Autori i plagosjes së Selami Brahimit mbrëmjen e 8 shkurtit në Shkodër mësohet se është xhaxhai i bashkëshortes së shënjestrës.
Sulejman Kapllanaj është arrestuar në Berlin të Gjermanisë dy ditë pas ngjarjes (10 shkurt) ndërsa pritet ekstradimi i tij në vendin tonë.
68-vjeçari tentoi që të vrasë dhëndrin e shtëpisë, Selami Brahimi kanë pasur konflikte prej vitesh të cilat janë rindezur pas një vdekje brenda familjes.
Sulejman Kapllanaj dyshohet se ka qëlluar nga një automjet tip Skoda Fabia ngjyrë e bardhë, të cilën e kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit kur ka ardhur drejt Shqipërisë pasi jeton në Itali.
Pas kqyrjes së kamerave të sigurisë automjeti u gjet i parkuar në lagjen “Rus” në Shkodër.
Brenda makinës u gjet arma e zjarrit tip automatik kallashnikov, si edhe edhe 8 gëzhoja, ndërsa një gëzhojë u zbulua në vendin e ngjarjes e cila është e njëjtë më gëzhojat brenda makinës, provë e cila çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje.
Njoftimi:
Shkodër/Zbardhet ngjarja e ndodhur 2 ditë më parë, në Shkodër, ku u plagos me armë zjarri shtetasi S. B.
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Wiesbaden, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së shtetasit S. B., të kryer më datë 08.02.2024, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat dhe në informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin Sulejaman Kapllani.
Si rezultat i një hetimi intensiv dhe profesional të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, dhe falë inteligjencës policore, u sigurua informacion se autori i dyshuar kishte udhëtuar drejt Berlinit.
Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Ndaj shtetasit S. K., Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sqarojmë se strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.
Bashkëpunimi i shërbimeve tona policore me Interpolin është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Policia e Shkodrës po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë përpara drejtësisë dhe autorë të tjerë të mundshëm të implikuar.