MENU
klinika

Nga Adrian Civici

Shpërthimi i tregut të kriptomonedhave. Çfarë po ndodh?

10.01.2024 - 12:32

ë këto ditë të para të janarit 2024, Bitcoin, kriptomonedha më e rëndësishme dhe më e përhapur, u këmbye në pragun e 44,000 dollarëve me tendencë në rritje ditë pas dite, i pari në këtë nivel që nga 1 Prilli 2022! Një lëvizje që konfirmon një prirje themelore: në harkun e 18 muajve, vlera e Bitcoin është rritur me rreth 145% dhe bashkë me të, po rimëkëmbet i gjithë tregu i kriptomonedhave. Por si mund ta shpjegojmë këtë besim të ripërtërirë në këtë klasë specifike aktivesh financiare? Cfarë po ndodh me tregun e kriptomonedhave? Kjo është një tendencë afat-gjatë apo një flluckë e momentit?

Një kriptomonedhë, e njohur edhe si kriptoaset, kriptodevizë, monedhë kriptografike apo edhe cybermonedhë, është një monedhë elektronike dixhitale e emetuar pair a pair, pa nevojën e një banke tregëtare ose banke qendrore, e përdorshme me anë të një rrjeti kompjuterik të decentralizuar. Duke u shfaqur në vitin 2009 me blockchain, kriptomonedhat përdorin teknologji të kriptografisë dhe mundësojnë procese të emetimit dhe zgjidhjes së transaksioneve që nuk kërkojnë më një ndërmjetës njerëzor, varen nga një sistem blockchain që konsumon shumë burime kompjuterike dhe energji, dhe janë me një volabilitet të lartë.

Kriptomonedhat më të njohura janë Bitcoin (BTC) dhe Ethereum (ETH). Që nga 26 Prilli 2023, Sipas CoinMarketCap, aktualisht ka rreth 24,000 kriptomonedha në qarkullim. Numri më i madh i njerëzvi që zotërojnë kriptomonedha apo janë të përfshirë në këtë sistem ndodhen në Azi, Amerikën e Jugut, SHBA, Kanada, Turqi, Salvador dhe Afrikë.

Në fund të muajit dhjetor 2023, kriptovalutat kryesore njohën rritje të vlerës së tyre dhe kapitalizimit të tregut, në disa raste ndjeshëm. Bitcoin (BTC) tejkaloi 44,000 dollarë për herë të parë që nga prilli i vitit 2022, Ethereum (ETH), kriptomonedha e dytë më e rëndësishme u rrit mbi 2,200 dollarë. Jemi ende larg niveleve të larta prej 4 mijë dollarësh të arritur në nëntor 2021, por krahasuar me korrikun 2022 (kur ishte rreth 1000 usd) është ende një rritje prej rreth 120%. Disa kriptovaluta të tjera shënuan performanca të shkëlqyera, duke i kthyer vlerat e përgjithshme të tregut në 1,400 miliardë dollarë krahasuar me 800 miliardë dhjetorin e vitit 2022.

Tabela e mëposhtme tregon çmimet e kriptomonedhave më të tregtuara dhe më të vlefshme si dhe vlerën e kapitalizimit të tyre në treg (dhjetor 2023) : nga Bitcoin që mbetet kriptomonedha më e shtrenjtë në botë, me një çmim prej rreth 44,082 dollarë, deri te altcoin-et e njohura si Ethereum dhe monedhat e qëndrueshme si Tether, etj.

