MENU
klinika

Debuton sot ndaj Teutës

Tirana prezanton trajnerin e ri, Erbim Fagu i treti në këtë sezon!

20.02.2024 - 13:37

Erbim Fagu është trajneri i ri i Tiranës. Klubi bardheblu ka njoftuar se 36-vjeçari do marrë drejtimin e bankinës si pasuesi i Julian Ahmatajt, i larguar pas humbjes në derbi kundër Partizanit.

Fagu është një njohës i ambientit bardheblu pasi në sezonin 2021-2022 kur u shpallën kampionë ka qenë ndihmësi i Orges Shehit, ndërsa në të kaluarën si futbollist ka qenë edhe pjesë e Tiranës. Detyra e tij është të kthejë skuadrën te rezultatet pozitive dhe ta bëjë gati për ‘final-four’, faza e fundit ku do diskutohet titulli kampion në Superligë.

Sa i përket Ahmatajt, i cili pasoi Orges Shehin në tetor, aventura e tij në krye të bardhebluve zgjati vetëm 5 muaj, ndërsa çuditërisht një ditë më parë doli edhe në konferencën për shtyp në prag të ndeshjes së kupës kundër Teutës. Pikërisht në këtë ndeshjes, sot në orën 17:00, Fagu do debutojë si trajner i Tiranës.

Erbim Fagu bëhet kështu trajneri i tretë këtë sezon te Tirana, ndërsa ndërrimi i trajnerëve në Superligë është kthyer në modë. Deri më tani vetëm Edlir Tetova i Egnatias dhe Ivan Gzozdenovic i Skënderbeut janë të vetmit trajnerë të cilët nuk janë shkarkuar.