Viti i Ri 2024 ka ‘trokitur’ në Shqipëri, duke lënë pas 2023-in me shpresë për një vit më të mbarë e të begatë për të gjithë qytetarët shqiptarë. Qytetet në të gjithë vendin u përfshinë nga atmosfera festive, ndërsa qytetarët u mblodhën në sheshet kryesore të qyteteve për të shijuar spektaklin e fishekzjarreve.
Nata e ndërrimit të viteve, mblodhi në tryezë familjarë e miq, të cilët sëbashku shijuan gatimet tradicionale e trokitën gotat për shëndet e mbarësi. Festa kulmoi në orën 00:00 me spektaklin e fishekzjarreve në kryeqytet të organizuar nga Bashkia Tiranë, ndërsa nuk mungoi as një koncert ku qytetarë të shumtë të shijuan performancën e disa artistëve, si Arilena Ara, Era Istrefi, Ardit Çuni e shumë artistë të tjerë.
Jo vetëm në Tiranë, por edhe në sheshet kryesore të qyteteve të tjera si në Korçë, Shkodër, Durrës, Sarandë, Vlorë, Fier u ndje atmosfera festive me fishekzjarre, të cilën Report Tv e përcolli në një transmetim të drejtëpërdrejtë. Qielli ndriçoi nga fishekzjarret duke dhuruar një atmosferë magjike që u shijua nga qindra qytetarë.