Një 29-vjeçar është arrestuar në Tropojë pasi i janë gjetur armë dhe drogë në banesë dhe në automjet.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit të koduar “Dubrava”.
Policia ka sekuestruar armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe lëndë narkotike cannabis sativa.
“Si rezultat i kontrolleve intensive në të gjithë territorin e qarkut, për goditjen e veprimtarive kriminale, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe finalizuar me sukeses operacionin policor të koduar “Dubrava”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi:
Rr. M., 29 vjeç, banues në fshatin Bujan.
Gjatë operacionit, në vendin e quajtur “Dubrava”, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll, automjetin me drejtues shtetasin Rr. M., në të cilin gjetën 1 armë zjarri pistoletë, municion luftarak dhe një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Në vijim të veprimeve procedurale, shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 29-vjeçarit, gjetën një tjetër sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis, 3 karikatorë dhe municion luftarak.
Pistoleta, municioni, droga dhe automjeti që drejtonte 29-vjeçari, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, thuhet në njoftimin e policisë.