MENU
klinika

Përzgjedhin analistët

Ministrat më të mirë dhe më të dështuar të qeverisë “Rama 2024”

12.01.2024 - 10:39

“Do zgjidhja dikë mes Belindës dhe Taulantit”, ministrat e suksesshëm të qeverisë Rama sipas Markut

Në gjykimin e tij për ministrat e suksesshëm dhe më pak të tillë në qeverinë Rama, pedagogu Mark Marku u gjend i dyzuar. Ai u shpreh në “Opinion” në Tv Klan se Belinda Balluku dhe Taulant Balla janë aktivë, ndërsa Ogerta Manastirliu dhe Anila Denaj kanë menaxhuar mirë krizat.

Mark Marku: Unë mendoj që më aktiv si ministër Belinda, megjithëse unë mendoj që kemi shumë probleme me infrastrukturën pavarësisht se janë bërë investime porproblemi është që investimet e para janë zgjatur në kohë, janë vonuar, e dyta kostot…

Si ministër politik do zgjidhja dikë midis Belindës dhe Taulantit sepse mendoj që Taulanti në këtë 3-mujor ka qenë aktiv me thënë të drejtën dhe nuk e di sepse rezultatet do shihen në fund. Ka ndryshuar diçka te rendi krahasuar me ministrat e mëparshëm. Më ka pëlqyer Ogerta për administrimin e krizës së Covidit, pandemisë, edhe në aspektin menaxherial, unë nuk jam ekspert, edhe në paraqitje publike, ministri shihet edhe në një situatë krize, ka ditur të komunikojë me publikun në një moment shumë të vështirë për shqiptarët dhe për të gjithë botën dhe unë e kam parë me simpati si përfaqësim publik ministror. Jam midis-midis, do bashkoja gjysmën e Belindës me gjysmën e Taulantit, gjysmën e Ogertës me gjysmën e Anilës si profile që deri diku kanë treguar. Në rastin e financave, në kohën e Anilës kanë treguar një lloj stabiliteti në kohë krize. Për të rinjtë nuk mund të gjykojmë.

Për ministrat që konsideron dështim, Marku tha emrin e Bora Muzhaqit por ra dakord me parafolësit për mungesën e strukturës dhe buxhetit, edhe pse mendon se ministrja duhet të tregonte diçka në daljet publike.

Shkullaku: Ata që punojnë më pak, nuk kanë mundësi të bëjnë keq

Ministrat e Qeverisë Rama, gazetari Armand Shkullaku i konsideron zëvendësministra. I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku shprehet se ata që punojnë pak janë më të mirët sepse nuk kanë mundësi të bëjnë keq dhe nuk dalin me dosje hetimore.

Blendi Fevziu: Kush janë dështimet sipas teje?

Armand Shkullaku: Me mua lodhesh kot se unë nuk i konsideroj ministra, këta janë të gjithë zëvendësministra.

Blendi Fevziu: Kush të duken më të mirë si zëvendësministra?

Armand Shkullaku: Ata që bëjnë më pak dëm. Peleshi, Muzhaqi, që nuk punojnë. Këta po punuan, bëjnë më shumë dëme. Sa më pak të punojnë, aq më mirë është për qytetarët shqiptarë. Këta që punonin shumë, njerëzit e punës, këta dolën të gjithë me dosje. Ata që punojnë më pak, mendoj se janë më të mirët sepse nuk kanë mundësi të bëjnë keq. A e ke parë, të gjithë akuzat për kë janë bërë? Nuk ka bërë njeri për Ministrinë e Rinisë dhe as për atë të Marrëdhënieve me Parlamentin,

Blendi Fevziu: Po kush të duket më interesant? Si portret?

Armand Shkullaku: Taulanti është edhe fotozhenik.

Blendi Fevziu: Po që të duket beterr fare?

Armand Shkullaku: Ky Igli nuk është king.

Blendi Fevziu: Kë do të ndërroje?

Armand Shkullaku: Të gjithë papërjashtim, problemi i tyre është që për secilin prej këta mund të thuash se ka dukje të mirë si fillim dhe më pas këta ekspertët firmosin dhe ju del ndonjë dosje. Në kënetën që ata janë, do njollosen, nuk kanë çfarë bëjnë. Për një pjesë të madhe ka akuza, për Taulantin ka, për Ballukun ka, për Ogertën ka, Elisën ka kur ka qenë në doganë, Gonxhe kur ka qenë atëherë.

Julian Zylaj: Kumbaro duhet të ishte në krye të ministrave më të suksesshëm

Analisti Julian Zylaj ka renditur sipas tij ministrat më të suksesshëm dhe më pak të suksesshëm në Qeverinë Rama.

I ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Zylaj vlerësoi ministrat Balla dhe Kumbaro si të suksesshëm.

“Besoj që ka disa ministra që punojnë më tepër se sa ne dimë se punojmë. Do doja që z.Peleshi të ishte më aktiv politikisht.

Me të njëjtin argument do doja që dhe znj.Dhuka të mbante opinionin publik më të informuar, do doja që ajo të ishte më informuese.

Sa i përket sukseseve, ka një konsensus në këtë studio për z.Balla dhe unë e shënoj edhe emrin tim në këtë listë.

Spiropali ka një peshë politike të konsiderueshme. Arrin të jetë edhe në marrëdhënie me parlamentin por edhe politikë.

Përtej vlerësimeve personale, mendoj se znj.Kumbaro duhet të ishte në krye të ministrave më të suksesshëm me rezultatet që pati turizmi në Shqipëri”, u shpreh analisti Julian Zylaj.

“Ulsi Manja dështim i Qeverisë Rama”, ja kush janë 3 ministrat më zhgënjyes sipas Baton Haxhiut

Dështimi i parë në Qeverinë Rama, sipas Baton Haxhiut, ka qenë Ulsi Manja, për faktin se nuk dha dorëheqjen pas vrasjes së ndodhur në burgun e Peqinit.

I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Haxhiu ka thënë se 3 ministrat që kanë qenë dështim sipas tij janë Ulsi Manja, Bora Muzhaqi dhe Mirela Kumbaro, ndërsa më të suksesshmit i nis nga Belinda Balluku, Igli Hasani dhe Anila Denaj.

Blendi Fevziu: Kush ka qenë dështim në qeveri sipas teje?

Baton Haxhiu: I pari për mua është Ulsi Manja për faktin që i ndodhi gjithë ajo gjë në burgun e Peqinit, vrasja spektakolare dhe nuk pati kurajo për të dhënë dorëheqjen. Sado i mirë të jesh si ministër, kur ndodhin gjëra të tilla, ti moralisht nuk mund ta ushtrosh një profesion të tillë për faktin se vrasja është akti më i rëndë që mund t’i ndodhë njeriut. E dyta, Bora Muzhaqi, kishim pritshmëri të mëdha. Vjen nga një universitet i njohur dhe vjen nga një dikaster që ka qenë i jashtëzakonshëm për performancë. Jam habitur që në të gjitha daljet publike ka bërë gafa. E treta, Mirela Kumbaro dështim dhe i emërimit dhe i punës së saj.

Por cilët janë 3 ministrat më të suksesshëm sipas Baton Haxhiut?

Baton Haxhiu: 3 më suksesshmit kam problem… Belinda Balluku dhe Igli Hasani lidhen fort me kryeministrin Rama dhe të gjithë peshën politike e kanë të lidhur me Ramën… E treta për mua më e sukssesshme është Anila Denaj. Po flas dhe më para se të bëhej ministre finance. Ka jo vetëm një profil korrekt, por shkon dhe përtej ministrave të tjerë.

Ornela Çuçi: Balla, ministri më i suksesshëm deri tani. Ministrat e Shtetit janë zhgënjim përveç Spiropalit

Pedagogia Ornela Çuçi ka renditur ministrin e Brendshëm Taulant Balla si më të mirin deri më tani në kabinetin qeveritar.

E ftuar në emisionin Opinion në Tv Klan, Çuçi renditi në vend të dytë ministren Belinda Balluku dhe të tretën Elisa Spiropali.

“Do nis nga më të mirët me Ballën, sepse i ka fort këmbët në politikë. Ministrat e Brendshëm kanë pasur një karakteristikë, sapo kanë ardhur kanë qenë të suksesshëm. Por në fakt i gjithë suksesi i ministrave ka qenë penallti në derën e atyre që kanë ikur. Balluku e suksesshme sepse ka ndërlidhur në mënyrën shumë të mirë menaxhimin e fortë të një superministrie, ka qenë dhe shumë e fortë politikisht në zonat ku është caktuar. Do zgjedh Elisën sepse është e vetmja ministre me retorikë të fortë politike pa ministri”.

Përveç Spiropalit si ministre shteti pa portofol, të gjithë ministrat e tjerë të shtetit Ornela Çuçi i konsideron zhgënjim.

“Ndaj ministrat e Shtetit do t’i katregorizoja zhgënjim, ministrat e Shtetit nuk kanë asgjë. Përveç Spiropalit që ka bërë ndërlidhje shumë të mirë”.