1 Bitcoin (BTC) 44082.8$ 834 miliard usd

2 Ethereum (ETH) 2232.02$ 273 miliard usd

3 Tether (USDT) 1.00058$ 90,7 miliard usd

4 BNB (BNB) 306.001$ 38 miliard usd

5 XRP (XRP) 0.568261$ 33,7 miliard usd

6 Solana (SOL) 94.1957$ 31,4 miliard usd

7 USD Coin (USDC) 1.00004$ 24,3 miliard usd

8 Cardano (ADA) 0.515336$ 22,7 miliard usd

9 Avalanche (AVAX) 34.7294$ 14,2 miliard usd

10 Dogecoin (DOGE) 0.079755$ 13,8 miliard usd

Matjet e ekosistemit për grupin më të gjerë të monedhave dhe token kripto tregojnë një mjedis rritjeje. Ethereum, blockchain më i madh, gjeneroi 16.8 miliardë dollarë tarifa, me mbi 60.0% të kësaj shume të konvertuar në të ardhura. Kjo do të thotë se rrjeti Ethereum ka tejkaluar të ardhurat prej 10 miliardë dollarësh në vetëm shtatë vjet, duke e vënë protokollin në rrugën e duhur për të përputhur me liderët e teknologjisë si Google (Alphabet) dhe Facebook (Meta) në arritjen e këtij momenti historik të të ardhurave të tilla në një periudhë të shpejtë.

Një studim nga Banka Botërore dhe Global Macro Investor tregon se adoptimi i kriptomonedhave po tejkalon adoptimin e internetit. Pas shtatë vitesh zhvillimi (duke filluar nga viti 1992), interneti globalisht kishte arritur në 187 milionë përdorues (+76% rritje vjetore), ndërsa adoptimi i kriptomonedhave (filloi me lançimin e Ethereum në 2015) kishte arritur në 425 milionë përdorues (+137 % rritje vjetore).

Numri i adresave aktive mujore në hapësirën e kriptomonedhave ka arritur në 15 milionë, duke u dyfishuar gjatë dy viteve të fundit falë një shumëllojshmërie në rritje të aplikacioneve dhe shërbimeve që ofrojnë mënyra të reja për të angazhuar përdoruesit. Mbi 700 aplikacione të reja u krijuan vetëm në vitin 2022. Gati 30,000 zhvillues kontribuan ose punuan në projekte të lidhura me kriptomonedhat në vitin 2023, me një rritje +60% gjatë 3 viteve të fundit.

Crypto ETF-të gati të mbërrijnë në tregun amerikan

Menaxhuesja më e madhe e aseteve në botë, shumëkombshmja amerikane Blackrock, e specializuar në menaxhimin e aktiveve financiare, ngjalli entuziazëm të jashtëzakonshëm me njoftimin e saj më 15 qershor 2023 “se po përgatiste një Bitcoin ETF, nën titullin iShares Bitcoin Trust”, e thënë ndryshe “po përgatiste një fond të tregtueshëm në bitcoin (ETF), që lëshon letra me vlerë të tregtuara publikisht që ofrojnë ekspozim ndaj lëvizjeve të çmimeve të kontratave të së ardhmes së bitcoin” të paraqitura në SEC (Securities and Exchange Commission – autoriteti rregullator financiar amerikan). Në vazhdën e Blackrock, rreth dhjetë kompani të tjera kanë ndjekur shembullin: 21Shares & Ark, Fidelity, Bitwise, VanEck, WisdomTree, Invesco & Galaxy, Global X, Hashdeck, Franklin dhe Grayscale.

Këto mjete investimi janë të njohura për publikun e gjerë sepse lejojnë ekspozimin ndaj vlerave të tregut të aksioneve në një mënyrë të larmishme, me përpjekje të kufizuara kërkimore dhe shpesh edhe me tarifa të reduktuara të menaxhimit në krahasim me fondet tradicionale. Për më tepër, duke qenë se janë produkte financiare, ato në varësi të profilit të tyre dhe të investitorit, mund të paraqesin disa avantazhe fiskale.

Në Shtetet e Bashkuara, tregu ETF vlen 7 trilion dollarë, sipas Blackrock. Prandaj, mund të supozohet se autorizimi i mekanizmave të tilla do të sillte shumë likuiditet në tregun e Bitcoin (kapitalizimi aktual i të cilit është 834 miliardë dollarë). Nëse miratohen, ETF-të e kriptomonedhave pritet të tregtohen në shkëmbimet tradicionale të rregulluara nga SEC si Bursa e Nju Jorkut ose Nasdaq. Kjo do të hapte tregun e kriptomonedhave për një grup më të gjerë blerësish që nuk përdorin tashmë shkëmbimet e kriptomonedhave.

