MENU
klinika

Analiza

A do të kalojë Putin përtej kufijve të Ukrainës?

12.02.2024 - 18:33

Janë së paku tri shtete – dy prej tyre anëtare të NATO-s, tjetri në rrugë për t’u anëtarësuar – që kanë paralajmëruar gjatë muajit të fundit se Rusia mund ta sulmojë njërin prej vendeve të aleancës ushtarake.

Shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë së Rumanisë, gjenerali Gheorghita Vlad, ka thënë se e gjithë Evropa duhet të shqetësohet për qëllimet e Rusisë. Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë më 1 shkurt, ai ka thënë se vendi i tij duhet të miratojë urgjentisht një kornizë ligjore që do t’u mundësojë vullnetarëve civilë të ndjekin trajnime ushtarake.

“Mendoj se Federata Ruse nuk do të ndalet në Ukrainë. Nëse fiton në Ukrainë, shënjestër e saj e radhës do të jetë Moldavia. Do të shohim tensione edhe në Ballkanin Perëndimor. Unë jam më se i bindur se presidenti rus, Vladimir Putin, do t’i përshkallëzojë politikat e tij në të ardhmen e afërt”, ka thënë Vlad.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, duke e sjellë luftën deri në kufirin verior të Rumanisë. Vetëm dy javë para deklaratës së gjeneralit Vlad, ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius, ka thënë se presidenti gjithnjë e më luftarak i Rusisë, Vladimir Putin, mund ta sulmojë aleancën ushtarake të NATO-s në më pak se një dekadë.

Why Putin's Russia cannot accept its borders - Atlantic Council

“Ne dëgjojmë kërcënime nga Kremlini pothuajse çdo ditë… kështu që duhet të kemi parasysh se Vladimir Putin mund të sulmojë edhe një vend të NATO-s. Sipas ekspertëve tanë, kjo mund të ndodhë brenda pesë apo tetë vjetësh”, ka thënë ai.

Alarm të ngjashëm ka lëshuar edhe Suedia – vendi që pas më shumë se dy shekujsh paqeje, është vetëm pak hapa larg anëtarësimit në NATO. Komandanti i përgjithshëm i ushtrisë suedeze, gjenerali Micael Byden, ka thënë më 8 janar se të gjithë suedezët duhet të përgatiten mendërisht për mundësinë e luftës.

“Lufta e Rusisë kundër Ukrainës është vetëm një hap, jo një lojë përfundimtare. Unë nuk dua t’i shqetësoj njerëzit, por dua që ata të mendojnë për situatën dhe përgjegjësitë e tyre”, ka thënë Byden.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë në një intervistë për transmetuesin gjerman, ARD, më 4 shkurt, se nuk ka asnjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak kundër ndonjë vendi anëtar të NATO-s. Megjithatë, kryetari i komitetit ushtarak të shefave kombëtarë të aleancës, Rob Bauer, ka thënë më 17 janar se vendet e NATO-s “duhet të jenë në alarm të kuq për luftë” dhe “të presin të papriturën.

Vetë Kremlini, përmes zëdhënësit Dmitry Peskov, ka thënë se zyrtarët evropianë që flasin për perspektivën e luftës me Rusinë, përpiqen ta portretizojnë Moskën si armike.

Por, jo të rralla kanë qenë rastet kur Putin ka kërcënuar në mënyrë indirekte vendet e NATO-s, që e ndihmojnë Ukrainën me armatim dhe logjistikë. “Rusia ka më shumë armë bërthamore se vendet e NATO-s”, ka thënë ai në një forum ekonomik në Shën Petersburg, vitin e kaluar.

Analistët thonë se shtetet që kufizojnë Rusinë ose janë afër saj, ndjejnë prej kohësh ankth nga ambiciet perandorake të Putinit, i cili shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik e ka konsideruar si “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit 20”.

Gjenerali i pensionuar i ushtrisë amerikane, Douglas Lute, i cili ka shërbyer edhe si përfaqësues i përhershëm i Shteteve të Bashkuara në NATO, flet për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

m gjatë dy vjetëve të fundit, i merr seriozisht kërcënimet nga Vladimir Putin. Ai ka dëshmuar se është i gatshëm të thyejë çdo rregull ndërkombëtar, të vendosur gjatë 75 vjetëve të fundit… e deri te Karta e OKB-së, e cila rregullon parimet e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial. Pra, nëse ai është i gatshëm të thyejë Kartën e OKB-së dhe çdo marrëveshje tjetër të madhe ndërkombëtare, atëherë kërcënimet e mundshme ndaj territoreve përtej Ukrainës janë të besueshme”, thotë Lute.

Ukraine: Putin's vision of 'Russian Ukraine' misunderstands how borders  came about

Shqetësimet në Evropë i ka shtuar edhe rritja e madhe e shpenzimeve për ushtrinë dhe industrinë e armëve në Rusi. Sipas disa dokumenteve që kanë rrjedhur vitin e kaluar, Rusia do ta rriste buxhetin ushtarak për vitin 2024 për gati 70%, përkatësisht në 107 miliardë euro.

