MENU
klinika

Nga Preç Zogaj

Ç’mesazhe do të sjellë Sekretari Blinken për opozitarizmin në Shqipëri

14.02.2024 - 11:27

Shtatori i vitit 2021, kur diplomatët dhe zyrtarët e lartë të administratës së presidentit Biden deklaronin hapur shpresën dhe dëshirën e tyre për të festuar fitoren e Partisë Demokratike në zgjedhjet e radhës, njëlloj si në vitin 1992, ngjan tashmë më i largët se tridhjetë muajt që kanë kaluar; një ëndërr e fishkur kalendrash.

PD dhe opozita janë sot një konglomerat copash e copëzash që edhe po t’i bësh bashkë pa firo nuk i afrohen rezultatit të tyre në zgjedhjet politike të vitit 2021.

Në zgjedhjet vendore të majit të vitit të kaluar kjo opozitë regjistroi humbjen e saj me të thellë në historinë e demokracisë sonë. Megjithëse doli e bashkuar në mbi tetëdhjetë për qind të bashkive të vendit.

Nga muaji maj e këndej, fragmentimi ka vijuar, rënia e Rithemelimit të Berishës ka vijuar, rritja e lehtë e PD-së zyrtare të Bashës është akoma asimetrike me rënin e palës tjetër. Sipas sondazheve të fundit të Report TV, grupi më i madh i votuesve demokratë dhe opozitarë të vitit 2021 është sot grupi “pa parti”, që nuk është as me Rithemelimin, as me PD-në zyrtare, as me Partinë e Lirisë. Nuk janë elektorat gri. As abstenues nga natyra. Janë një potencial opozitar në pritje të zhvillimeve për t’u pozicionuar. “Asnjanësia” e tyre dhe e abstenuesve gri bën që tridhjetë e gjashtë përqindshi aktual i qeverisë së Ramës në shkallë vendi të përkthehej si fitore e saj me mbi pesëdhjetë për qind po të votohej nesër.

Praktikisht, opozita është problem madhor i Shqipërisë së sotme. Me përçarjen dhe agjendat e papajtueshme të pjesëve të saj, ku spikat qëndrimi i ashpër anti-SPAK i Rithemelimit, si pjesë e politikës sfiduese të këtij grupimi ndaj SHBA, Britanisë së Madhe, por edhe vendeve dyer-mbyllur të BE-së, kjo opozitë e ka privuar Shqipërinë nga rrotacioni i pushtetit. Duke mundësuar gratis vazhdimin afatgjatë të një qeverie të goditur nga skandalet e mëdha korruptive dhe konsumimi deri në velje.

Nuk mund ta dimë sa gjallë ka mbetur shpresa e aleatëve amerikanë për të festuar fitoren e PD-së në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri. Kjo mundësi e madhe rezulton sot e shpërdoruar nga vetë Partia Demokratike. Amerikanëve mund t’u vijë keq, por ata e kishin bërë të qartë: asgjë nuk do të arrihej, apo të dhurohej si me shkopin magjik. Të gjithë e mbajnë mend se në fjalën e saj në shkallët e PD-së, zonja Kim nënvizoj kushtin e fitores së demokratëve: një PD e fortë dhe e bashkuar, që të ecë përpara, por që nuk mund të bëjë përpara nëse njëra këmbë ka mbetur në të shkuarën!

Ngjarjet që kanë ndodhur nga ajo kohë janë të njohura për të gjithë. Berisha ndërmori betejën e tij të sedrës kundër SHBA, duke ua paraqitur ndjekësve të tij si betejë kundër Lulzim Bashës. “Një PD e fortë dhe e bashkuar” u bë slogani i lëvizjes së Foltores, duke i hequr fjalinë e këmbës prapa. Si përfundim, lëvizja në fjalë shkatërroi rezultatin e lartë të PD-së në zgjedhjet e vitit 2021. Në zgjedhjet vendore te vitit të kaluar Berisha konsumoi edhe premtimin më joshës dhe më mobilizues të ndjekësve të tij, atë të fitores, që rezultoi humbja më e thellë.

E vetmja fitore simbolike e Rithemelimit mund të konsiderohet marrja me një vendim të ankimuar të një gjyqtari të Gjykatës së Tiranës të selisë së PD-së, do të thotë edhe e shkallëve ku pati folur zonja Kim.

A e kishin parashikuar amerikanët reagimin e Berishës? A mos e nënvlerësuan? A mos nuk kishin informacionet duhura për potencialin e tij shpërthyes brenda PD-së?

Mendimi im është ky: as nënvlerësuar, as mbivlerësuar. Njoftimi i motivacionit të sanksionimit të tij nga vetë Sekretari Blinken ishte një akt i respektit për staturën dhe karrierën e një politikani në krye të një vendi mik dhe aleat për disa vite. Përndryshe, do të ishin mjaftuar ta publikonin në faqen e Departamentit te Shtetit si për shumë të tjerë. Apo t’ja ngarkonin shpalljen një zyrtari me profil më të ulët.

Kryesisht në rolin e njoftuesit publik të një vendimi të pjekur nga agjencitë amerikane para ardhjes së tij në krye të Departamentit të Shtetit, zoti Blinken priti të mbaronin zgjedhjet e vitit 2021 për të shmangur atë që do të kishte qenë një interferim i rëndë amerikan në garën zgjedhore.

Reagime ka gjithmonë, për çdo gjë. Por reagimet nuk ndalojnë vendimet dhe shpalljet shtetërore.

Thënë këtë, mendoj se amerikanët kanë pritur më shumë qartësi dhe mbështetje në radhët e elektoratit të qendrës së djathtë në Shqipëri; më shumë vendosmëri dhe rezultate nga Basha dhe grupi i PD-së zyrtare që e konsideron euro-atlantizmin identitetin e kësaj partie, pa të cilin nuk do të ekzistonte si e tillë.

E vërteta është se Sekretari Blinken vjen dhe gjen në Shqipëri një opozitë të dobët, në krizë, në konfuzion dhe inkoherencë qëndrimesh në raportet me SHBA, të krijuara edhe nga vakumet në komunikim. Vakume të cilat, si rregull, që nga kohërat që nuk mbahen mend, i mbush lakmia, interesi i vogël i njërit dhe tjetrit, në injorim të parimeve dhe vlerave të larta. Në zgjatjen e këtij vakumi kanë ndodhur ngjarje që e hedhin topin në oborrin e politikës amerikane dhe kërkojnë që ajo të rishprehet. Këtu kam parasysh veprime dhe akte, në qeveri dhe në opozitë, që shkojnë në drejtim të normalizimit të shpalljeve non gratta. Duke reklamuar një si symbyllje, një si tolerancë apo edhe tërheqje të Uashingtonit nga qëndrimet e deridjeshme ndaj subjekteve politike që drejtohen nga të shpallurit prej tyre non gratta apo që bashkëpunojnë me ta si individë, si subjekte politike. Njerëzit dhe demokratët kanë nevojë të jenë të qartë a ka ndryshuar qëndrimi amerikan për këtë çështje. Jo për ta gjykuar, por për ta ditur.

Demokracia përkufizohet nga ekzistenca e një opozite të suksesshme dhe të fortë. Miqtë amerikanë na e kanë thënë gjithmonë këtë. Nga kjo pikëpamje, mesazhet e Sekretarit Blinken gjatë vizitës së tij në Tiranë për opozitën dhe opozitarizmin në Shqipëri do të ishin shumë e mirëpritura dhe me vlerë të veçantë për të ardhmen demokratike te vendit tonë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!