Në pritje të miratimit të ETF, investitorët janë grumbulluar përsëri në treg, gjë që ka rritur çmimin e bitcoin. Prandaj, rritja aktuale e çmimit të bitcoin nënkupton faktin që tregu tashmë po parashikon ardhjen e këtyre ETF-ve. “Miratimi është i pashmangshëm,” tha ish-kryetari i SEC Jay Clayton për “Squawk Box” të CNBC të hënën kur u pyet se çfarë mund të ndodhë këtë javë. “Nuk ka mbetur asgjë për të vendosur. … Ky është një hap i madh jo vetëm për bitcoin, por për financat në përgjithësi.”

“Përgjysmimi”, një tjetër faktor në këtë rritje?

Satoshi Nakamoto, personazhi fantazëm që shpiku Bitcoin, integroi një mekanizëm origjinal në kodin e krijimit të tij: përgjysmimin. Një proces që përgjysmon emetimin e bitcoin-it në intervale të rregullta (çdo 210,000 blloqe të krijuara në blockchain, pra një frekuencë afërsisht çdo katër vjet). Kështu, minatorët fillimisht u shpërblyen me fitimin prej 50 bitcoin për cdo bllok të krijuar (një bllok minohet afërsisht çdo dhjetë minuta); sot, që nga përgjysmimi i fundit (11 maj 2020) shpërblimi arrin në 6.25 bitcoin. Përgjysmimi i ardhshëm është planifikuar për vitin 2024 dhe do të sjellë emetimin në 3,125 bitcoin për bllok.

Meqënëse një pjesë e madhe e besimit në Bitcoin bazohet në sasinë e kufizuar të bitcoin-ëve (nuk mund të ketë më shumë se 21 milionë të tillë), ky mekanizëm përgjysmimi do të thotë që krijimi i bitcoin-it do të bëhet më i rrallë dhe është e mundur që oferta të mos përgjigjet më mjaftueshëm sipas kërkesës, edhe nëse produkte si ETF mbërrijnë në treg. Prandaj, perspektiva e kësaj përgjysmimi mund të jetë një nga shpjegimet për këtë rritje aktuale të çmimit të bitcoin-it në tregun e kriptomonedhave. Historikisht, “kjo ngjarje, e cila duhet të ndodhë midis prillit dhe majit 2024, paraprihet gjithmonë nga një rritje e qartë në kriptomarket”.

Shumica e analistëve të sektorit të kriptomonedhave vlerësojnë se rritja aktuale e vlerës së bitcoin është e lidhur ngushtë me mundësinë që SEC (organi mbikëqyrës i tregut amerikan) së shpejti do t’u japë dritën jeshile kërkesave të shumta, që vijnë nga subjekte të ndryshme në botën e financave, për të lançuar fondet e tyre të tregtueshme të bazuar në bitcoin (ETF). Ndryshe nga shkëmbimet normale (platformat që lejojnë blerjen dhe shitjen e kriptomonedhave), këto instrumente financiare kufizohen në ndjekjen e trendit të kriptomonedhave, duke i lejuar investitorët të fitojnë nga lëvizjet e tregut pa pasur nevojë të blejnë drejtpërdrejt bitcoin ose ndonjë kriptomonedhë tjetër, dhe për rrjedhojë duke thjeshtuar operacionet në treg.

