Emri i efektivit mësohet se ka dalë pas zbërthimit të celularëve të treshes së arrestuar…
Tjetër polic ka rënë në prangat e kolegëve të tij, për lidhje me trafikun e drogës në vend. Sot është arrestuar një efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, pasi dyshohet se ka lidhje me grupin e të rinjve që sulmuan me makinë patrullën e policisë të enjten.
Të rinjtë u kapën me 1 kilogram kokainë në makinë, teksa mësohet se ata janë favorizuar nga efektivi Ervis Shkurta. Në momentin që do të shkëmbenin 1 kg kokainë, efektivi i Operacinales ka qenë në afërsi dhe ka qenë në dijeni për shkëmbimin dhe ka informuar grupin e tij për tu larguar.
Efektivi ka mohuar para grupit hetimor akuzat, që të jetë i lidhur me grupet kriminale, por provat deri tani tregojnë se ai prej kohësh kishte njohje me grupet kriminale dhe ishte i përfshirë në shkëmbimin e drogës duke përfituar shuma të mëdha parash.
Operacion antidrogë në Tiranë/ Trafikantët tentojnë të godasin policët me makinë, efektivët hapin zjarr; një i plagosur
21 Mars, 23:54
Emri i tij mësohet se ka dalë pas zbërthimit të celularëve të treshes së arrestuar, pasi hetuesit kanë mundur të gjejnë biseda mes të arrestuarve me një personi me nofkën “Visi i Pazarit”.
Ai lidhej me një numër britanik në aplikacionet e celularëve me të arrestuarit, ku komunikonin për mallin dhe shumat e lekëve. Ndërkohë, vijojnë kontrollet për gjetjen e aparatit celular me numër britanik të Ervis Shkurtës.
Mbi të rëndon akuza e trafikut dhe shitjes së narkotikëve e kryer në bashkëpunim. Ndërkohë, Eneo Sulejmanaj dhe dy shokët e tij, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj, ishin të përfshirë jo vetëm në trafikun e kokainës. Ata dyshohen si të implikuar edhe në trafikun e kanabisit në sasi të mëdha, lëndë të cilët e siguronin kryesisht në zonën e jugut.
Njoftimi i AMP
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Tiranë) ka ndaluar punonjësin e policisë Inspektor E. SH., 38 vjeç, efektiv në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, i dyshuar për veprën penale “Prodhimi e shitja e lëndëve narkotike”, e kryer në bashkëpunim.
Ndalimi i këtij punonjësi policie u krye në vijim të hetimeve me metoda speciale, në funksion të ngjarjes së datës 21.03.2024, ku u arrestuan në flagrancë tre shtetas, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “Mosbindja ndaj punonjësve të policisë”.
Si rezultat i hetimeve intensive u bë e mundur sigurimi i provave dhe i fakteve mbi dyshimet se punonjësi i policisë, Inspektor E. SH., me lidhje të ngushtë shoqërore me njërin prej personave të arrestuar, ka qenë pjesë aktive e sigurimit të kushteve për tregtimin e lëndës narkotike prej 1 Kg e dyshuar kokainë, si dhe ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e përkushtuar në përmbushje të misionit të saj për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje.