MENU
klinika

Ylli Pata

Sulmi ndaj Flutura Açkës, adresa e re e flakadanëve të deputetëve të Bardhit

17.01.2024 - 19:56

S’ka dyshim që Gaz Bardhi e di që me ngjarjen e sotme me Flutura Açkën e ka bërë baltë. S’ka dyshim që përveç frustrimit e stresit, ai dhe deputetët e tij që janë në dilemë nuk kanë ikur nga trutë e kokës.

Thjesht është një mënyrë negocimi, bërjeje politike, të cilën duhet thënë e kanë përthithur nga përvoja e garderoba politike e doktor Berishës.

Domethënë i bie pragut ta dëgjojë dera, s’kam ç’i bëj gomarit i bie samarit, pas meje kjameti, kur nxefem unë i thyej të tëëëraaa, me pjataaaa, me filxhannna, siç thoshtë Çakshiri në “Shi në Plazh” të Teodor Laços. Strategjia e zjarrit në Parlament e në qeveri, e mazhorancë, duket se e piu ujin dhe jemi shumë afër zgjedhjeve. Qoftë atyre të rregulltave të vitit 2025, qoftë dhe “larg qoftë” ndonjë aksident të parakohshëm elektoral.

Ndaj i duhet një lëvizje më e fortë, më direkt. Strategjia e deputetëve që kanë mbështetur foltoren por që thonë se nuk janë me foltoren por që do të bëhen deputetë, nuk se ka ndonjë filozofi të madhe.

Ata do të mundohen të bëhen shabanqose me Bashën dhe PD-në e Lulzim Bashës. Ajo që ndodhi sot me Flutura Açkën, e cila është personaliteti më i rëndësishhëm intelektual i PD-së së Bashës, është mesazhi i fortë që i drejtojnë kreut të PD-së.

O negoco me ne, o do të çmendim, nuk të lëmë rehat. Në fakt, ky është një sinjal paraprak që në njëfarë mënyre tregon edhe një zhgënjim të deputetëve me Foltoren, me të cilën e dijnë mirë se s’kanë të ardhme.

Por rruga është më shumë se në ngjitje kur thonë italianët. Sepse, nëse Basha do t’i qëndrojë idesë për listat e hapura tërësisht, pra që fitojnë depuetët që marrin preference më shumë, davaja është e mbyllur. Mendo daljen e Gaz Bardhit kandidat në Elbasan. Aty ku dega e PD-së u gjend e tradhëtuar më 14 maj, duke i imponuar kandidatin e Foltores, Luçiano Boçin. Për të cilin nuk negocoi kreu i degës por vetë Bardhi.

Por të vijojmë më tej me të gjithë ata deputetë që zgjodhën foltoren më 14 maj. Vota anëtarësh të PD-së zyrtare s’marrin asnjë, ndaj i duhet të kandidojnë për partinë e Berishës. Po cila është ajo? Sidomos sot kur Partia e Lirisë as nuk është prezente në aferat e përplasjes civile brenda PD?

Vijimi i kësaj strategjie, pra i sherrit e gërr-vërreve të vazhdueshme dëmton të gjithë opozitën e në radhë të parë PD-në që do të jetë një subjekt elektoral i garantuar në zgjedhjet e ardhshme. Po a mund të pranojë Basha që të negocojë me deputetët e flakadanëve?

Realisht e ka të pamundur, se do t’i kthehen kundër të gjithëë demokratët e strukturave të bazës. Po a mund të bëjë aleancë elektorale, Lul Basha me deputetët e dalë nga PD nëse ata bëjnë një subjekt të vetin? Kjo varet nga qëndrimi që do të kenë me Berishën!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN