MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Zgjedhje të parakohshme më 2024?

02.01.2024 - 19:28

Qysh kur u zgjodh kryeministër më 2013, Rama e ka përqeshur nëpër studio apo konferenca shtypi pyetjen “A do ketë zgjedhje të parakohshme këtë vit?”. Sidoqoftë, në kongresin e fundit të PS-së, ai i përmendi vetë zgjedhjet e parakohshme si një mundësi për pranverën e 2024-ës.

A ishte ajo përmendje thjesht një kërcënim ndaj deputetëve aktualë të PS-së, të cilët mund të ndryshohen me një të rënë të lapsit të Ramës, nëse bëhen zgjedhje të reja? Apo një kërcënim për opozitën e ndarë në 3-4 pjesë?

Me ndryshimet konsensuale të kushtetutës më 2008, zgjedhjet e parakohshme mund t’i provokojë vetëm mazhoranca – opozita thjesht mund të shpallë një mocion mosbesimi ndaj qeverisë me një emër konkret për ta zëvendësuar kryeministrin. Në situatën e sotme, opozita e ndarë në 3-4 pjesë nuk ka ndonjë kandidat për kryeministër të ri me shanse për t’iu afruar të paktën 71 votave në Kuvend…

Po Ramës ai i leverdis të provokojë zgjedhje të parakohshme në pranverën e 2024-ës?

Nga një llogari e ftohtë elektorale, përgjigjia rezulton “Po”! Në sondazhin mujor që zhvillova për Report TV më 20 dhjetor TV (https://shqiptarja.com/lajm/sonte-ne-repolitix-sondazhi-politik-per-muajin-dhjetor-kush-jane-personalitetet-me-me-ndikim-dhe-ceshtjet-me-te-nxehta-per-vitin-2023#739443 ), u konstatua se, po të zhvilloheshin zgjedhje të parakohshme, PS-ja do të merrte dyfishin e votave të koalicionit “Bashkimi për Fitore” të Berishës e Metës. Me një ekstrapolim të përafërt të rezultateve të atij sondazhi, i binte që PS+PSD mund të arrinin deri në kuotën e 90 mandateve parlamentare. Dhe me zhvillimet e fundit poshtë ballkonit të Berishës, kjo kuotë mund të rritet…

Duke e zgjeruar horizontin e analizës përtej Shqipërisë së vogël, Ramës mund t’i interesojë zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme para zgjedhjeve presidenciale në SHBA, për të shuar çdo shpresë të atyre konspiracionistëve shqiptarë që e lidhin shpalljen non-grata të Berishës me administratën Biden (ata shpresojnë se me riardhjen në pushtet të Trump-it, non-grata do të zhbëhet…). Gjithashtu Ramës mund t’i interesojë ta rifreskojë mandatin e tij kryeministror para syve të BE-së – me një mazhorancë 90-mandatëshe, e jo 77-mandatëshe, si më 2021…

Duke njohur kokëfortësinë e Ramës për ta mbyllur deri në ditën e fundit çdo mandat qeverisës (si kryebashkiak apo kryeministër), gjasat janë të vogla që kërcënimi i tij ndaj deputetëve socialistë (i bërë në kongresin e fundit të PS-së) të përkthehet në një manovër reale parlamentare. Por në qoftë se një manovër e tillë fillon, pas 45 ditësh vendi shkon detyrimisht në zgjedhje të parakohshme…

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin