“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.
Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.
Pacienti: Gërhitja, lidhja me sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru
Mjeku: Gërhitja është e padëmshme, por kur ajo ndikon në cilësinë e gjumit, mund sjell jo pak probleme për shëndetin. Mëngjese me dhimbje koke, mungesë përqëndrimi gjatë ditës, hipertension, dhimbje gjoksi janë vetëm disa nga pasojat e saj, ndërkohë që kur shoqërohet me apnea, mund të jetë edhe faktor risku për sëmundje të zemrës apo goditje në tru.
Ndërkohë që flet për të gjitha këto, tregon dhe mënyrat e trajtimit, ku veç atij medikamentoz, nuk përjashtohet edhe ndërhyrja kirurgjikale.
Çfarë është gërhitja dhe sa e zakonshme është ajo?
Gërhitja është një tingull që krijohet nga vibrimi i indeve të hundës ose fytit gjatë frymëmarrjes kur personi është duke fjetur. Rreth gjysma e njerëzve gërhasin në një periudhë të caktuar kohe gjatë jetës së tyre.
Shkaktarët e gërhitjes?
1-Mund të përmendim obezitetin dhe shtatzaninë të cilët ndikojnë në trashjen e indit mukozal në hundë dhe gojë.
2-Faktorët gjenetike gjithashtu mund të shkaktojnë gërhitje duke përfshirë këtu tonsila (bajame) të zmadhuara, adenoide (mish i huaj në hundë) të zmadhuara, uvula ose qielleza e zgjatur. Gërhitja vihet re më shpesh te anëtarët e së njëjtës familje.
3-Gjithçka që bllokon frymëmarrjen me hundë mund të shkaktojë gërhitje, pershembull: alergjitë, gripi ose deformimet e septumit nazal.
4-Alkooli, duhani apo disa lloje medikamentesh (kryesisht sedativet) të cilët shkaktojnë relaksim të muskulaturës çojnë në gërhitje. Plakja gjithashtu ndikon në relaksim të muskulaturës.
Si lidhet ajo me sëmundjet e tjera?
Gërhitja është e padëmshme por kur ajo ndikon në cilësinë e gjumit mund të shoqërohet me këto simptoma: përgjumje gjatë ditës, mungesë përqëndrimi, dhimbje koke në mëngjes, djegie ose tharje fyti, gjumë jo i qetë, mbytje gjatë natës, hipertension, dhimbje gjoksi natën etj. Gërhitja e rëndë shpesh shoqërohet me një çrregullim të gjumit të quajtur Apnea obstruktive e gjumit (Obstructive sleep apnea), një crcregullim serioz i gjumit dhe një faktor riku për sëmundje të zemrës, atake në tru, diabet dhe shumë probleme të tjera shëndetësore.
Çfarë lidhje ka mes gërhitjes dhe sëmundjeve të zemrës?
Siç e përmendëm edhe më lart, kur gërhitja është e rëndë mund të shoqërohet me Apnea obstruktive të gjumit e cila nga ana e saj shoqërohet me risk të lartë për sëmundje kardiovaskulare. Lidhja mendohet të ekzistojë për shkak të prevalencës së lartë për hipertension në personat me apnea obstruktive e gjumit.
Gërhitjes dhe sulmeve në tru?
Edhe lidhja e gërhitjes me ataket në tru ka të njëjtin shpegim: hipertensionin.
Sa ndikon mënyra se si flejmë/ stili i jeteses/ mënyra se si ushqehemi/ mbipesha?
Të gjitha këto që ju përmendët ndikojnë në gërhitje. Le t’i marrim një e nga një.
1- Mënyra se si ne flemë ndikon në gërhitje. Pozicioni i shtrirë mbi shpinë çon në ngushtimin e kalimit të ajrit nëpërmjet hundës dhe gojës duke rezultuar në gërhitje e cila mund të jetë nga e lehtë deri në apnea e gjumit.
2-Stili i jetesës. Personat që konsumojnë alkool dhe duhan sigurisht që gërhasin më shumë. Shmangia e tyre çon në reduktim të gërhitjes. Gjithashtu edhe aktiviteti fizik përmirëson gërhitjen duke bërë tonifikim të muskujve.
3-Menyra se si ushqehemi ndikon në gjendjen tonë fizike. Kequshqyerja çon në mbipeshë e cila nga ana e saj ndikon në gërhitje. Edhe disa ushqime pikante akuzohen se ndikojnë në gërhitje pasi ato shtojnë refluksin gastroezofageal.
A është e vërtetë se meshkujt gërhasin më shumë se femrat dhe pse?
Është e vërtetë që gërhitja vihet re më shpesh te meshkujt edhe pse kjo nuk e përjashton faktin që edhe femrat gërhasin. Nga studimet është vënë re se gërhasin rreth 40% e meshkujve dhe 24 % e femrave. Arsyeja pse meshkujt gërhasin më tepër se femrat ka të bëjë me ndryshimet anatomike midis meshkujve dhe femrave. Meshkujt kanë hapësirë faringeale më të madhe dhe ndryshime më të mëdha të rrugëve të kalimit të ajrit gjatë ndryshimit të pozicionit, nga pozicioni në këmbë në pozicion shtrirë. Një tjetër arsye lidhet me stilin e jetesës. Dimë që konsumatorët më të mëdhenj të duhanit dhe alkoolit janë meshkujt.
Çfarë mund të bëjmë për ta shmangur gërhitjen. Ka ndonjë kurë që e zhduk definitivisht?
Duke qenë se shkaktarët janë të shumtë, edhe mënyrat e trajtimit variojnë.
Fillimisht ndryshojmë mënyrën e jetesës duke shmangur të gjithë shkaktarët e lartpërmendur.
Trajtimi medikamentoz si dekongjestionantet nazale, kortizoniket nazale dhe antihistaminiket oralë përdoren në rastet e bllokimit të frymëmarrjes me hundë.
Pajisjet kundër gërhitjes janë një tjetër alternativë trajtimi e gërhitjes. Ekzistojnë pajisjet nazale, orale dhe mandibulare të avancuara (MAD).
Kirurgjia mbetet alternativa e fundit për trajtimin e gërhitjes kur të gjitha mënyrat e tjera të trajtimit kanë dështuar. Ekzistojnë disa teknika operatore ku përmendim: Uvulopalatofaringoplastika (UPPP), Uvulopalatoplastika, Implantet palatine dhe ablacioni me radiofrekuence i qiellëzës.
Këshilla?
1-Humbisni peshë nqs jeni obeze
2-Shmangni alkoolin pas orës 6.00 pasdite
3-Shmangni medikamentet gjumëdhënëse
4-Ndaloni duhanin
5-Trajtoni kongjestionin nazal
6-Ushtroni aktivitet të rregullt fizik
7-Flini anash dhe jo në shpinë
Nqs i keni zbatuar të gjitha këshillat dhe gërhitja gjatë natës persiston, atëherë duhet të konsultoheni patjetër me një mjek ORL.
Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.