Edhe rritja e Ether-it mund të lidhet gjithashtu me ETF-të, pasi një gjigant si BlackRock – kompania më e madhe e investimeve në botë ka paraqitur zyrtarisht kërkesën për të nisur një fond të tregtuar në shkëmbim të lidhur me Ether-in, kriptomonedhën e dytë më të rëndësishme. Nëse drita jeshile nga SEC vjen për ETF-të e kriptomonedhave, ky do të ishte një tjetër hap i rëndësishëm drejt pranimit të bitcoin në Wall Street. Është në fakt një proces që ka nisur prej disa kohësh, siç dëshmohet nga listimi në bursë i Coinbase ose nga investimet në kriptovalutat e disa prej fondeve më të mëdha në botë.

Një vendim pozitiv nga SEC “do të tregonte se bota e kriptomonedhave ka shlyer mëkatet e saj dhe mund të ripranohet në shoqërinë e lartë të financave …. është kurioze të theksohet se një monedhë si bitcoin, i lindur me synimin për të përmbysur mekanizmat monetarë dhe financiarë tradicionalë, sot duhet të mbështetet në SEC dhe Wall Street në shpresat e tij për një rrifillim”.

Sipas ekspertëve, në shpwrthimin aktual të tregut të kriptomonedhave mund të ketë edhe arsye të tjera, të tilla si : “roli indirekt i pasigurive ekonomike globale dhe rritja e normave bazë të interesit nga Bankat Qendrore, të cilat kanë bërë që investitorët tradicionalë të kërkojnë mundësi alternative investimi”. Rezerva Federale (FED) ka sinjalizuar se cikli i saj i rritjes së normave të interesit ka përfunduar, një shenjë inkurajuese për ekonominë ndërsa inflacioni vazhdon të bjerë. Kjo i ka bërë asetet më të rrezikshme, ndërsa kriptomonedhat, më tërheqëse për investitorët.

Elementë të tjerë : dënimi i figurave kryesore në botën e kriptomonedhave dhe kompanive të konsideruara “aktorë të këqij”, veçanërisht dënimi i Sam Bankman-Fried të FTX për mashtrim1 dhe pranimi i shkeljeve të pastrimit të parave nga themeluesi dhe CEO i Binance, Changpeng Zhao; rritja e nivelit të edukimit dhe kulturës financiare e monetare në kontekstin e dixhitalizimit dhe revolucionit 4.0, cka e ka bërë më të thjeshtë kuptimin dhe përfshirjen e një publiku më të gjerë në sistemin e kriptomonedhave dhe tregëtimin apo pwrdorimin e tyre.

Megjithatë, jo të gjithë analistët e specializuar me këtë treg janë dakord me këto argumente e shkaqe. Një analizë e kohëve të fundit nga Banka JPMorgan “ka minimizuar jo vetëm efektin e përgjysmimit të pritshëm, por edhe ndikimin e mundshëm që ETF-të mund të kenë në botën e kriptomonedhave, duke treguar se si, ku ato janë tashmë të disponueshme (Kanada dhe Evropë), këto instrumente kanë marrë pak vëmendje dhe në çdo rast ata thjesht do të rishpërndanin kapitalin e investuar tashmë në kriptomonedha, në vend që të tërheqin kapitale të reja”.

Por a është vërtet e nevojshme “të kërkohen arsye racionale për të shpjeguar performancën e një tregu ekskluzivisht spekulativ si ai i bitcoin?” Siç ka ndodhur edhe në të kaluarën, rritja aktuale e vlerave të kriptomonedhave thjesht mund të lidhet me trendin financiar : pas një viti çmimesh në rënie, investitorët më të zgjuar dhe më ekspertë mund ta kenë kuptuar se ishte sërish koha për të blerë, me shpresën për të nisur një cikël të ri rritjeje.

Siç ka deklaruar Nathan Rothschild që në shekullin e XIX-të, “kur ka gjak në rrugë, është koha për të blerë“: që do të thotë se kur çmimet kanë rënë në nivelet e tyre më të ulëta dhe flluska ka shpërthyer, është koha për të rezervuar mallra që kanë cmime të ulta.

