MENU
klinika

Situata alarmante nga rënia e euros

Fasonët paralajmërojnë protestë kombëtare

12.01.2024 - 14:32

Fasonët ndodhen në një situatë shumë alarmante nga rënia e euros, pasojë e së cilës rrezikohen 75 mijë vende pune në vendin tonë. Prej disa muajsh shoqata Pro-Eksport Albania, përfaqësuese e kompanive fason të tekstileve dhe këpucëve, ripërsërit kërkesën për marrjen e masave nga institucionet shqiptare, pasi sektori po kalon një situatë shumë alarmante. Por deri më tani kërkesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët. Të ndodhur përpara kësaj situate sektori fason paralajmëron një protestë Kombëtare, për ruajtjen e 75 mijë vendeve të punës, në rast se shteti nuk do ta mbështesë përkohësisht për të dalë nga kriza me pasoja sociale për ekonominë. Biznesmenë të këtij sektori dhe përfaqësues të punëtorëve janë mbledhur në Krujë për të diskutuar mbi situatën dhe hapat që do të ndërmarrin në bashkëpunim me sindikatat e punonjësve.“Protesta kombëtare është kërkuar nga vetë punonjësit pasi po humbasin vendet e punës. Po flasim për sektorin manifakturë të veshjeve e këpucëve që ka mbi 75 mijë të punësuar e që ndodhet në krizën më të keqe. Bizneset kanë mungesë likujditeti dhe pamundësi për të paguar detyrimet që rrjedhin nga aktiviteti i tyre. Kursi i këmbimit e rritja e kostove, si dhe më së shumti indiferenca nga ana e qeverisë për t’u ulur në tryezë për të parë nga afër se si mund të amortizohet kjo humbje e bizneseve. Më kryesorja është impakti social. Në Krujë ku nuk ka aktivitete të tjera ekonomike ku do të shkojnë këta punonjës nëse dalin nga sistemi i punës”, deklaroi sipërmarrësi, Edvin Prençe.

Kriza
Ndërkohë zoti Prençe theksoi se pasojat e krizës janë ndjerë në këtë fillim viti me mbylljen e vendeve të punës në disa subjekte dhe mosmarrje pagash në kohë për disa të tjera. “Flasim për një pandemi, vetëm në 48 orët e fundit 1100 vende pune të humbura, kryesisht gra, nëna. Nëse bllokohet ky sektor do kenë problematika që nga banka, transporti, lëndët e para, etj”, u shpreh ai dje për mediat. Nga ana tjetër, fasonët tregojnë se po përballen me problematika të shumta, ndërsa kërkojnë mbështetjen e qeverisë si një domosdoshmëri. “Kam marrë kredi për këtë investim që është bashkëkohor dhe i përshtatet kërkesës së klientit. Ne kërkojmë që shteti të na bëjë bilancin e vitit të kaluar dhe të na shohë të ardhurat e sa mund t’i japim punëtorëve. A mundet ta përballojmë a jo? Po shkojmë drejt mbylljes. Nuk mund ta shtyjmë, veç 3-5 muaj”, tha sipërmarrësi Muharrem Hoçja. Po ashtu, në të njëjtën linjë ishte edhe një biznesmen tjetër. “Është radha e shtetit që si një ortak i mirë që është të na ndihmojë tani që kemi nevojë. Biznesi ka nevojë tani. Përndryshe hajde t’i mbyllim e t’i dërgojmë të gjithë punëtorët në shtëpi. Çmimet që ne i japim porositësve me kostot e larta që përballojmë nuk i pranojnë”, tha një tjetër sipërmarrës. Sakaq, sa i takon krizës foli edhe një sipërmarrës tjetër. “Këtë problemin tonë para një viti e pati ekonomia kineze dhe shteti atje subvencionoi pagat e punonjësve pasi kjo do të jepte efekt zinxhir. Jemi detyruar me o ta mbyllim, o të largohemi diku tjetër”, u shpreh një tjetër.

Kërkesat
Ndërkaq sektori i industrisë fasone zbuloi edhe kërkesat për institucionet shqiptare, sikundër janë kërkon lehtësira fiskale dhe subvencionim përmes zbatimit të një plani kundër papunësisë dhe varfërisë. Po ashtu, përfaqësuesit e sektorit fason kërkojnë vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e situatës si dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen, me zbatimin e paketës Manifakturë të propozuar nga PEA e cila do të mundësonte orientimin dhe kalimin e sektorit në prodhues konkret Made in Albania. Për të pestin muaj radhazi eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar tendencën tkurrëse. Në tetor sipas të dhënave eksportet e këtij grupi ranë 11,4% që është rënia më e lartë që nga periudha e pandemisë, kur fabrikat mbyllën punën për shkak të problemeve të krijuara në ekonominë globale nga kufizimet e pandemisë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“9 mln euro minus për çdo muaj”

Eksportuesit në krizë, rënia e euros dëmton bizneset

nga më të goditurit e krizës së pandemisë

Fasoni kërkon mbështetje për inovacion dhe ciklin e mbyllur

Sipërmarrësit ngrejnë alarmin, i bëjnë thirrje qeverinë

Rënia e euros fut në krizë fasoneritë