Hysen Meta, djali 25-vjeçar i cili akuzohet për vrasjen e babait të tij, ka dhënë dëshminë e tij.
Krimi i rëndë ka ndodhur në datën 10 shkurt, rreth orës 15:00, por policia ka nisur hetimet tre ditë më pas, pas denoncimit të vetë djalit për zhdukjen e babait.
Mesohet se Hyseni në dëshminë e tij ka thënë se për krimin ka bëshkëpunuar me të motrën.
Ai tregon se babai ishte bërë i padurueshëm në familje, si dhe i qëndron sërish arsyes se ka dashur të fejonte vajzën me detyrim.
“Planin për vrasjen e babait e bëmë së bashku me motrën sepse ai ishte bërë i padurueshëm në familje. Për gjithçka në familje duhej të vendoste ai dhe të bëhej si thoshte ai. Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. E fundit ishte vendimi për të fejuar motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte në kundërshtim me dëshirën e saj.
Në këto kushte vendosëm ta vrisnim e të zhduknim gjurmët. Vendosëm ta vrisnim me pistoletën e tij. Kështu që në mëngjes bëmë planin për ta vrarë.
Pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. Në dhomë me mua ishte edhe motra. I thashë babait çohu. Ai u çua në këmbë dhe pastaj unë e qëllova 4 herë me pistoletë”, mësohet se ka dëshmuar 25-vjeçari.
Për të fshehur dhe groposur trupin e të atit në kasollen ku u gjet, ata kanë marrë ndihmën edhe të vëllait të vogël, 21-vjeçar.
“Më pas u morëm me zhdukjen e gjurmëve. E zhveshëm dhe e mbështollëm me plasmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.
Më vonë larguam dhe makinën. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë të cilit i thamë se na duhej për nja një orë makina e tij. E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut që e ngiste vëllai im.
Pastaj me datën 13 unë u paraqita në polici dhe denoncova largimin e babait nga shtëpia”, mësohet nga dëshmia e djalit.
Krimi i rëndë ka ndodhur në datën 10 shkurt, ndërsa policia nisi hetimet pasi vetë 25 vjeçari denoncoi zhdukjen e babait.
Hyseni dhe motra 19 vjeçare akuzohen Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare” ndërsa Amarildo Meta akuzohet për ndihmën që ka dhënë për fshehjen e trupit duke e groposur në kasolle.
Nga detajet që ka zbuluar policia krimi i paramenduar ka ndodhur brenda një dhome të shtëpisë dhe më pas kanë transportuar trupin e pajetë të babait të tyre duke e varrosur pranë një kasolleje në oborr.
Në banesë u gjet edhe një predhë e armës së zjarrit me të cilën ishte kryer krimi.
Trupi i viktimës u gjet në datën 22 shkurt, i varrosur në ambientet e brendshme të banesës.
Në arrest janë 25-vjeçari Hysen Meta, 19-vjeçarja Hygerta Meta, të dy fëmijët e viktimës që kanë qenë bashkëautorë në këtë krim të rëndë.
Gjithashtu është arrestuar dhe djali tjetër, Amarildo Meta, 22 vjeç që ka ndihmuar me veprimet, ndërsa po hetohet në gjendje të lirë dhe nëna e fëmijëve Blerina Meta për veprën penale për veprime që pengojnë të vërtetën.