MENU
klinika

"Me një kulturë të re politike..."

Basha zbulon ‘formulën’ sesi do t’i fitojë PD zgjedhjet në 2025

31.01.2024 - 20:33

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, duke iu përgjigjur pyetjeve në Instagram, ka folur dhe për ofertën e PD në zgjedhjet e vitit 2025.

Ai tha se do t’i fitojnë me një program të mirë, që po përgatitet nga ekspertët më cilësor të Shqipërisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, me një ekip të përbërë me zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja me reputacion në shoqëri.

“Me një program të mirë, që po përgatitet nga ekspertët më cilësor të Shqipërisë dhe me ndihmë ndërkombëtare, me një ekip të përbërë me zonja dhe zotërinj, të rinj dhe të reja me reputacion në shoqëri që gëzojnë besimin tuaj. Kjo do të jetë oferta jonë, është në dorën tuaj të zgjidhni ofertën më të mirë. Partia Demokratike do të jetë kjo ofertë në zgjedhjet e ardhshme.

Me një kulturë të re politike që do të bashkojë të gjithë energjitë pozitive të shoqërisë, do të bëjë të mundur ndryshimin që duam të gjithë. Sa i takon çështjes së aktivitetit, unë jam në një aktivitet të përditshëm. Por ka një keqkuptim, sikur të qenit në televizion është baraz me aktivitet. Jo! Në fakt kur je gjithë kohën në televizion, nuk ke kohë të angazhohesh me njerëzit. Me njerëzit, për njerëzit, kjo është oferta jonë, ju do të jeni gjyqtarët me votën tuaj në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, tha Basha.

Kreu demokrat foli dhe për Kosovën, ku ripërsëriti apelin për palët politike në Shqipëri që të vendosin interesin kombëtar mbi gjithçka dhe të miratojnë amendamentin në buxhet për ndihmë ushtarake 50 milionë euro për Kosovën.

“Gjëja e parë që do të ndryshojë, nuk do të ketë një qasje si patronazhist por si bashkëpunëtorë i gjithë lidershipit politik të shqiptarëve në Ballkan dhe kudo ata jetojnë. Dera jonë do të jetë e hapur për të gjithë. Por dua t’u them dhe këtë, ndryshimi la filluar që tani. Si kryetar i Partisë Demokratike kam çuar në Parlament amendamentin financiar, ushtarak për Kosovën me vlerë 50 milionë euro. Pra gjithçka do të jetë për interesin kombëtar dhe asgjë nuk do të prevalojë mbi interesat kombëtar. As interesat politike, aq më pak personale”, tha Basha.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN