Bashkimi Europian do të kryejë një hetim për të kuptuar nëse TikTok-u ka shkelur rregullat e përmbajtjes në internet, të cilat lidhen me mbrojtjen e fëmijëve dhe sigurimin e reklamimeve transparente.
Shefi i Bashkimit Europian për industrinë, Thierry Breton, u shpreh se mbrojtja. Fëmijëve ka qenë prioritet dhe se investigimi për TikTok do të përfshijë verfikimin e moshës dhe sigurinë që kanë llogaritë e krijuara nga fëmijët.
“Si një platformë që mbërrin te miliona fëmijë dhe adoleshentë, TikTok-u duhet të pajtohet totalisht me rregullat e vendosura dhe të luajë një rol të rëndësishëm për mbrojtjen e të miturve në internet. Ne po nisim këtë procedim zyrtar për t’u siguruar që do të ndërmerren veprime propocionale në mbrojtjen e mirëqenies fizike dhe emocionale të të rinjve europianë. Nuk duhet të kursejmë asnjë përpjekje për të mbrojtur fëmijët tanë”, u shpreh Thierry Breton.
Gjatë prillit të vitit 2023, Mbikëqyrja e të Dhënave në Irlandë, gjobiti TikTok-un me 245 milionë euro, për shkeljen e ligjit të vendosur nga Bashkimi Europian, për të dhënat e fëmijëve në rrjete sociale. Në të njëjtin muaj, edhe Komisioni i Informacionit në Mbretërinë e Bashkuar, gjobiti kompaninë me rreth 15 milionë euro, për përpunimin e të dhënave të fëmijëve nën 13 vjeç, në mënyrë të paligjshme.
Nga ana tjetër, zëdhënës për TikTok u shprehën se rrjeti social do të vijojë të punojë me ekspertë të industrisë, për t’u ofruar siguri të rinjve që përdorin platformën dhe se do t’i shpjegojë me kënaqësi çështjen Komisionit Europian.
“TikTok ka krijuar funksione për të mbrojtur adoleshentët dhe për të mbajtur jashtë rrjetit social fëmijët nën 13 vjeç. Kjo është një çështje me të cilat po përballet e gjithë industria”, tha një zëdhënës i kompanisë.
Për hetimin nuk është caktuar asnjë afat dhe rezultati do të varet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë edhe kompleksitetin e çështjes.