qesh).

6. A mund të ketë raporte të drejta në menaxhimin e kohës midis mëmësisë dhe karrierës? Si ia del?

Që të jem e sinqertë, jo, nuk ka. Duhet të marrësh nga koha e njëra-tjetrës. Nuk është e lehtë të ndash kohën mes përkushtimit ndaj fëmijëve dhe atij profesional, por nuk është e pamundur t’i menaxhosh, pasi unë jam e mendimit që një nënë e realizuar në karrierë mund ta pasqyrojë lumturinë dhe përmbushjen te fëmijët e saj.

7. Si e ke organizuar jetën sot mes Tiranës dhe Prishtinës? Ku jeton më gjatë?

Aktualisht, gjysmën e javës jam në Prishtinë dhe gjysmën tjetër në Tiranë. Kjo për shkak të angazhimit në “Big Brother VIP Kosova”. Një pjesë të mirë të vitit jetojmë në Tiranë, por gjithçka e kemi të organizuar në bazë të projekteve të mia dhe të Besnikut.

8. Spektakli është sfidë më vete. Arrin ta lësh punën mënjanë apo duhet të “ndash” edhe me Besnikun apo me mikeshat e tua situatat e ndodhura në emision?

Unë diskutoj gjithmonë me Besnikun dhe të afërmit që u besoj fjalët për punën time, pasi më duhet një përshtypje dhe kritikë konstruktive, por, pa dyshim, në rastin e “Big”-ut, duke ruajtur konfidencialitetin që kërkon formati. Një situatë “e lezetshme” është që nuk ka javë kur nuk më pyesin: “Hë, ç’do të ndodhë sonte në spektakël? Na zbulo ndonjë gjë.” Po nga goja ime nuk del asgjë prej gjëje (qesh).

9. Sa mbështetës ka qenë Besniku në projektet e tua?

Besniku nuk është vetëm mbështetësi im kryesor, por më ndihmon edhe me iniciativa të ndryshme, më jep përkrahje të plotë, sikurse ka edhe kritika e këshilla. Në momentin e parë që më propozohet diçka, e ndiej të nevojshme ta ndaj me të, sepse më ndihmon shumë mendimi i tij. Sikurse dhe anasjelltas.

10. Gjatë karrierës televizive, cili ka qenë ai “syri kritik”, si nga familja apo edhe nga shoqëria, që të ka sugjeruar apo të ka vënë në dukje diçka për ta përmirësuar?

Babai im ka qenë përherë “syri vlerësues”, kritikuesi gjatë karrierës sime për sa i përket përmbajtjes, ndërsa mami për sa i përket imazhit. Pas çdo daljeje skenike, që në fillimet e mia, i merrja në telefon për të marrë mendimin e të dyve.

11. Na trego pak si festohen festat në familjet tuaja, në raport me traditat. Çfarë menuje mbizotëron në tavolinë, ajo kosovare apo shqiptare dhe kush gatuan më së shumti?

Festat në familjen time festohen thjesht duke shijuar kohën së bashku, pasi fatkeqësisht, për shkak të ritmit dhe angazhimeve, çastet që na gjejnë të gjithë bashkë janë relativisht të rralla. Pa tradita, pa menu të parapërcaktuar, gatuajmë të gjithë bashkë dhe e shijojmë shumë.

12. A keni një traditë të veçantë feste?

Besoj se e vetmja traditë që mund të ketë mbetur është mbledhja e familjes në shtëpi, gjeli i detit dhe sallata ruse (qesh).

13. Ku është më bukur, në Prishtinë apo në Tiranë?

Unë i dua shumë të dyja. Kur jam në Tiranë më merr malli për Prishtinën dhe anasjelltas. Jam e lumtur që kam mundësinë t’i shijoj të dyja në të gjitha aspektet.

14. Çfarë do të bësh me mbylljen e BBVK 2?

Do t’u kushtoj kohë të plotë fëmijëve të mi. Një udhëtim me ta, pastaj të shohim, pasi kam projekte të tjera që do t’i ndaj me ju pak më vonë (qesh).

15. Sa kohë pushim i kushton vetes zakonisht?

Aktualisht kjo është luks për mua. Kur e ndan ditën mes fëmijëve dhe profesionit nuk është më prioritet koha për veten, por mendoj se përkushtimi profesional është në njëfarë mënyre kohë e kushtuar vetes, sepse lidhet me të bërit të ndihesh mirë dhe e realizuar.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Detajet e kurorëzimit të çiftit

Dasma përrallore e Jonida Vokshit! VIP-at e ftuar


Vajzat e showbizz, të cilat do të bëhen pjesë e shtëpisë së famshme

Emrat e rinj që përfliten si konkurrentë të “Big Brother VIP”!

Prapaskenat/ Skena xhelozie dhe sherre

Arsyet e ndarjes së Ilnisa Agollit e Meriton Mjekiqit!

“Më rrihnin të gjithë”

Mehdi Malkaj rrëfen historinë me babain