Nuk është e sigurt që gjërat do të ecin në këtë mënyrë dhe se investitorët që janë edhe një herë “në një bast mbi bitcoin do të shohin të realizohen shpresat e tyre, veçanërisht pasi skepticizmi ndaj kriptomonedhave dhe ndërgjegjësimi për rrezikshmërinë e këtij investimi janë rritur ndjeshëm vitet e fundit”. Duhet akoma më shumë kohë që të kuptohet nëse kemi të bëjmë me fillimin e një cikli të ri rritës në tregun e kriptomonedhave apo situata e sotme korrespondon me njw “valwzim momental tw vlerës së tyre”.

Bitcoin 15 vite histori – ngjarjet kryesore

Më 18 gusht 2008, një person anonim rezervoi emrin e domain-it të një faqe interneti mjaft intriguese: bitcoin.org. Anonimi Satoshi Nakamoto hodhi themelet për paranë e parë elektronike në botë mbi të cilën asnjë autoritet nuk mund të ushtronte kontroll. 15 vjet më vonë, Bitcoin që përfaqëson rreth 50% të kapitalizimit në bursë të krioptomonedhave.

18 gusht 2008 – rezervimi i faqes bitcoin.org

31 tetor 2008 – publikimi i “white paper”. Kjo datë konsiderohet si data e lindjes së bitcoin. Më 31 tetor 2008, një anonimi vetëquajtur Satoshi Nakamoto postoi një mesazh në një listë të shpërndarjes së email-it të rezervuar për cypherpunks, një lëvizje e njerëzve që përdorin kriptografinë për të mbrojtur privatësinë. Ai shkruan: Unë jam duke punuar në një sistem të ri të parave elektronike tërësisht peer-to-peer, pa një palë të tretë të besuar. Ky tekst shoqërohet nga një lidhje që të çon në bitcoin.org dhe në të cilën është vendosur letra e bardhë e Bitcoin-it.

9 nëntor 2008 – Shfaqja e parë e fjalës “Blockchain” Njerëzit e interesuar për projektin fillojnë të bisedojnë me këtë person misterioz. Në këto shkëmbime, Hal Finney, një kriptograf që ndihmoi në krijimin e PGP, software më i përdorur në botë i enkriptimit të postës elektronike, përdor termin “block chain” (zinxhir blloqesh).

3 janar 2009 – Krijimi i Bitcoin-it të parë. Krijohet blloku i parë i Blockchain-it të Bitcoin-it, i njohur si “blloku i gjenezës”. 50 Bitcoin-et e para të lëshuara përmes këtij procesi nuk iu dërguan askujt. Vetëm Satoshi Nakamoto

ka çelësin kriptografik që mund t’i lëvizë ato. Dërgesa e parë e Bitcoin u bë më 12 janar midis Satoshi Nakamoto dhe Hal Finney.

5 tetor 2009 – Shifra e parë për vlerën e Bitcoin-it : 1 Bitcoin = 0,001 dollarë. Kjo shumë përcaktohet nga kostoja e prodhimit të energjisë elektrike që kërkohet për të krijuar një njësi nga një kompjuter. Në atë kohë, fuqia e nevojshme llogaritëse nuk ishte shumë e madhe dhe mund të realizohej nga një kompjuter i thjeshtë.

22 maj 2010, Laszlo Hanyecz shpenzoi 10,000 Bitcoin për dy pica. Në atë kohë Bitcoin ishte subjekt i interesit të teknikëve, por askush nuk e kishte përdorur ndonjëherë për të blerë mallra, shërbime apo prona të paluajtshme. Laszlo Hanyecz lë një

mesazh me një propozim në forumin e specializuar Bitcoin Talk: Unë pranoj të paguaj 10,000 Bitcoin për pica, le të themi dy pica të mëdha, në mënyrë që të më mbeten pak për ditën tjetër. (…) Nëse jeni të interesuar, më njoftoni që të mund ta rregullojmë. Katër ditë më

vonë, ai falënderon një përdorues britanik që porositi dy pica për të duke telefonuar restorantin Papa John në Jacksonville (Florida), qyteti ku jeton Laszlo Hanyecz.

