Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë sot në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Ballkanit Perëndimor me BE.
Samiti-Berlinit-Tirane-Edi-Rama-pritja-Van Der Leyen-Sholz-Kurti-Abazovic-Mitsotakis-Bernabic-Mishel-Charls (22)
Kreu i qeverisë së Kosovës mësohet se për shkak të angazhimeve të mëparshme nuk do të jetë i pranishëm fizikisht, por virtualisht përmes një videomesazhi.
“Për shkak të angazhimeve të mëparshme, kryeministri I Kosovës, Albin Kurti nuk do të jetë I pranishëm fizikisht në Samitin e sotëm në Tiranë. Megjithatë kryeministri Kurti do të jetë pjesë e Samitit virtualisht përmes përmes një video-adresimi”, ka deklaruar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu për Kosova Press.
Zbardhet axhenda
Pas samitit të zhvilluar dje (28 shkurt) në Tiranë për Ukrainën, sot (28 shkurt) kryeqyteti do të presë një tjetër samit, atë të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe zyrtarëve të lartë të BE-së, me fokus integrimin e rajonit në Bashkimin Europian dhe zbatimin e planit të rritjes ekonomike.
Ky samit do të ofrojë gjithashtu mundësi të reja për një shkëmbim pikëpamjesh mbi të ardhmen evropiane të rajonit dhe mbi sfidat e përbashkëta rajonale. Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave të duhura dhe kryerjen e investimeve, që mund të avancojnë procesin e zgjerimit të BE-së me këto vende.
Plani i zgjerimit të Ballkanit Perëndimor bazohet në 4 shtylla kryesore. Rritja e integrimit ekonomik me tregun unik të Bashkimit Evropian. Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal.
Përshpejtimi i reformave themelore. Rritja e ndihmës financiare. BE-ja do të hapë zona të caktuara të tregut të përbashkët të BE-së për partnerët e Ballkanit Perëndimor përpara anëtarësimit, duke sjellë përfitime të prekshme për qytetarët e tij.
Si përfaqësues i BE-së do të jetë në Tiranë komisioneri për Zgjerimin e Fqinjësinë, Oliver Varhelyi, ndërsa presidentja e KE-së, Ursula Von der Leyen nuk do të jetë e pranishme.
Për herë të parë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut do të jetë i pranishëm në samit edhe Talat Xhaferi. Sot sipas agjendës të publikuar, samiti do të mbyllet me një konferencë të përbashkët për shtyp me Varhelyi.
09:30 – DOORSTEP, MBËRRITJA E LIDERËVE (Pallati i Kongreseve)
09:45 – FJALËT HAPËSE KRYEMINISTRI RAMA – KOMISIONERI VARHELYI
10:45 – FOTO FAMILJARE
12:00 – FIRMOSJA E MARRËVESHJES
12:30 – KONFERENCË PËR SHTYP