Mark Cancian, kolonel i pensionuar i marinës amerikane, thotë për Exposenë se ushtria ruse ka përvojën më të madhe luftarake në botë dhe se kjo i jep avantazh kundrejt shumë vendeve të NATO-s. Ai nuk beson se ajo mund t’i rindërtojë shpejt kapacitetet e veta – ndoshta edhe një brez jo – por thotë se NATO-ja duhet të jetë vigjilente.

“Përgatitjet e NATO-s nuk janë të barabarta. Vendet në Evropën Lindore janë shumë të shqetësuara, ato po i rrisin buxhetet e tyre ushtarake, po e rrisin madhësinë e forcave të tyre të armatosura dhe po përgatiten në terren. Problemi është se vendet e NATO-s kah perëndimi, janë më pak të shqetësuara. Gjermanët janë kritikuar se nuk kanë bërë më shumë. Edhe në vendet e tjera, shqetësimet nuk janë të mëdha dhe niveli i shpenzimeve në ushtri vazhdon të jetë nën 2%”, thotë Cancian.

Me rregullat e NATO-s, 31 vendet anëtare duhet të shpenzojnë së paku 2% të bruto prodhimit të brendshëm në mbrojtje, por jo të gjitha e bëjnë këtë. Kolektivisht, NATO-ja i ka rritur shpenzimet në mbrojtje për rreth 190 miliardë dollarë që nga viti 2014, kur Rusia ka pushtuar Ukrainën për herë të parë.

Aktualisht, aleanca është duke testuar gatishmërinë e saj në një stërvitje të gjatë ushtarake, që ka filluar në fund të janarit dhe do të zgjasë deri në fund të majit. Me 90.000 trupa të përfshira, ajo konsiderohet si më e madhja e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Gjenerali Lute thotë se NATO-ja duhet t’i japë përparësi sistemit të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore. Ky duhet të jetë në krye të planeve të aleancës për modernizim, sipas tij.

“NATO-ja nuk ka sistem të integruar sikurse ai që mbron Ukrainën sot. Ky duhet të jetë një shqetësim për të gjithë aleatët. Ukraina e ka mbrojtjen ajrore dhe raketore më të sofistikuarën në Evropë dhe, prapë, nuk është mjaft. NATO-ja ka folur në të kaluarën për prioritizimin e mbrojtjes ajrore dhe raketore, por unë mendoj se kërcënimi tani është shumë real”, thotë Lute.

Një shqetësim tjetër që shpreh gjenerali Lute, është rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Gjatë kohës sa ka qenë president, Trump ka kërcënuar se do ta lërë NATO-n, ndërsa, së voni, ka pasur raporte se ai është zotuar se nuk do t’i ndihmojë aleatët, nëse ndonjëri sulmohet.

Zgjedhjet presidenciale në SHBA mbahen këtë nëntor. Gjenerali Lute thotë se, nëse Trump zgjidhet, mbështetja e SHBA-së për Ukrainën, apo edhe roli i saj udhëheqës në NATO ka gjasa të zvogëlohen që nga viti i ardhshëm.

“Nëse ka një gjë që është jetike për suksesin e NATO-s, është udhëheqja e parashikueshme amerikane. Donald Trump e sfidon parashikueshmërinë. Dhe kjo është shumë keq për aleancën”, thotë Lute.

Edhe Cancian u bën jehonë këtyre deklaratave. Ai thotë se është reale frika se NATO-ja, pa udhëheqjen amerikane, nuk do të ishte efektive në frenimin e agresionit, sidomos nga Rusia.

“Forcat amerikane në Evropë e bëjnë të rëndësishëm angazhimin e Shteteve të Bashkuara për sigurinë evropiane. Ato janë pjesë integrale e mbrojtjes në Evropën Lindore, e veçanërisht në Poloni dhe në vendet baltike”, thotë Cancian.

Pushtimi rus i Ukrainës – gjë të cilën Moska e quan operacion special ushtarak – ka shkaktuar konfrontimin më të madh midis Perëndimit dhe Rusisë që nga kriza e raketave kubane, në vitin 1962.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka paralajmëruar në vitin 2022 se përballja e drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë do të shkaktonte Luftën e Tretë Botërore. Zyrtarët rusë kanë thënë disa herë se pretendimet e politikanëve perëndimorë se Rusia mund të sulmojë një vend të NATO-s, janë të pakuptimta.

Por, Perëndimi i ka të freskëta edhe mohimet e vazhdueshme të Rusisë se do ta sulmonte Ukrainën në vitin 2022./REL 

Rusia aktivizon “Oreshkin”

Paralajmërimi ogurzi që vjen nga Ukraina!

Shefi i NATO-së takohet me Trump në Florida!

Çfarë diskutuan Mark Rutte dhe presidenti i zgjedhur i Amerikës

Analiza e DW: Si do të veprojë qeveria

A mund të arrestohet Benjamin Netanyahu në Gjermani?

Netanyahu “barazohet” me Putinin

E ardhmja e Izraelit varet “në fije të perit”

Çfarë dimë për raketën ruse ‘Oreshnik’!

Putin: Asnjë komb tjetër nuk ka armë si tonat

Dy sekretarë të tjerë mund të kenë fatin e Gaetz

Bie “ushtari” i parë i Trump, Prokurori i Përgjithshëm jep dorëheqjen