MENU
klinika

Prej kohësh në paraburgim në Reç

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj, merret në pyetje ekzekutori Ruben Saraiva

17.01.2024 - 12:18

Nën masa sigurie është shoqëruar në Drejtorinë Vendore te Policisë Lezhë, Ruben Saraiva, i vënë nën akuzë për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj.

Portugezi po merret në pyetje nga oficer të krimeve të rënda në Policinë e Shtetit.

Ai ka mbërritur pak minuta më parë nga burgu i Reçit, ku qëndron në paraburgim qe prej momentit kur është ekstraduar në Shqipëri me 31-dhjetor të vitit që lamë pas.

Nga provat e mbledhura deri më tani nga prokuroria e Lezhës, rezulton se Ruben Ribeiro Saraiva ishte ekzekutori Ardian Nikulajt. Pamjet e gjakftohtësisë së ekzekutimit të mirë-organizuar u publikuan edhe në shumë media në botë.

Ndaj tij rëndojnë akuzat “Vrasja për gjakmarrje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve”.

Po për vrasjen e Nikulajt janë arrestuar në Angli 3 shtetas britanikë dhe Edmond Haxhia si porositës. Edhe për këta të fundit autoritetet shqiptare kanë dërguar kërkesë për ekstradimin e tyre nga Britania në shqipëri.

Gjykata e ekstradimeve në Londër do ta shqyrtojë kërkesën e ekstradimit të tyre nga Shqipëria në muajin Mars.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me një fis tjetër në qytetin e Lezhës, konflikt ky që ndër vite ka prodhuar shumë viktima.