12 dhjetor 2010 – Zhdukja publike e Satoshi Nakamoto. Satoshi Nakamoto, shkruan një mesazh në forumin e specializuar Bitcoin Talk në të cilin ai njofton tërheqjen e tij nga projekti. Ai deklaron se do t’ia kalojë stafetën Gavin Andresen.

Shkurt 2011 – Barazimi me dollarin. Është një ditë historike: një Bitcoin është i barabartë me një dollar. Pak ditë më vonë ajo barazohet me euron.

Qershor 2011 – WikiLeaks shmang sanksionet e SHBA duke pranuar donacione me Bitcoin. Shumë njerëz zbuluan ekzistencën e Bitcoin-it më 15 qershor 2011, kur WikiLeaks njoftoi në Twitter se tani po pranonte donacione në Bitcoin. Ky vendim vjen pas presionit të SHBA ndaj Visa, MasterCard dhe PayPal për të bllokuar transferimet në WikiLeaks, burimi i publikimit të shumë dokumenteve konfidenciale amerikane.

Mars 2013 – Qipriotët blejnë Bitcoin për të ruajtur kursimet e tyre. Për shkak të kontrolleve të rrepta të këmbimit dhe kërcënimit të taksimit të depozitave në përpjekje për të shpëtuar bankat qipriote, një numër i konsiderueshëm klientësh të bankave qipriote i konvertuan eurot apo dollarët e tyre në Bitcoin për të ruajtur kursimet e tyre.

28 nëntor 2013 – Bitcoin arrin vlerën 1000 dollarë

24 shkurt 2014 – Zhduken 744408 Bitcoin nga platforma MtGox, ekuivalent me 250 milion euro. E ardhmja dhe siguria e Bitcoin-it vihen seriozisht në pikëpyetje.

28 Shkurt 2014 – Falimenton platforma e shkëmbimeve MtGox. Më 28 shkurt, platforma kryesore e blerjes/shitjes së Bitcoin-it në botë falimenton. Administruesi dhe zotëruesi i saj, francezi Mark Karpelès, e shpjegon këtë me një hakerim që çoi në vjedhjen e 650,000 Bitcoin.

Gusht 2015 – Ekosistemi i Bitcoin-it largohet nga New York

Në New York, ku ndodhen shumica e platformave të shkëmbimit, qyteti shpalli krijimin e BitLicense, një lloj licence specifike për të ushtruar aktivitetin me Bitcoin. Kushtet për marrjen e kësaj license u konsideruan si “drakoniane” – kostoja e hyrjes, niveli i kapitalit, gjurmueshmëria e përdoruesve, etj. – nga një pjesë e madhe e sektorit që zgjedh të lërë kapitalin e financave botërore për t’u vendosur në Kaliforni ose në parajsa fiskale.

Maj 2016 – Craig Wright pretendon të jetë Satoshi Nakamoto. Shkencëtari kompjuterik australian Craig Wright e shpall veten krijues të Bitcoin-it më 2 maj 2016, duke premtuar se do të sigurojë prova të pakundërshtueshme të identitetit të tij.

3 gusht 2016 – Vjedhje masive e Bitcoin-it. Në 3 gusht 2016, platforma e këmbimit Bitfinex raporton një vjedhje prej 119 756 Bitcoins, ose 65 milion dollarë amerikanë.

Dhjetor 2016 – Debati mbi madhësinë e blloqeve. Debati thelbësor në komunitetin e zhvilluesve të Bitcoin: a duhet të rritet madhësia e blloqeve të protokollit në mënyrë që të gjenerohen më shumë transaksione? Gjatë periudhave të përdorimit intensiv të Bitcoin-it, blloqet kërkojnë më shumë kohë për t’u vërtetuar. Kjo e dobëson ndjeshëm funksionin e Bitcoin-it si një mjet global pagese. Madhësia e blloqeve duhet të rritet, por kjo mund të bëhet vetëm me koston e përmirësimit

të pajisjeve informatike të personave përgjegjës të rrjetit. Të tjerë preferojnë të ruajnë madhësinë aktuale për momentin dhe të kërkojnë zhvillimin e zgjidhjeve alternative.

