MENU
klinika

Nga Eduard Zaloshnja

Shkelja e Kodit Rrugor mund të rrezikojë jetën, por edhe kuletën…

05.02.2024 - 11:55

Aktiviteti i Policisë Rrugore është shtuar ndjeshëm vitet e fundit, sidomos pas futjes në përdorim të pajisjeve të avancuara teknologjike. Kuptohet se synimi i futjes së këtyre pajisjeve është që të dekurajohen shkeljet e Kodit Rrugor, e si rrjedhojë, të pakësohen viktimat rrugore.

Kodi Rrugor aktual dihet që nuk është shpikur në Shqipëri (gjithashtu, as pajisjet teknologjike). Për çdo nen të kodit që kemi adoptuar nga vende të tjera, janë kryer me dhjetra, në mos qindra studime statistikore-ekonomike në botë, për të matur efektin e tyre.

Efekti më i ndjeshëm (por më i lehti) për drejtuesit e automjeteve është ai që prek drejtpërdrejti kuletën e tyre, përmes gjobave për shkelje të Kodit Rrugor. Kështu, vetëm në javën paraardhëse u vunë 9600 gjoba në Tiranë. Ndërsa vjet në gjithë Shqipërinë, u vunë rreth 850 mijë gjoba nga policët rrugorë. Ndër këto gjoba, rreth 16% kanë qenë për parakalim të gabuar, rreth 14% për mosrespektim sinjalistike, rreth 10% për tejkalim shpejtësie, rreth 8% për rripin e sigurisë, rreth 6% për përdorim celulari në timon, etj., etj.

Po kuptohet që efekti më i rëndë për drejtuesit e automjeteve që nuk zbatojnë Kodin Rrugor është kur vdesin ose gjymtohen në aksidente rrugore!

Lajmet për aksidente të tilla janë të dhimbshme për çdo shqiptar që i dëgjon/lexon ato, por dhimbjen e këtyre aksidenteve mund t’a ndjejnë thellë në shpirt vetëm ata që humbasin familjarët apo të afërmit. Gjithashtu, mund ta ndjejnë thellë edhe të gjithë ata që, si rezultat i aksidenteve rrugore, humbasin një dorë, një krah, një këmbë, ose që pësojnë trauma me pasoja afatgjata për shëndetin e tyre.

Përtej dhimbjeve shpirtërore e fizike, aksidentet rrugore u shkaktojnë individëve e shoqërisë edhe një kosto të konsiderueshme ekonomike. Sepse çdo aksident shoqërohet edhe me koston e policisë rrugore që shkon në vendin e ngjarjes, me koston për transportimin e të plagosurve në spital, me koston për mjekim/reabilitim, me dëmin që u shkaktohet automjeteve, me vonesat e trafikut që shkaktojnë humbje kohe e karburanti, me humbjen e aftësisë për të prodhuar të mira materiale, si dhe me shpenzime administrative të ndryshme.

Deri më sot, për mungesë të të dhënave të detajuara, asnjë ekonomist nuk ka arritur të vlerësojë sa i kushtojnë faktikisht shoqërisë shqiptare aksidentet rrugore. Dhe ndoshta do të duhet të kalojnë shumë vite përpara se dhëna të tilla të vihen në dispozicion të ekonomistëve. Ndërkohë, një vlerësim i përafërt mund të bëhet duke i përshtatur kostot e vendeve të tjera sipas kushteve të Shqipërisë. Për këtë qëllim, mund të përdoret, p.sh., një studim rreth kostos ekonomike të aksidenteve rrugore që kam kryer për Pacific Institute for Research and Evaluation, sipas të cilit një aksident rrugor i kushton mesatarsisht individëve/shoqërisë amerikane rreth 78 mijë dollarë (me vlerën aktuale të dollarit).

