Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka hedhur akuza të forta ndaj përfaqësuesve të Bashkimit Europian, gjatë një deklarate për mediat.
“Ai është një kriminel i korruptuar”- kështu i është drejtuar Vuçiç eurodeputetit Shilder, duke thënë se ka qenë i shitur te shqiptarët.
Vuçiç tha se shumë eurodeputetë të BE-së duan që ai të vdesë dhe hedhin akuza të pabaza ndaj tij.
Ai tha gjithashtu se Serbia është një vend i lirë e liridashës dhe për veten e tij tha se nuk është vrasës, ashtu siç e cilësojnë sipas tij, përfaqësuesit e BE.
“Ju kujtohet Menendez? Senatori që na shkaktoi problemet më të mëdha dhe për të cilin thashë se ishte thuajse e sigurtë që paguhej nga shqiptarët? Dhe pastaj e arrestuan dhe i gjetën argjend, ar, etj. Unë po i kërkoj atij, Shilder që të dalë me gjithçka që kanë për mua.
Zot na ruaj t’ju them gjithçka që di për ta. Ka vite që thonë se jam vrasës, unë i përbuz vrasësit, jo vetëm që nuk kam vrarë, por nuk jam përfshirë asnjëherë në asnjë krim.
Unë nuk kam llogari jashtë këtij vendi, të kërkojnë edhe në mars po të duan. Gjithçka që kam e kam në këtë vend. E kanë të qartë se nuk më trembin dot. Serbia është një vend i lirë dhe liridashës. Në BE ka shumë pijanec. Më dëshirojnë të vdes”, tha Vuçiç.