Gusht 2017 – Krijimi i Bitcoin Cash. Krijohet një rrugë e veçantë drejt Blockchain-it të Bitcoin-it duke ruajtur historinë e tij. Ky protokoll i ri njihet si Bitcoin Cash.

Dhjetor 2017 – Një e ardhme e re për Bitcoin-in. Produkte të reja financiare legjitimojmë akoma më shumë kriptomonedhën Bitcoin.

Dhjetor 2017 – Rekordi historik. Më 17 dhjetor, çmimet e Bitcoin-it arritën në nivelin më të lartë rekord prej 19,891 dollarësh.

Gjysma e parë e 2018 – Depresioni i Madh. Rekordi i Bitcoin-it ndiqet muajin pasardhës nga spekulime intensive në kriptovalutat e tjera. Por mesi i janarit është rënia e madhe: të gjitha vlerat shemben brutalisht brenda pak ditësh. Ky depresion zgjati deri në verë me një ulje të trefishtë të vlerës së tij të 17 dhjetorit 2017.

7 maj 2019 – Hakerat vjedhin mbi 7000 Bitcoin nëpërmjet Binance Cryptocurrency Exchange, me një vlerë prej 40 milion usd.

Shkurt 2021 – Elon MUSK investon 1.5 miliard usd në Bitcoin në kompaninë TESLA duke bërë që vlera e Bitcoin-it të shkojë në 63000 usd.

12 maj 2021 – Bitcoin-i humb 30% të vlerës. Pas një postimi në Twitter nga Elon Musk më 12 maj 2021, që tregonte se kompania e tij e automjeteve elektrike Tesla nuk do të pranonte më pagesa në Bitcoin për shkak të shqetësimit për mjedisin dhe njoftimit të Pekinit më 19 maj 2021 për ndalimin e përdorimit të kriptomonedhave nga institucionet financiare, Bitcoin humbi 30% të vlerës së saj në më pak se një javë, duke bërë që kriptovalutat e tjera të bien me më shumë se 40% për Ethereum dhe 45% për Dogecoin.

2021 – Banka Qendrore Kineze deklaron se të gjitha transaksionet financiare kriptovalutat dhe në veçanti Bitcoin, se janë të paligjshme. “Tregtia dhe spekulimet rreth Bitcoin-it dhe monedhave të tjera virtuale janë bërë të përhapura, duke prishur rendin ekonomik dhe financiar, duke rezultuar në pastrim parash, mbledhje të paligjshme fondesh, mashtrime, skema piramidale dhe aktivitete të tjera të paligjshme dhe kriminale”.

19 tetor 2021 – Bitcoin-in arrin vlerën rekord prej 69000 usd.

Maj 2022 – në 15 maj 2022, Bitcoin ra në 27000 usd/Bitcoin. Një humbje të vlerës prej 70%! Rënia drastike e Bitcoin-it ndikoi dhe te kriptomonedhat e tjera, veçanërisht Ethereum që ra me rreth 25% të vlerës së tij vetëm brenda një jave në fillim të muajit maj 2022. Në krizë të rëndë ranë dhe NFT (Non-fungible Token).

Dhjetor 2023 – Vlera e Bitcoin shkon në 44000 usd, një rritje rekord mbas situatës së rëndë të muajit maj 2022, por akoma larg vlerës rekord prej 69000 usd të muajit tetor 2021.

8 janar 2023 – vlera e Bitcoin shkon në nivelin e 47.000 usd.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Këmbanat e rënies së inflacionit

Çmimet e ulëta po penalizojnë ekonominë

Intervista/ Situata ekonomike dhe zgjidhjet

Civici: Të shtyhet një vit shlyerja e kësteve të kredive