MENU
klinika

Çfarë deklaroi në sallën e gjyqit?

Fjalët e fundit të Bedrie Lokës sipas bashkëshortit

08.01.2024 - 15:22

Xhemal Loka ka dalë këtë të hënë para gjykatës së Durrësit për t’u njohur me masën e sigurisë. Ai u arrestua pas vetëvrasjes së bashkëshortes së tij 41-vjeçare Bedrie Loka, ditët e para të vitit. Prokuroria e akuzon 45-vjeçarin për shkaktim të vetëvrasjes, por edhe armëmbajtje pa leje. Ai i mohon akuzat dhe pretendon se bashkëshortja u vetëvra për shkak të bullizmit në TikTok. Gazetarja Enkelejda Arapi, e cila ndoqi nga afër seancën gjyqësore, sjell edhe atë çfarë deklaruan palët në sallë të gjyqit.

Kështu, sipas gazetares, prokurori i çështjes tha se Pandeli Bushi, i vëllai viktimës, ka deklaruar se motra e tij është dhunuar dhe ka pirë helm për shkak të marrëdhënies së keqe. Ashtu sikurse edhe vëllezërit e tjerë, të cilët po ashtu kanë deklaruar se çifti nuk ka pasur marrëdhënie normale dhe gruaja dhunohej fizikisht dhe psikologjikisht. Po ashtu sipas prokurorit, njëri nga fëmijët ka deklaruar se prindërit kishin pasur gjithmonë debate. “Babi i ka thënë që do të të bëj të vrasësh veten”, mësohet të jetë shprehur njëri prej tyre para hetuesve. Vajza e çiftit ka deklaruar se që prej një viti nuk i kanë pasur marrëdhëniet mirë dhe shpeshherë thoshte që do t’i japë fund jetës pasi ndjehej e lodhur nga gjithçka. “Babi pengonte mamin të shkonte tek të afërmit e saj, duke ofenduar”, ka rrëfyer vajza. Edhe dy të miturit kanë dëshmuar për dhunë. Ndaj prokurori arsyetoi në sallë të gjyqit se kjo ngjarje është shkaktuar nga sjellja e bashkëshortit. Ai po ashtu është shprehur se në celularin e Xhemalit janë gjetur video e audio kërcënuese.

Nga ana tjetër, avokati i 45-vjeçarit ka deklaruar se nuk janë dakord për arrest me burg, pasi e vetmja provë sipas tij janë deklarimet e të afërmve dhe familjarëve të viktimës.

“Xhemal Loka jetonte 90 përqind të kohës jashtë shteti. Vetë Bedrija ka udhëtuar drejt Greqisë për të qenë më afër familjes. Debatet familjare kanë qenë edhe për shkak te shtresës sociale. Po të kishte dhunë do të ishte bërë një kallëzim, por asnjë rast i tillë nuk është depozituar. Ndaj i kërkojmë gjykatës një masë lehtësuese siç është ajo e “detyrim paraqitje”. E ndjera kur është përmendur në spital, ka kërkuar falje vajzës së madhe dhe bashkëshortit për veprimet e saja. Gjendja emocionale e saj ka ardhur vetëm pas hapjes së adresës në TikTok”, mësohet të jetë shprehur avokati mbrojtës.

Vetë Xhemal Loka pretendoi në sallë të gjyqit se kërcënime në telefon ka marrë edhe ai. ‘Debate kemi pasur, por kurrë nuk e kam dhunuar’, u shpreh 45-vjeçari i cili po ashtu ka rrëfyer edhe për atë çfarë kishte ndodhur një natë përpara ngjarjes së rëndë.

“Jam dakord me avokatin, por jo me prokurorin. Mahmuti ka njohuri për situatën me nusen time. Kam marrë kërcënime dhe mesazhe në telefon. I kam thënë nuses mos u mërzit për foton, sepse dhe mua mund të ma nxjerrin një të tillë. Kur i nxorrën foton e dytë nuses i thanë që s’kemi mbaruar punë akoma. Edhe mua më kanë marrë në telefon persona që s’i njoh duke ofenduar nusen. Debate kemi bërë, por kurrë s’e kam dhunuar nusen. Kur u përmend në spital i thashë pse e bërë këtë veprim, tha kam qenë shumë e mërzitur. Një natë më parë diskutova me nusen që do të iki në Greqi. Do bëj një prokurë për fëmijët që t’i marrësh. Kudo që do të dalësh në pazar apo diku tjetër, shoqërohu me një fëmijë jo vetëm, përsa kohë ende fotot e tua janë në TikTok, që askush të mos flasë. Pas kësaj ajo u nxeh dhe në mëngjes ndodhi ajo që ndodhi”, mësohet të jetë shprehur Xhemal Loka.

Në përfundim të seancës, gjykata pranoi kërkesën e prokurorit, duke caktuar arrest me burg për 45-vjeçarin.

Regjistrimi i rreth 13.000 m2 tokë pa asnjë dokument ligjor në Lalëz

Lihet në qeli ish-kreu i Kadastrës

Dyshohet se ra nga lartësia e një pallati

Tragjike! Humb jetën 10-vjeçari

Zonat ku pritet të ketë edhe dëborë

Nisin reshjet e shiut në të gjithë vendin