Në Londër, në shtëpinë e Chelsea-t, mbetet e hapur tema “Broja”. Trajneri Pochettino këtë periudhë është përpjekur t’i jap “bomberit” kuqezi minuta të rëndësishme, kjo për disa arsye. Broja është një prodhim i klubit, është një lojtar që kërkohet shumë në Angli, ndërsa pjesa tjetër e fazës sulmuese nuk ofron shumë garanci, dëmtimet dhe mungesat i kanë dhënë një avantazh të rëndësishëm sulmuesit kuqezi.
Fakt është që jo gjithnjë Broja, e ka justifikuar besimin e trajnerit, praktikisht si e gjitha ofensiva e bluve, për këtë arsye drejtuesit e klubit vijojnë të monitorojnë tregun për të gjetur një tjetër sulmues. Së fundmi, në Londër, po qarkullon edhe emri i Karim Benzema-s i cili praktikisht e ka mbyllur me Al-Ittihad.
E sigurt është se nëse Benzema transferohet në Londër, Broja do të zbres akoma më shumë në hierarki duke e bërë largimin e tij thuajse të pashmangshëm. Në formë huazimi apo me titull definitiv, Broja do të largohej pasi edhe vetë lojtari kërkon më shumë minuta në një vit të rëndësishëm me Evropianin në prag. Lajmi i mirë është se për Brojën ka shumë admirues në Premier League.
Jo vetëm West Ham dhe Fulham, së fundmi interesim për sulmuesit shqiptar ka paraqitur edhe Wolves. Drejtuesit e “Ujqërve” shohin te Broja profilin ideal për të përforcuar fazën sulmuese gjatë merkatos së janarit, shkruajnë mediat angleze.