Analisti Aleksandër Çipa ka komentuar samitin e mbajtur për Ukrainën ditën e sotme në Tiranë me pjesëmarrjen e presidentit Zelensky dhe liderëve nga rajoni dhe Evropa Juglindore.
Në një intervistë për “News 24”, ai u shpreh se samiti u mbajt në kryeqytetin shqiptar për disa arsye, por kryesisht për shkak të kontekstit gjeopolitik ku ndodhet rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe Evropa juglindore që ka lidhje historike me dy kampet e Luftës së Ftohtë.
Sa i përket masave të sigurisë për samitin që pati edhe prezencën e Zelenskyt, vendi i të cilit ndodhet në luftë, Çipa tha se ky i sotmi ishte samiti me afatin më të shkurtër kohor i zhvilluar.
Sipas tij një nga vektorët që përcillet si mesazh nga ky samit është solidariteti që ofrohet në një dimension tjetër, jo vetëm në përballjen gjeostrategjike mes fuqive të njohura, por midis vendeve të rajonit.
Duke komentuar nëse Rusia mund të hedhë vështrimin drejt Shqipërisë, ai u shpreh se risku prej mësymjes apo strategjisë neokolonialiste të Rusisë është i madh për rajonin e Ballkanit.
Cilat janë arsyet e mbajtjes së samitit në Tiranë?
Ka disa arsye për mbajtjen e samitit në Tiranë, por kryesorja është konteksti gjeopolitik ku ndodhet rajoni ynë i Ballkanit Perëndimor dhe Evropa juglindore që ka lidhje historike me dy kampet e Luftës së Ftohtë. Dy vatra të cilat janë potencialisht të infektueshme nga malinjiteti nga Lindja është Serbia dhe mbi disa pika si Bosnja apo kufiri ndarës mes Kosovës dhe Serbisë ku mbahet një tension dhe ka premisa për një konflikt.
Zelensky, lideri botëror më i mbrojtur në botë vendosi të vijë në Tiranë, si e shihni?
Shumë pak e thonë reporterët deri tani, ky është samiti me afatin më të shkurtër kohor i zhvilluar ndonjëherë. Ka pasur dy seksione ky samit, bisedimet bilaterale mes Ramës dhe Zelenskyt dhe seanca me dyer të mbyllura. Rritja e kapaciteteve për aftësi mbrojtëse u tha vetëm nga Zelensky dhe nuk u artikulua nga Rama, që ngre pikëpyetje nëse ekzistojnë këto kapacitete në rajonin tonë dhe cilat do të jenë ndikimet nëse janë.
Një nga vektorët që përcillet si mesazh nga ky samit është solidariteti që ofrohet në një dimension tjetër, jo vetëm në përballjen gjeostrategjike mes fuqive të njohura, por midis vendeve të rajonit dhe fuqisë rajonale që është Rusia. Kjo mendoj se është një semantikë e plotë që lidhet me vlerën e plotë të samitit sot në Tiranë.
Çfarë fiton Shqipëria duke ndihmuar Ukrainën?
Unë mendoj se bëhen lobime dhe hapësira shqiptare ka një objekti të detyrueshëm kombëtar, kjo është mënyra si duhet të lobohet që Ukraina ta njohë Kosovën, e cila duhet diskutuar. Duhet të diskutohen çështjet e perspektivës mes palëve, në rastin konkret, pse jo jemi përpara një momenti që vendi mund të kërkojë përshpejtimin e procedurave të anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Këto përfitime që vijnë nga vendosja e këtyre marrëveshjeve në fuqi duhet të mos shkaktojnë goditje pasi jemi një rajon delikat. Kërkohet maturi dhe inteligjencë diplomatike dhe politikbërëse. Shqipëria po shfrytëzon të qenit në anëtare e NATO-s.
A mund të hedhë vështrimin Rusia drejt Shqipërisë?
Është herët të themi që ka një projekt që do të vihet në eficencë për prodhimin e armatimeve. Mendoj se risku prej mësymjes apo strategjisë neokolonialiste të Rusisë është i madh për rajonin e Ballkanit. Lidhjet historike me Rusinë të rajonit tonë janë rrezik eminent. Lëvizjet politike dhe masat parandaluese janë pozitive. Nëse protagonizmi diplomatik merr nuanca individuale kjo pastaj e shumëfishon riskun dhe risqet e tjera. Dua të besoj se ka dy momente ku diplomacia rajonale po i vlerëson drejt. Thyerja e disa prej principeve të normave ndërkombëtare në fushën e sigurisë është një nga rreziqet më të mëdha për të ardhmen.
Prezenca e Vuçiç
Nëse do të zbardhet tërësia e komunikimit në brendësi mes Vuçiç dhe pjesëmarrësve të tjerë na bëhet e mundur të shohim qasjen e tij, nëse është qasje pozitive apo është thjesht një delegim. Në rastin konkret grupi i vendeve pjesëmarrëse përfaqësonin palën e aleancës dhe kontributit për solidaritet me Ukrainën si një vend i sulmuar pa arsye.