MENU
klinika

Uashingtoni i lë përgjegjësinë Brukselit

Heqja e dinarit serb në Kosovë, SHBA “lan duart”

14.02.2024 - 14:58

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian dhe “dora e tyre” në Ballkan, janë një paradoks i madh dhe rast pas rasti duket se e tregojnë këtë. Heqja e dinarit serb në Kosovë më 1 shkurt, ka nxitur reagimin e tyre të menjëhershëm, madje SHBA ka shprehur edhe shqetësimin se vendimi rrezikon të nxisë tensione të reja në veri për shkak të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, që thotë se euroja është e vetmja valutë zyrtare në vend, dhe që ndalon dinarin serb, me të cilin komuniteti serb në veri ka marrë mjete nga Serbia. Ishte ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ai që artikuloi këtë “merak amerikan” pak ditë pas vendimit. Nga ana tjetër edhe BE shprehu “vërejtjet” e saj. Megjithatë, të dyjave iu lexohet nën rreshta një përpjekje për tu distancuar nga kjo situatë, madje edhe për “të hedhur topin” në fushën e njëra-tjetrës”.

Deklarata e Escobar
Kjo u tregua qartazi nga deklaratat e fundit të të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i cili tha se ky vendim i ri duhet të zgjidhet në tryezën e dialogut në Bruksel dhe t’i komunikohet qytetarëve që preken për një kohë të vazhdueshme. Ndër të tjera, Escobar theksoi se SHBA është e gatshme t’i ndihmojë të dyja vendet. Lidhur me këtë deklaratë Escobar iu referua qëndrimeve të ambasadorit amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier. “Kjo çështje duhet të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE si dhe që vendimet të tilla duhet të komunikohen me kohë të mjaftueshme dhe me njoftim të mjaftueshëm te popullata e cila ndikohet; dhe ne qëndrojmë të gatshëm t’i ndihmojmë të dyja vendet që të zgjidhin çështjen. Por, që të dyja duhet t’i rikthehen dialogut dhe t’i përmbushin marrëveshjet ekzistuese”, tha Gabriel Escobar në një prononcim për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”. Escobar shtoi se “shumë nga këto çështje” parashikohen të zgjidhen përmes Asociacionit të Komunave të banuara me shumicë serbe, përkatësisht se në draft-Statutin e BE-së ky trup do të financohej nga Serbia përmes një banke të regjistruar dhe licensuar nga BKQ, ku edhe do t’i nënshtrohej vëzhgimit dhe transparencës.

Dialogu si zgjidhje
Në lidhje me këtë çështje foli edhe ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill. Në Uashington, ku mori pjesë në një pritje me rastin e Ditës së Shtetësisë së Serbisë, Hill, i pyetur nga “Tanjug” për të komentuar vendimin e Prishtinës se faza kalimtare e zbatimit të dekretit për ndalimin e dinarit nuk mund të zgjasë më shumë se tre muaj pa tërhequr dekretin, ai tha se nuk dëshiron të hyjë në detaje se çfarë po ndodh aktualisht mes dy vendeve, por se duhet të ketë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe “të arrihet normalizimi”. “Ne do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje përmes dialogut për normalizimin e marrëdhënieve dhe do të shohim për pjesën tjetër”, tha Hill. I pyetur nëse dialogu është në errësirë ??pas lëvizjeve të fundit të Prishtinës, ambasadori thotë se nuk dëshiron ta karakterizojë dialogun dhe ia lë këtë të dërguarit të BE-së, Miroslav Lajçak, por beson se shumë probleme, përfshirë edhe ky, duhet të zgjidhen me dialog.

Deklarata e BE
Por vetë BE “i lau duart” menjëherë pas vendimit, duke thënë se nuk ka pasur konsultime paraprake “veçmas për ndikimin që mund të ketë në spitale dhe shkolla, duke pasur parasysh “mungesën e alternativave në këtë moment”. “BE-ja vë në pah se kjo rregullore do të ndikojë po ashtu në mbështetjen financiare që marrin serbët e Kosovës nga Serbia”, u tha në deklaratën e lëshuar nga Bashkimi Evropian më 1 shkurt. BE-ja i bëri thirrje Kosovës që të ofrojë një periudhë të gjatë tranzicioni dhe “të gjejë një zgjidhje të negociuar për këtë çështje në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar” nga blloku. “Periudha e shkurtër kohore e tranzicionit për zbatimin e rregullores, së bashku me mungesën e informacionit dhe zgjidhjeve praktike për të gjitha komunitetet e prekura, rrezikon që të ndërlikojë seriozisht jetën e tyre”, tha BE-ja në fillim të muajit, dukshëm duke lënë të hapur një çështje, ku ajo nuk do të ndërhyjë, ndonëse është detyra e saj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Po na merret buka e gojës, të ndalohet ky vendim"

Serbët protestë në Mitrovicën e Veriut kundër ndalimit të dinarit

“Bomba” e Ballkanit gati të shpërthejë

Rreziku i madh që i kanoset rajonit nga Serbia

Një linjë telefonike ku mund të informohen për rregulloren

Përplasja Kosovë – Serbi për dinarin, BQK bën lëvizjen e parë


Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!