Përtej shenjave të gishtërinjve apo njohjes së fytyrës, telefonat celularë do t’i zhbllokojmë me frymën tonë. Këto janë parashikimet për një të ardhme jo të largët.
Çdo individ ka një mënyrë unike për të lejuar ajrin të dalë nga goja, nisur nga rrugët e frymëmarrjes, faringu, laringu, sinuset paranazale, si dhe ndryshimet në shpejtësinë e emetimit të frymëmarrjes.
Kjo veçori mund të ndihmojë në zhvillimin e një lloji të ri testi identifikimi për t’i bërë telefonat tanë celularë edhe më të sigurt, duke kapërcyer një dobësi që ekziston me metodologjitë aktualisht në përdorim.
I pari që kuptoi potencialin e llojit të ri të lëshimit ishte një ekip shkencëtarësh indianë nga Instituti i Teknologjisë Madras në Chennai. Pothuajse rastësisht, anëtarët e tij filluan të eksperimentojnë me të dhënat e frymëmarrjes të regjistruara nga një sensor i shpejtësisë së ajrit, për të kuptuar nëse mund të lexoheshin nga Inteligjenca Artificiale.
Qëllimi fillestar ishte të kuptonim nëse teknologjia mund të na ndihmonte të identifikonim njerëzit që vuanin nga vështirësitë në frymëmarrje, me qëllimin për të qenë në gjendje të krijonim ilaçe më efektive. Megjithatë, shpejt u bë e qartë se të dhënat e mbledhura tregonin shumë më tepër.
Testet u kryen mbi 94 vullnetarë të të dy gjinive, nga të cilët u regjistruan 10 frymëmarrje të njëpasnjëshme, duke përdorur një sensor të shpejtësisë së ajrit, i aftë për të marrë mbi 10 mijë lexime në sekondë.
Të dhënat e mbledhura u analizuan nga softueri IA duke hartuar një profil të frymëmarrjes për secilin prej personave.
Falë kësaj, studiuesit ishin në gjendje të verifikonin me saktësi të nivelit 97%, nëse një frymë e re vinte apo jo nga subjekti në shqyrtim, thjesht bazuar në shpejtësinë e emetimit.
Sipas Mahesh Panchagnula, i ngarkuar si drejtues i eksperimenteve, rezultatet mund të përmirësohen në mënyrë drastike duke përsosur procedurën falë përfshirjes së parametrave të rinj që do të maten, të tilla si dendësia e ajrit, temperatura, përbërja, etj.
Telefonat inteligjentë aktualë, në fakt mund të zhbllokohen edhe duke përdorur gishtin ose fytyrën e një personi që ka ndërruar jetë, por në asnjë rast nuk do të ishte e mundur të përsëritej frymëmarrja e tyre.