MENU
klinika

Dritan Hila

Mesazhet e gjata të një vizite të shkurtër!

16.02.2024 - 15:09

Tetë orë vizitë mjafton për të dhënë shumë mesazhe. Aq më shumë kur ke një botë për të mbajtur nën kontroll, botë që është si një kazan me presion.

Blinken i ra shkurt që të mendohen gjatë. Sidomos kur kjo vizitë bëhet një vit përpara zgjedhjeve, natyrisht që ka edhe mesazhet e saj.

Sikurse Hillary Clinton, edhe Blinken erdhi një vit përpara zgjedhjeve në Tiranë. Ndryshe nga Clinton që lavdëroi demokracinë shqiptare, Blinken lavdëroi Ramën, gjë që nuk ka ndodhur me asnjë sekretar shteti më parë. Kjo i siguron Ramës një aksion personal në sytë e amerikanëve, por është edhe një rrëzim i gjithë akuzave të opozitës për implikime të Ramës në afera amerikane të tipit McGonigal.

Blinken takoi Begën për protokoll dhe Dumanin për të treguar se kush është për SHBA-në opozita e vërtetë.

Nuk takoi asnjë nga Foltorja, as nga Partia e Lirisë dhe as nga partitë satelite. Pra për SHBA-të kjo opozitë nuk ekziston. Kjo opozitë është më keq se PPSH-ja në vitin ’90-të, pasi jo vetëm që nuk është e pranuar, por as Nano e as Alia nuk ishin non-grata.

Blinken nuk takoi as Bashën. Kjo është një tërheqje veshi për të treguar që Uashingtoni nuk mund të bëjë luftërat që i takojnë t’i bëjë vetë Basha. Fundja ata e kanë një bashkëbisedues në Tiranë. Nëse nuk kanë një të dytë, kjo nuk është punë e tyre.

Tirana për herë të tretë konsiderohet dhe vlerësohet interlokutore e besueshme për Uashingtonin dhe BE-në, duke fituar garën me Beogradin, por edhe një mesazh se kush është partneri i Uashingtonit për botën shqiptare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN