Nga Gavin Mortimer
A duhet të reagojë elita politike ndaj rebelimit të fermerëve?
Po e shkruaj këtë artikull në shtëpinë time në Burgundy. Nëse hedh sytë nga dritarja, mund të shoh para shtëpinë e fqinjit tim, një fermer që merret me kultivimin e drithërave. Nëse kthehem në të djathtë, nëpër fusha mund të vë re ndërtesat e një fermeri që merret me mbarështimin e bagëtive.
Në fshat jeton edhe një fermer tjetër që merret me kultivimin e drithërave dhe perimeve. Patricia, gruaja e këtij të fundit, hodhi dje në rrugë një arkë me patate. Burri i saj ka qenë në vijën e parë të lëvizjes në rritje të protestës së fermerëve që nisi 2 javë më parë në Toulouse.
Ajo është përhapur kudo. Nga Mesdheu në Normandi, fermerët e bagëtive, deleve, pulave dhe drithrave po protestojnë jashtë prefekturave dhe po hedhin dengje me kashtë para restoranteve të ushqimit (fast food). Të hënën ata përdorën traktorët dhe dengjet me bar për të bllokuar autostradat që të çojnë në Paris.
Patricia më tha se vendosmëria e tyre është e palëkundur: “Do t’i shkojmë deri në fund!”.
Zemërimin e ka më shumë me Brukselin se me Parisin. Rregulloret e BE-së po e bëjnë të mjerë jetën e fermerëve. Megjithëse këta të fundit fajësojnë edhe burokratët në Paris për zbatimin me kaq zell të këtyre e rregullave.
Toka e tyre është nën mbikëqyrje nga dronët. “Pa marrë leje, ne nuk mund t’i shkurtojmë as gardhet tona”- thotë Patricia. Por ajo që i rëndon psikologjikisht më shumë se çdo gjë, është se ata kanë shumë vite që merren me bujqësinë organike (bio). Dhe për çfarë? Ata fitojnë më pak para se sa dikur, por vazhdojnë të jenë çdo javë nën presion.
Çdo dy ditë në Francë një fermer kryen vetëvrasje. Të tjerët e braktisin këtë sektor. Në departamentin tim në vitin 2014 kishte 1058 fermerë që merreshin me mbarështimin e bagëtive, sot janë 772. Gjatë 2 viteve të fundit, janë mbyllur 54 ferma.
Fqinji im i afërt, fermeri i drithërave, nisi të merrej një vit më parë me bujqësinë organike. Edhe ai është i zhgënjyer. Me thotë se ndihet sikur është më shumë një burokrat sesa një fermer, duke kaluar orë të tëra çdo javë duke plotësuar formularët. Por revolta nuk kufizohet vetëm në Francë.
Në mbarë BE-në, fermerët po ngrihen kundër qeverive të tyre dhe sidomos kundër Brukselit. Fermerët spanjollë kanë njoftuar këtë javë se edhe ata do t’i bashkohen protestave për shkak të “burokracisë mbytëse të krijuar nga entet rregullatore evropiane”, teksa po mobilizohen edhe dhe fermerët belgë.
Demonstratat nisën në Holandë në vjeshtën e vitit 2019, kur më shumë se 2000 traktorë nisën rrugëtimin drejt Hagës. Fermerët ishin të pakënaqur me planet për të kufizuar emetimet e azotit. Por katalizatori i protestës ishte propozimi i një deputeti të majtë për të përgjysmuar numrin e bagëtive.
Në Gjermani zemërimi shpërtheu muajin e kaluar, kur qeveria e Olaf Scholz njoftoi planin për të anuluar heqjen e taksave mbi karburantin që përdoret në bujqësi. Kjo ishte pika që derdhi gotën në një industri të acaruar nga “një mbingarkesë administrative”. Pesë mijë traktorë shkuan në Berlin për të protestuar kundër një qeverie, për të cilën ata pretendojnë se nuk ka respekt apo mirëkuptim mbi industrinë bujqësore.
Protestat në Rumani dhe Poloni janë kundër asaj që fermerët e tyre e cilësojnë si një konkurrencë të pandershme nga Ukraina. Rusia ka bllokuar eksportet e grurit ukrainas nga deti drejt Afrikës. Dhe për të ndihmuar fermerët ukrainas, BE-ja po e importon atë pa kuota të përcaktuara.
E njëjta pakënaqësi ndjehet edhe në Francë. Kur e pyeta fqinjin tim pse po protestonte, ai më përmendi dy ankesa në veçanti: shumë burokraci dhe shumë konkurrencë të pandershme nga Ukraina. Megjithatë, nuk është vetëm konkurrenca nga Ukraina, ajo që i ka shtyrë fermerët francezë të hidhen në revoltë.
Patricia dhe bashkëshorti i saj prodhojnë varietete dhe shumëllojshmëri perimesh, të cilat shiten me një çmim shumë më të ulët krahasuar me vendet e tjera të BE-së, por edhe ato jashtë saj. Ajo nuk është adhuruese e domateve spanjolle, të cilat po vërshojnë në tregun francez. Një kilogramë domate franceze kushton 1euro më shtrenjtë se një kilogram domate e kultivuar në Spanjë, pasi spanjollët prodhojnë më shumë dhe me një kosto më të lirë.
“Në Francë nuk ka prodhim të mjaftueshëm, ka konkurrencë në kostot e prodhimit, por edhe diferencë në koston e pagës,”- thotë Thierry Pouch, kryeekonomist në Dhomën Franceze të Bujqësisë. Kostot e prodhimit janë më të ulëta për fermerët ukrainas të pulave dhe drithërave.