Për ta konvertuar këtë kosto në një shifër të përafërt me kushtet e Shqipërisë, disa axhustime statistikore janë të domosdoshme. Së pari, këto axhustime duhet të marrin parasysh raportin të vdekur / të plagosur / të paplagosur në aksidente, i cili në Shqipëri, fatkeqsisht, anon ndjeshëm nga vdekjet dhe plagosjet. Së dyti, axhustimet duhet të marrin parasysh diferencat në koston e mjekimit/rehabilitimit të të plagosurve, e cila është rreth 8 herë më e lartë në SHBA. Së treti, ato duhet të marrin parasysh diferencat në koston e zëvendësimit apo riparimit të automjeteve, e cila është rreth 3.1 herë më e lartë në SHBA. Dhe së fundi, në mënyrë që të konvertohet vlera e të mirave materiale që nuk prodhohen dot si pasojë e plagosjes apo humbjes së kohës nga aksidentet, axhustimet duhet të marrin parasysh edhe sa është vlera mesatare e produkteve apo shërbimeve që një punonjës prodhon në ditë në secilin vend.

Pas këtyre axhustimeve statistikore, rezulton se një aksident rrugor i kushton aktualisht shoqërisë shqiptare rreth 10 mijë dollarë mesatarisht. Ose përmbledhtazi, kostoja totale ekonomike e aksidenteve rrugore në Shqipëri i afrohet shifrës 13 milionë dollarë në vit.

Që kostoja ekonomike e aksidenteve rrugore të ulet, mund të përdoren dy qasje. Së pari, mund të synohet pakësimi i numrit të aksidenteve, dhe së dyti, mund të synohet ulja e shkallës së dëmtimit të njerëzve të përfshirë në aksidente. Përqasja e parë kërkon përmirësim të rrugëve e sinjalistikës rrugore, respektim të rreptë të rregullave të qarkullimit, dhe ulje të ndjeshme të numrit të drejtuesve të dehur të automjeteve ose të atyre që përdorin celularin në timon. Ndërsa e dyta kërkon përdorimin e rripave të sigurisë e të ndejtëseve të posaçme për fëmijët deri në 5 vjeç, si dhe pajisjen e makinave me jastëkë ajri mbrojtës.

Ndër këto masa, disa janë të kushtueshme për t’u realizuar, por disa të tjera kushtojnë fare pak. Kështu, në qoftë se të gjithë njerzit që udhëtojnë me automjete përdorin rripin e sigurisë, numri i vdekjeve nga aksidentet pakësohet pothuajse 40%, dhe numri i plagosjeve të rënda pakësohet me 26%. Përkthyer në gjuhën ekonomike, kjo do të thotë se efekti në koston totale të aksidenteve do të ishte një ulje rreth 28%.

Në mënyrë të ngjashme, në qoftë se shpejtësia mesatare e ngarjes së automjeteve në të gjithë vendin ulet me 5km/orë, numri i aksidenteve, e për rrjedhim edhe kostoja totale e tyre, do të ulej 25%. Ndërsa një përgjysmim i numrit të shoferave të pirë, apo që përdorin celularin në timon, do të ndikonte në një reduktim prej 21% të faturës që shoqëria shqiptare paguan për aksidentet rrugore.

Për të realizuar kursime të tilla, qeverisë i duhet të bëjë shpenzime për përmirësimin e rrugëve/sinjalistikës rrugore, për pajisje teknologjike që kontrollojnë zbatimin e Kodit Rrugor, e për fushatën e ndërgjegjsimit të publikut. Dhe këto janë shpenzime që shoqërohen me kursimet e sipërpërmendura për shqiptarët e thjeshtë, si individë dhe si pjesëtarë të shoqërisë.

Futja e aparaturave të monitorimit/gjobitjes automatike të shkelësve të Kodit Rrugor është një hap i mirë dhe i lirë në këtë drejtim, i cili duhet të pasohet me një sistem efikas për vjeljen e gjobave (që ato ta luajnë rolin parandalues). Fushata e ndërgjegjsimit të publikut mund të jetë një hap tjetër me kosto të ulët, i cili duhet hedhur sa më shpejt.

Ndërsa përmirësimi i rrugëve/sinjalistikës rrugore kërkon një investim afatgjatë e të vazhdueshëm…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!