Gazeta prestigjioze “Time” i ka dedikuar një artikull luftës në Ukrainë dhe se si gjigantët e teknologjisë e kthyen atë në një laborator lufte të AI.
Gati një vit e gjysmë kanë kaluar që kur CEO i Palantir, Alex Karp u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe është përfshirë në punën e përditshme të një qeverie të huaj të kohës së luftës në një mënyrë të paprecedentë. (Plantir është një kompani publike amerikane që është e specializuar në platformat softuerike për analitikën e të dhënave).
Shumë agjenci ukrainase, duke përfshirë Ministritë e saj të Mbrojtjes, Ekonomisë dhe Arsimit, po përdorin produktet e kompanisë. Softueri i Palantir, i cili përdor AI për të analizuar imazhet satelitore, të dhënat me burim të hapur, pamjet e dronëve dhe raportet nga toka për t’u paraqitur komandantëve me opsione ushtarake, është “përgjegjës për shumicën e shënjestrave në Ukrainë”, sipas Karp.
Zyrtarët ukrainas thanë për ‘TIME’ se po përdorin analizat e të dhënave të kompanisë për projekte që shkojnë shumë përtej inteligjencës në fushën e betejës, duke përfshirë mbledhjen e provave të krimeve të luftës, pastrimin e minave tokësore, rivendosjen e refugjatëve të zhvendosur dhe çrrënjosjen e korrupsionit. Palantir ishte aq i etur për të shfaqur aftësitë e veta, saqë ia dha ato Ukrainës pa pagesë.
Gjigantë si Microsoft, Amazon, Google dhe Starlink kanë punuar për të mbrojtur Ukrainën nga sulmet kibernetike ruse, për të migruar të dhënat kritike të qeverisë dhe për ta mbajtur vendin të lidhur, duke dhuruar qindra miliona dollarë për mbrojtjen e vendit.
Ukraina dhe aleatët e saj të sektorit privat thonë se po luajnë një lojë më të gjatë, atë të krijimit të një laboratori lufte për të ardhmen.
“Shumica e kompanive që operojnë në Ukrainë tani thonë se përputhen me qëllimet e sigurisë kombëtare të SHBA-së – por çfarë ndodh kur nuk e bëjnë këtë?” thotë Rita Konaev nga Qendra e Georgetoën për Sigurinë dhe Teknologjinë në zhvillim.