Për më tepër, metodat bujqësore të Ukrainës nuk i nënshtrohen të njëjtave standarde rigoroze si fermerët e BE-së. E njëjta gjë vlen edhe për fermerët e tjerë të huaj me të cilët BE bën biznes, si ata në Zelandën e Re dhe Amerikën e Jugut. Të gjitha këto masa të pakuptueshme për fermerët lidhen me Marrëveshjen e Gjelbër të BE-së, e cila u prezantua në vitin 2019 nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Synimi i saj është që BE të jetë neutrale ndaj klimës deri në vitin 2050. Shumë fermerë e kundërshtuan atë që në fillim. Rrjeti Global i Fermerëve, një aleancë fermerësh nga e gjithë bota, e cilësoi marrëveshjen si “planin e BE-së për të eliminuar bujqësinë moderne në Evropë”.
Ky është një projekt jorealist, pretenduan ata, i ideuar nga burokratë që nuk e kuptonin industrinë bujqësore. Në veçanti, ata kritikuan elementin që supozohet të promovojë një ushqim më të shëndetshëm dhe më të qëndrueshëm në Evropë deri në vitin 2030.
“Në dekadën e ardhshme, fermerët si unë supozohet të përgjysmojnë të mbjellat dhe njëkohësisht të reduktojnë me 20 për qind përdorimin e plehrave kimike, dhe ta transformojmë një të katërtën e tokës bujqësore totale në prodhim organik”- thotë Marcus Holtkötter, një fermer gjerman. Po ashtu Marrëveshjen e Gjelbër përfshin rregulloret për reduktimin e përdorimit të pesticideve, përmirësimin e mirëqenies së kafshëve dhe rritjen e sasisë së tokës së lënë djerrë. Kjo e fundit është një kërkesë e re. Ajo u bë e detyrueshme në vitin 1992 si pjesë e Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP) në këmbim të pagesës.
U pezullua në vitin 2008 dhe më pas u rifut vitin e kaluar. Për fermat me më shumë se 10 hektarë, 4 për qind e tokës së punueshme duhet të lihet mënjanë ose të përdoret për habitate gjysmë natyrale të përshtatshme për biodiversitetin. Disa politikanë ambjentalistë në BE duan që përqindja e tokës së lënë djerrë të rritet në 10 për qind.
Fermerët e kritikojnë këtë imponim, duke e cilësuar atë si dëshmi të mëtejshme se burokratët në Bruksel nuk e vlerësojnë industrinë e tyre. Një fushë e lënë ndjerë nuk bëhet një livadh plot me lule. Ajo mbushet nga barishtet e këqija ndaj kërkon rregullisht mirëmbajtje, e cila kushton kohë dhe mund, por pa një shpërblim financiar.
Mbi çështjen e arave të lëna pyeta një mikeshën time, Stéphanie, që drejton dy ferma drithërash në departamentin e Loiret. Ajo e cilëson si absurde këtë qasje: “Unë kam 11 hektarë tokë. Dhe nëse dua të marr subvencione, jam e detyruar të lë shumë tokë djerr. Por çfarë kuptimi ka kjo? Qëllimi i bujqësisë është të prodhosh”.
Kritikët e industrisë bujqësore franceze përmendin sasinë e madhe të subvencioneve që marrin nga BE. 53.7 miliardë euro u paguan vitin e kaluar, dhe pjesa më e madhe – 9.5 miliardë euro – shkoi për fermerët francezë. Ato u shpërndahen fermerëve që janë në përputhje me rregulloret e panumërta të BE-së.
Por për shumë fermerë më të vegjël këto janë jopraktike ose të pamundura për t’u ndjekur, ndaj ata nuk marrin subvencione. Protesta e fermerëve ka ringjallur ndjenjën brenda Francës rurale, se Parisi dhe Brukseli duan të zhdukin mënyrën e tyre të jetesës. De-industrializimi ishte katastrofik për Francën rurale, dhe bujqësia është e vetmja industri që u ka mbetur.
Nëse shkatërrohet edhe ajo, atëherë çfarë mbetet nga la belle France (Franca e bukur)?
“Njerëzit që bëjnë rregullat dhe i zbatojnë ato nuk janë nga fshati. Ata janë burokratë injorantë”- thotë Stéphanie. Shumë nga burrat dhe gratë që bllokojnë autostradat thonë se po e bëjnë këtë sepse “nuk kanë asgjë për të humbur”. Ata po luftojnë për jetesën dhe mënyrën e tyre të jetesës.
Gjashtë vjet më parë provincat u ngritën dhe marshuan në Paris me jelekët e tyre të verdhë për të protestuar kundër një takse të re mbi karburantin. Zëdhënësi i qeverisë Benjamin Griveaux deklaroi në atë kohë se ata “nuk janë Franca e shekullit XXI-të”. Në fakt janë, duan apo nuk duan qeveritarët.
Tani pyetja, jo vetëm në Francë, por në mbarë Evropën, është nëse duhet të reagojë elita politike ndaj rebelimit të fermerëve? Von der Leyen do të diskutojë mbi këtë krizë këtë javë në një samit të Këshillit Evropian në Bruksel, me 27 krerët e shteteve të BE-së. Shumë nga fermerët evropianë priten gjithashtu të mbërrijnë në kryeqytetin belg, edhe pse ata pritet të mbërrijnë aty me traktorë.