Skuadrat pretendente në NBA kanë treguar edhe njëherë tjetër dominimin ndaj rivalëve të tyre. Boston konsolidon kreun e renditjes në Lindje, shkëputur ndjeshëm nga rivalët, pas fitores 116-107 në fushën e Houston Rockets.
Për Celtics u dallua Porzingis, autor i 32 pikëve. Miqtë u shkëputën në gjysmën e parë të ndeshjes me 15, duke realizuar 70 pikë në total. Më pas në gjysmën e dytë thjesht menaxhuan avantazhin e krijuar, për ta mbyllur me 9 pikë para vendasve.
Në Perëndim, kampionët në fuqi të Denver fituan 113-104 ndaj Washington Wizards dhe i afrohen gjithnjë e më shumë kreut të renditjes. Ndeshje e kontrolluar nga lojtarët e Nuggets, ku u dallua Nikola Jokic, autor i 42 pikëve dhe 12 rebound.
Rikthehet te fitorja ekipi i Los Angeles Lakers, që mundi bindshëm 134-110 Portland Trail Blazers. Russell me 34 pikë e James me 28 pikë ishin dy më të mirët për ekipin kalifornian. Kjo fitore ngjit Lakers në vendin e nëntë në Perëndim, por ende larg zonës play-off.