Shkatërrimi dhe transformimi i pasurive kulturore në kundërshtim me karakterin e tyre historik ose artistik përbën po ashtu vepër penale, e cila është po aq e rëndë sa vjedhja dhe trafikimi i tyre.
Instituti Kombëtar i Regjistrimit të Trashëgimisë Kulturore solli në rrjetet sociale një shembull të dëmtimeve të konstatuara.
Sipas këtij institucioni, nga objektet e sekuestruara ndër vite nga Policia e Shtetit në kuadër të operacioneve të përbashkëta policore janë konstatuar dëmtime, ndërhyrje dhe transformime në objekte të trashëgimisë kulturore.
IKRTK përcolli pamje nga pjesë të ikonostasit të Kishës së Shën Thanasit Karavasta si dhe portës së hyrjes kryesore në Kishën e Shën Kollit në Vanaj. “Këta janë vetëm disa prej këtyre objekteve të transformuara në “mobilje”, të cilat gjenden në ruajtje në ambientet e IKRTK”, thuhet në postim.