Nëse edhe ju jeni një nga gratë që po përjetojnë periudhën e menopauzës, pa e kuptuar realisht se çfarë i ndodh trupit apo trurit, atëherë aktorja Halle Berry ka një sugjerim për të gjitha bashkëmoshataret e saj dhe jo vetëm!
Duket si një gamë recetash të gatshme me ide dhe metoda se si ta kaloni sa më lehtë këtë periudhë, por në fakt bëhet fjalë për librin që po lexohet në të gjithë botën dhe Halle zgjodhi ta ndajë me 8.6 milionë ndjekësit e saj virtualë.
“Truri i menopazës” është titulli i librit me autore Lisa Mosconi-n, ndërsa aktorja e njohur ka zgjedhur të veçojë pesë nga mënyrat më praktike dhe të vlefshme për të gjitha gratë që e kalojnë këtë gjendje.
#1 Kuptoje që nuk ke probleme të shëndetit mendor
Afshet e nxehta njihen si efekte anësore të menopauzës, por shumica e mjekëve thjesht nuk e bëjnë dot lidhjen mes menopauzës dhe simptomave të tjera si ankthi, pagjumësia, depresioni apo çrregullimet e trurit. Por, ajo që duhet të dini është se menopauza ndryshon trurin dhe është krejt normale të ndiheni jo mirë nga ana mendore. Por, mos harroni! Gjithçka do të përmirësohet me kalimin e kohës.
#2 Simptomat mund të jenë fizike dhe neurologjike
Gati 10-15% e grave nuk pësojnë ndryshime neurologjike gjatë menopauzës. Kaosi hormonal i moshës së mesme mund të shkaktojë ndryshime në humor, cilësinë e gjumit, nivelet e stresit, por edhe depresion të rëndë, ankth, sulm paniku etj. Shumë gra fillojnë të shqetësohen për problemet e shëndetit mendor, sidomos kur ato janë në gradë të rëndë. Mjekët thonë se këto ndryshime neurologjike janë normale, ndaj nuk ka vend për panik.
#3 Menopauza ka dhe anë pozitive
Autorja e librit, thekson se një nga avantazhet e menopauzës është një ndjenjë lumturie dhe kënaqësie për jetën. Shumica e grave në botë ndihen më të pavarura dhe plotësuara duke shijuar raporte të mira me miqtë, partnerin etj.
#4 Ushtrimet fizike ndihmojnë gjatë menopauzës
Studimet kanë treguar se gratë, veçanërisht ato në të dyzetat e tyre nuk ndihen me energji dhe shumë të gatshme për aktivitet fizik, si në palestër, ecje në natyrë etj. Por, aktiviteti fizik shkakton ndryshime pozitive hormonale, duke reduktuar afshet e nxehta, përmirësim të gjendjes së gjumit, pra një ndjesi qetësie e përgjithshme. Palestra dhe aktiviteti fizik rrisin qëndrueshmërinë dhe përmirësojnë cilësinë e jetës.
#5 Dieta luan rol të rëndësishëm
Mos kërkoni më shumë se një dietë të shijshme mesdhetare për ta kaluar sa më qetë fazën e menopauzës. Një regjim i pasur me perime dhe fruta të freskëta, bishtajore, arra, drithëra, ushqime deti, vezë, si dhe vaj ulliri, të gjitha këto ndikojnë në përmirësimin e shëndetit, si edhe plot efekte të tjera pozitive nga rregullimi i presionit të gjakut, kolesteroli, nivelet e glukozës në gjak etj.