MENU
klinika

Historia e okulisti

Jeta e një doktori midis Tiranës dhe Stambollit!

02.01.2024 - 22:39

Kastriot Boriçi është mjeku më i mirë për sytë në Tiranë. Zoti Boriçi është themeluesi i Klinikës Evropiane të Syrit në kryeqytet. Okulisti kirurg erdhi sot në Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV për të folur për punën dhe jetën e tij mes Tiranës dhe Stambollit. Ai tregoi për gazetaren Xhunga se si u largua nga Tirana në 1993-shin, si arriti të diplomohet në universitetin më të mirë në Stamboll, ku gjeti edhe dashurinë e jetës, e cila po ashtu është mjeke në Stamboll.

“Unë në Shqipëri kam ardhur në vitin 2005-2006. Ika njëherë nga Shqipëria në vitin 1993. Nuk i kisha mbaruar studimet ende, se isha në vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë. Mora një bursë për të studiuar në shtetin turk. Në atë kohë kishte bursa të ndryshme që jepeshin për studentët e ekselencës. Gjimnazin e mbarova me medalje ari dhe kisha pikë të plotë në universitet. Unë jam i nderuar që dy vite i kam studiuar në Universitetin Nënë Tereza sepse kam marrë njohuri shumë të vlefshme. Por kur fitova bursën shkova në Republikën e Turqisë. Unë ika me autobus nga Tirana në Turqi për 36 orë. Nuk kishte linjë avioni asokohe.

Udhëtimi ishte i gjatë, doganat shumë të lodhshme, askush nuk tregonte respekt në asnjë lloj mënyre ndaj shqiptarëve që kalonin kufirin. Policia maqedonase dhe ajo bullgare na ndalonin pa arsye. Ishim të gjithë vajza e djem, studentë nga Shqipëria, që udhëtuam për 36 orë me autobus. Turqia nuk ka qenë kjo që është sot. Vetëm një gjë nuk ka ndryshuar, mikpritja e turqve. Kishin shumë simpati për shqiptarët. Unë kam jetuar edhe në Greqi më përpara, por në Turqi ishte ndryshe. Ata na shohin si vëllezër dhe ndonjëherë na respektojnë më shumë se veten. Unë kam qëndruar 7 muaj për të mësuar gjuhën turke në Anadoll. Por studimet i kreva në Stamboll. Dhashë disa provime atje dhe arrita t’i nis studimet që nga viti i tretë i mjekësisë. Unë ndihem me fat që arrita të studioja në universitetin që dëshiroja.

Pasi mbarova universitetin, vazhdova specializimin, në një Universitetin e Stambollit. Më vonë u shpërngula në Stamboll dhe sot familjen e kam në Stamboll. Unë e kam edhe nënshtetësinë turke, që e kam marrë pas martesës me bashkëshorten turke. Zonjën time e kam njohur në Stamboll, kur isha me studime. Edhe ajo është mjeke okuliste në Stamboll. Kam edhe dy fëmijë dhe ata jetojnë në Stamboll. Pra familjen e kam në Stamboll, ndërsa në Tiranë kam punën.”, shprehet mjeku.

Zoti Boriçi vendosi të kthehet në Tiranë në 2006-ën, vetëm për të punuar, në çastin kur pa se shumë shqiptarë po shkonin për t’u vizituar në Turqi sepse Shqipëria nuk kishte ato shërbime mjekësore që ka sot. Mjeku okulist kirurg e dinte që pacientët e tij ishin në Shqipëri, ndaj edhe hapi klinikën private në Tiranë në 2009-ën. Nëse dikur vinte një herë në javë në Shqipëri, sot shkon 3-5 ditë në muaj në Turqi pranë familjes së tij, pasi puna është zhvilluar shumë thotë doktor Boriçi, ndërsa tregon se punën e nis në orën 7 të mëngjesit dhe ka raste që e zë ora 24 në klinike, duke kryer operacione për pacientë që vijnë nga vende të ndryshme të botës. Për faktin që është i palodhur dhe e do punën, edhe pacientët japin vlerësime maksimale për doktorin më të mirë të syve.

“Unë kam punuar në klinika private në Stamboll. Ndërsa që nga 2006-ta kam filluar këtë historinë time, pra të mendoj për të krijuar diçka në Shqipëri. Në kohën kur isha në Stamboll, edhe atje ka qenë në lulëzim mjekësia. Kolegët me të cilët kam qenë në klasë, sot janë në pozicione shumë të mira, në spitalet më të mira në Stamboll. Edhe unë mund ta kisha një mundësi shumë të mirë, se nuk ishte ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Por unë vendosa të kthehem të punoj në Shqipëri. Në atë kohë shumica e pacientëve në Shqipëri vinin e kuroheshin në Stamboll. Shqipëria nuk ka pasur shërbime mjekësore siç ka sot. Unë pashë që pacientët e mi ishin në Shqipëri. Po ashtu në atë kohë kjo degë e mjekësisë që studiova unë nuk ishte e zhvilluar në Shqipëri. Ndaj mendova dhe kisha dëshirë që të kthehem të punoj në vendin tim. Në fillim vija një herë në javë. Kurse tani shkoj një herë në dy ose tre javë. Dhe rri tre ose 5 ditë në muaj. Fëmijët janë rritur dhe këtu puna është zhvilluar shumë. Fëmijët janë në shkollë, janë rehat atje. Edhe zonja ime ka klinikën e vet mjekësore në Stamboll. Ajo ka bërë zgjedhjen e saj, unë timen. Por jemi të lumtur.”, tregoi mjeku okulist kirurg.