MENU
klinika

'Kam probleme me zemrën!'

Erzen Breçani kërkon ndryshim mase nga spitali, GJKKO cakton mjekët për ekspertizën mjekësore

20.02.2024 - 14:39

GJKKO ka pranuar kërkesën e avokatëve të Erzen Breçanit për të kryer ekspertizë mjekësore, pasi pretendojnë se ka probleme me zemrën dhe qëndrimi në qelinë e paraburgimit i rrezikon jetën.

Seanca e radhës u shty për ditën e premte, ku do paraqiten dy mjekët që do kryejnë akt ekspertimin.

Avokatët e Breçanit kërkojnë ndryshim të masës së sigurisë për shkak të gjendjes shëndetësore. Ndërkohë Breçani prej disa ditësh ndodhet i shtruar në spitalin e burgut.

Arrestimi i Breçanit

Breçani u arrestua më 21 nëntor 2023 e kaluar me akuzat e pastrimit të parave dhe përkrahje të autorit të krimit.

Zbërthimi i aplikacionit SKY ECC çoi në goditjen e një  grupi kriminal më 21 nëntor. Grupi akuzohet se është përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Europë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri pjesë e së cilës dyshohen se janë zyrtarë të policisë dhe ish zyrtarë.

Lidhjet e Breçanit me grup kriminal?

Nga 11 persona për të cilët ishin lëshuar urdhra arresti, u ekzetuan 5 prej tyre, ndërsa të tjerët rezultojnë të jenë jashtë Shqipërisë.  Në pranga  si anëtarë të dyshuar të këtij grupi ranë ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani; shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni dhe Bujar Germizi emër i njohur i botës së krimit në Kukësi.

Në kërkim janë shpallur Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit,  biznesmeni Ervin Mata, vëllai i gruas së Eralbi Breçanit;  Albert Prenga; Ismail Zeneli; Bajram Grabova e Artan Sulejmani.

Sipas SPAK grupi kriminal dyshohet se ka lidhje me disa episode të sekuestrimit të trafikimit të lëndeve narkotike në Holandë, Brazili, Kolumbi, Spanjë si dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian si dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipërisë si dhe raste të pastrimit të parave.

Në njoftimin e SPAK theksohet se pjesëtarë të grupit kriminal, janë përgjegjës për 4 tentativa për trafikun e e mbi 900 kg kokainë e marijuanë në vende të ndryshme të Evropës. Ndërsa paratë e fituara nga veprimtaria kriminale më pas i pastronin në Shqipëri.

Këto janë operacionet ku janë sekuestruar sasi droge që trafikoheshin nga anëtarët e këtij grupi kriminal:

Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;

Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;

Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erëitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;

Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani;

Akuzat e SPAK

-Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje

-Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit

-Prodhimi dhe shitja e narkotikeve, Trafikimi i narkotikëve

-Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale

-Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.