“Mua ma ka dhënë vendin populli, ata kanë zënë karriget, t’i mbajnë karriget”.
Kështu deklaroi anëtari i komisionit të Reformës Zgjedhore, Blendi Klosi duke u larguar nga salla ku ishte planifikuar që të zhvillohej mbledhja e parë pas dy viteve.
Dy bashkëkryetarët Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj kishin vendosur që mbledhja të niste në orën 11:00, por deputetët e grupit të Sali Berishës bllokuan hyrjen në sallë.
Grupi parlamentar i PD është i vendosur për të mos njohur komisionin aktual të reformës zgjedhor. Më herët, ata kanë kërkuar ndryshimin e përbërjes së komisionit, duke vendosur në krye Oerd Bylykbashin.
Kjo kërkesë është rrëzuar në parlament nga mazhoranca, e cila ka vendosur që për reformën zgjedhore të bashkëpunojë me grupin e Lulzim Bashës.