MENU
klinika

Artur Ajazi

I “burgosuri politik”…

30.01.2024 - 20:43

Termi “i burgosur politik”, në Shqipëri ka hyrë pas arrestimit të Fatos Nanos. As që mendohej më parë që, kur abuzon, kur vjedh, kur mashtron, kur pasurohesh në miliona euro, kur shkel ligjet, dhe arrestohesh, mund të quhesh “i burgosur politik”. Kjo ka ardhur si pasojë e keqkuptimit të sistemit demokratik. Ka ardhur si pasojë e abuzimit ditën me diell, të veprimtarive antiligjore, kriminale, dhe abuzive të atyre që janë kryetarë partish, politikanë, etj.

Sikur kjo të ndodhte me ndonjë qytetar të thjeshtë, askush nuk do të kujtohej. Buja më e madhe, jep dhe “britmën” më të madhe. Kësaj i bie që, kur vjedh kryetari i partisë, politikani apo ish-kryeministri, nuk duhet të arrestohet, nuk duhet të hetohet dhe dënohet.

Ndarja në “autoritete dhe masë”, është e gabuar, aq sa e paligjshme në sistemet demokratike. Shqipëria ka hyrë në një fazë shumë interesante dhe domethënëse përsa i përket integrimit dhe afrimit dinjitoz në strukturat europiane. Nuk ka kuptim dhe nuk mund të tolerohen më, insinuata të tilla ndaj atyre që vjedhin, abuzojnë, pasurohen, shkelin ligjin dhe sjellin humbje jete në komunitet, dhe kur hetohen dhe arrestohen, ti quajmë “të burgosur politikë”. Po pse?

Në Kushtetutën e Shqipërisë (dhe kushtetutat e tjera të botës veç asaj të Rusisë apo Korese Veriut) gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, si politikani i lartë ashtu edhe punetori dhe fshatari. Në diktaturë, ishte dhe është ndryshe. Ndaj, është paradoksale, që edhe pas 33 vitesh, në Shqiperi të ekzistojë mendësia komuniste, aq më keq akoma, provincialiste.

Nuk mund të quhesh “as i burgosur politik, dhe as i dënuar politik”, kur të vërtetohet nga drejtesia që ke abuzuar, ke vjedhur, ke shkelur ligjet, je pasuruar me para taksapaguesish, etj. Vepra penale nuk mund të sfumohet, edhe pse ti ke postin, mandatin, dhe petkun e politikanit. Mjafton të dëgjosh fjalimet e rrugicës së Berishës, për tu bindur sa mbrapa ka mbetur partie e Idealeve të Dhjetorit’90.

Mjafton të dëgjosh përmallimet dhe përgjërimet e ligjëruesve që e quajnë ish-liderin “të burgosur politik”, për tu bindur sa mbrapa në kohë jetojnë brënda asaj partie. kjo bëhet më absurde, tek i dëgjon se si rreken të joshin njerëzit me citate të tilla “ne jemi e ardhmja, ne do të fitojmë”, apo dhe kur lëshojnë kushtrimin “ngrihuni të përmbysim Edi Ramën dhe fitojmë ne pushtetin”. Kjo pra, është e vjetra, e rreckosura, e pafuqishmja, që kërkon të vijë në pushtet, jo me votë, por me revolucion.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN