Kukësi vijon të zhytet gjithnjë e më shumë drejt fundit, për herë të parë, që pas rikthimit në elitë, klubi verilindorëve rrezikon jashtëzakonisht të zbres një kategori më poshtë. Humbja e fundit kundër Erzenit, një humbje 1-2 me përmbysje, “saldon” Kukësin në vendin e vendin me 19 pikë, 7 pikë larg zonës “play out”. Si të mos mjaftojë loja e dobët e ekipit, ndryshimi i shpeshtë i trajnerëve, një problem më vete po kthehen edhe tifozët, më këta të fundit që ndeshje pas ndeshje po kthehen në pengesë për ekipin duke sjell dënime të ndryshme në mënyrë konstante. Ndërtimi i stadiumit të ri dukej si një bekim për Kukësin, por për fat të keq po rezulton e kundërta.
Në sfidën kundër Erzenit, gjithçka preku fundin teksa tifozët invaduan fushën duke bërë që dy ekipet t’i drejtoheshin dhomave të zhveshjes, ndërsa delegati kërkoi që stadiumi të boshatisej. Tifozët nuk kursyen as arbitrin e ndeshjes e as zyrtarë të policisë, duke goditur me sende këta të fundit, ndërsa delegati i ndeshjes kërkoi që stadiumi të boshatisej përpara se të rifillonte ndeshje pas 25 minutash ndërprerje. Si të mos mjaftojnë këto akte të rënda, që pritet të sjellin një dënim shembullor për klubin e Kukësit, si ekipi organizator, një nga grupimet kryesore të tifozëve të Kukësit, “Armata e Veriut”, reagoi me një status në rrjetet sociale, duke kaluar çdo limit teksa kërcënojnë edhe gjyqtarët:
“Ju kishim paralajmëruar! Çdo herë që kanë ndodhur padrejtësi ndaj ekipit të Kukësit kemi ngritur zërin dhe kemi qenë gjithmonë kundër instancës më të lartë të futbollit në Shqipëri, e ashtuquajtur F$HF. Ju mund të na dënoni fushën, mund të na largoni nga stadium, por kurrë nga ekipi i zemrës. Ne do të jemi aty, në fitore, në humbje, kampion ose dhe në një kategori më poshtë. E sotmja ishte një paralajmërim! Vendosni drejtësi ose do të përballeni me ne në stadium, në rrugë apo kudo. Dhe për arbitrat, ua dimë shtëpitë dhe ju njohim shumë mirë kush jeni. Kujdes! Forca Kukësi, me ty gjithmonë!”