Serbia duket e pakënaqur me kritikat apo “tërheqjet e veshit” nga Gjermania. Kjo është treguar qartazi nga rasti i fundit ditën e djeshme. Kryeministrja Ana Brnabiç tha në lidhje me akuzat dhe kritikat e kryetarit të Komisionit për Punë të Jashtme të Bundestagut, Michael Roth, ndaj Serbisë, se politikani gjerman është “i verbuar” nga njëanshmëria. “Kështu duket kur paragjykimi të verbon. Michael Roth ka qenë një nga ata politikanë që dyfishojnë, apo edhe trefishojnë informacionin e kontrolluar përpara se ta publikojnë ose ndajnë atë. Më pas, njëanshmëria e tij ndaj Serbisë dhe Aleksandër Vuçiçit u bë aq e fortë dhe e dukshme, saqë ai filloi të besonte në gjithçka që korrespondon me pikëpamjen e tij për realitetin. Prandaj postimi më poshtë është një shembull teksti i fushatave të lajmeve të rreme dhe dezinformimit. Turp’, ka shkruar Brnabiç në rrjetin X, ku ka bashkangjitur postimin e Rotit. Ajo ka kujtuar se në të njëjtën kohë, kur u zbulua monumenti i Albin Kurtit në Podujevë, më 14 shkurt, Roth nuk pyeti nëse kjo ndodh në ndonjë demokraci tjetër, të zbulojë një statujë të një personi që është gjallë dhe ende në detyrë. “Nuk ishte një shenjë e diktaturës apo një mungesë e thjeshtë e mirësjelljes elementare? Jo. Sepse është bërë nga njerëzit që mbështet Michael Roth. Përfundimi: njëanshmëria e tillë e dukshme jo vetëm që ju verbon, por edhe ju diskrediton”, theksoi kryeministrja e Serbisë. Michael Roth ka shkruar ndër të tjera në rrjetin social “X” se Serbia “gjithnjë e më shumë i ngjan një regjimi autoritar”, duke shpërndarë një video nga Beogradi, të realizuar në Ditën e Republikës në Sheshin e Republikës së Beogradit.